17 Tetor, 2026

Protestuesit e hodhën në Lanë, reagon Klevis Balliu: Ja çfarë ndodhi

 Protestuesit e hodhën në Lanë, reagon Klevis Balliu: Ja çfarë ndodhi

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas zhurmës së krijuar në media lidhur me një video ku pretendohej se ai kishte kaluar lumin Lana për t’u larguar nga protestuesit që kërkonin ta dhunonin.

Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Balliu i ka hedhur poshtë pretendimet se është goditur, ndërsa ka deklaruar se bëhej fjalë për një përballje gjatë së cilës, sipas tij, janë sulmuar qytetarë.

Deputeti thotë se më herët gjatë ditës, rreth orës 17:00, nga selia e PD-së kishte denoncuar dhunën e ushtruar nga Policia ndaj studentëve. Ai e lidh reagimin e tij me deklaratat e Dhimitraq Ziut, të cilin e akuzon se është përpjekur të minimizojë veprimet e efektivëve.

Balliu pretendon se incidenti ishte i organizuar nga struktura të Policisë, duke përmendur emrat e Skënder Hitajt dhe Ilir Prodës, si dhe Ergys Agasin. Ai akuzon gjithashtu persona që, sipas tij, paraqiten si opozitarë, por veprojnë në interes të mazhorancës.

“Me zhurmën e fundit mediatike të mediave të qeverisë, më duhet të sqaroj sa vijon: Pikë së pari, sot rreth orës 17:00, nga selia e PD kam denoncuar dhunën e tmerrshme dhe kriminale të ushtruar nga Policia e Shtetit drejt studentëve. Padiskutim kjo erdhi si rrjedhojë e një reagimi të detyrueshëm nga deklaratat e turpshme të Dhimitraq Ziut, i cili kërkonte të fshinte aktet kriminale të policisë kriminale të Edi Ramës ndaj studentëve.

Së dyti, është e vërtetë që patëm një incident të mirëorganizuar nga operacionalja e policisë së Dhimitraq Ziut, Skënder Hitaj, Ilir Proda, Ergys Agasit dhe të gjithë banditëve të tjerë të cilët përdorin aty partitë e qorrave që sillen si opozitarë, por janë në shërbim total nga mëngjesi deri në darkë të mazhorancës dhe të Edi Ramës. Nuk ka diskutim që ata si të gjithë të tjerët do të marrin përgjigjen e merituar, siç kanë marrë shpesh herë, çdo bandit që ka dhunuar apo ka guxuar të përplaset me qytetarët e lirë të këtij vendi.

Nuk është e vërtetë që më kanë goditur. Është e vërtetë që kemi pasur një përballje dhe janë sulmuar qytetarë në atë moment. Por e padiskutueshme që nuk ka skemë të operacionales, skemë të Edi Ramës, skemë të qorrave që do të vihen para përgjegjësisë, që do mund të më ndalojë mua apo Partinë Demokratike apo cilindo demokrat që do të mbështesim me të gjitha fuqitë studentët që po përballen me narko-regjimin e Edi Ramës”, ka thënë ai.

Ndërsa për Top Story, Balliu tha:

“Në protesta të tilla që nuk janë partiake, ka edhe segmente që janë pro apo kundër opozitës. Sot, persona që ne i kemi identifikuar dhe që janë të operacionales organizuan një skemë së bashku me elementë që janë opozitë e opozitës. Unë isha te bulevardi prej rreth 3 orësh.

Ata u afruan dhe që ne i kishim evidentuar, u afruan fillimisht duke përdorur disa fëmijë. Fillimisht nisën të qëllonin me gurë. Janë skema të njohura. Janë të njëjtët që nisin të kapin dhe godasin të tjerë. U bënë bashkë me elementë të tjerë të “qorrave” dhe bënë një skemë për të më larguar nga protesta.

Nuk më kanë qëlluar mua, por dy qytetarë të tjerë. Këto skema kanë për qëllim të zhvendosin vëmendjen. Këto skema për të bërë pis protestën nuk kanë asnjë lidhje me qytetarët” – tha Balliu në emisionin “Top Story” në Top Channel.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *