17 Tetor, 2026

Detajet e atentatit me bombë që tronditi Gjirokastrën: Shkak prishja e pazareve të drogës

 Detajet e atentatit me bombë që tronditi Gjirokastrën: Shkak prishja e pazareve të drogës

Atentati me bombë ndaj shtetasve Beqir Devolli dhe Erigels Mela, në mes të Gjirokastrës pak ditë më parë, ka ndodhur si pasojë e prishjes së pazareve të drogës. Policia e qytetit të jugut bën me dije se ka identifikuar deri tani 4 autorë, ndërsa ka dhe të tjerë, të cilët janë në kërkim.

Kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Altin Merizaj ka dalë sot në një konferencë për zbardhjen e vrasjes me lëndë shpërthyese të Beqiri Devolit dhe plagosjes sëErigels Melës, duke njoftuar se episodi kriminal është dokumentuar me prova ligjore.

Nga verifikimet paraprake, rezultoi se në brendësi të automjetin të shtetasit Beqir Devolli,  konkretisht nën serdiljen e shoferit ishte vendosur një sasi lëndë plasëse.

Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 18 persona. U kryen intervista, verifikime, kontrolle, ekspertime, u bë eksperiment hetimor dhe të gjitha veprimet e tjera për të  zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore ngjarjen.

Nga hetimet intensive me metoda speciale të hetimit, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave u arrit të dokumentohet me prova ligjore autorësia e kësaj ngjarje të rëndë.

Në bazë të rezultateve të deritanishme të hetimit, në kuadër të Operacionit Policor “GJURMA” u kapen dhe ndaluan si persona të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje shtetasit:

1. Behar Zyberi alias Behar Heqimaj, 64 vjeç, banues në Fier, i dënuar disa herë për disa vepra dhe në kuadër të grupit kriminal.

2. Shpëtim Malasi, 42 vjeç, banues në Patos.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 shtetas, të cilët pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit, konkretisht:

1. Gentjan Zhupa, 38 vjeç, banues në Tepelenë, me precedent kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike jashtë vendit.

2. Kliton Omeri, alias Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në krimet kundër personit dhe krimit të organizuar ne drejtim të trafikimit të narkotikëve dhe qënieve njerzore.

Sipas të dhënave të administruara në kuadër të hetimit, këta shtetas dyshohet se kanë pasur role të ndryshme dhe kanë organizuar vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjet me qëllim vrasjen e shtetasit Beqir Devolli, dyshuar për shkak të prishjeve të pazareve në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në shtetet Europiane.

Nga provat e siguruara rezulton se autorët e krimit janë këta 4 shtetas, si dhe persona të tjera të identifikuar nga ana jonë por për shkak të sekretit hetimor nuk mund të bëhen të ditura më shumë detaje. Në kuadër të veprimeve hetimore, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– Një motomjet pa targa, i cili dyshohet se është përdorur në kuadër të veprimtarisë kriminale për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e viktimës;

– Dy automjete dhe tre aparate celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse;

– Një shumë prej 2 500 eurosh;

– Një shumë prej rreth 130 000 lekësh.

Ndalimi i këtyre shtetasve u krye për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 dhe 25 i Kodit Penal.

“Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë është punuar intensivisht nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, duke bashkëpunuar me strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë Vlorë, Fier dhe Komisariatin e Policisë Nr.6 Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ku gjej rastin ti falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe punën profesionale të bërë për këtë rast.

Dua të falenderoj qytetarët e Qarkut Gjirokastër për ndihmën e dhënë për dokumentimin e kësaj ngjarje , si dhe ti siguroj se  strukturat e Policisë që operojnë në territorin e qarkut Gjirokastër janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin e sigurinë dhe për të luftuar çdo paligjshmëri që shfaqet në territor dhe në këtë kuadër i ftoj që të besojnë e bashkëpunojnë me Policinë, pasi bashkërisht ndërtojmë një ambient edhe më të sigurt”, u shpreh kryepolici Altin Merizaj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *