Fundi i dy familjeve që kanë “kapur prej fyti” Shqipërinë prej më shumë se 30 vitesh?
Tirana po kalon netë të trazuara, ndërsa në politikën shqiptare kanë nisur orët e makthit. Studentët kanë dalë nga auditorët, të rinjtë po sfidojnë pushtetin dhe revolta po përhapet në qytete të tjera. Edi Rama vazhdon të kapet pas mandatit elektoral, kurse Sali Berisha përpiqet të gjejë vend në një protestë ku janë dëgjuar thirrje edhe kundër tij. Dy rivalët e përjetshëm po përballen me një zemërim që nuk kufizohet te lufta e tyre për karrigen e kryeministrit.
Në njërin krah qëndron Rama, me arrogancën e një pushteti që prej vitesh e trajton Shqipërinë si pronë politike. Pranë tij është edhe vëllai Olsi, me aktivitetet e tij të biznesit të errët. Në krahun tjetër qëndron Berisha, me të birin Shkëlzen, bizneset e tij dhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, i cili bashkë me vjehrrin përballet në SPAK me procesin gjyqësor të dosjes “Partizani”.
Për vite me radhë, shqiptarëve u janë shitur kullat, komplekset luksoze dhe milionat e investimeve si dëshmi e një vendi që po lulëzon. Mirëpo çfarë vlere ka ky shkëlqim për një student që nuk paguan dot universitetin, për një të ri që nuk gjen punë apo për një familje që nuk përballon dot çmimin e një apartamenti?
Zeni dhe dhëndri Abi Malltezi, të paktën, kanë një arsye për të marrë frymë të lehtësuar. Mes zjarreve dhe shkatërrimeve në Tiranë, nuk ka raportime se janë prekur kullat dhe komplekset e ndërtimit të fshehura në. Qyteti numëron dëmet, ndërsa ata mund të vazhdojnë të numërojnë katet. Ironia është e hidhur për një vend ku të rinjtë protestojnë për një të ardhme që nuk ua garanton askush.
Rama mund të vazhdojë të flasë për Europën, Berisha mund të mbajë konferenca sa herë t’i teket, por asnjëri nuk mund të pretendojë pronësinë mbi zemërimin qytetar. Përpjekja për ta kthyer revoltën në një tjetër duel mes tyre rrezikon të mbysë kërkesat e studentëve në pazaret e vjetra politike.
Dhuna dhe shkatërrimet e ditëve të fundit kanë pasoja të rënda dhe përgjegjësit duhet të japin llogari. Megjithatë, asnjë xham i thyer nuk mund të përdoret për të fshirë muajt e protestave paqësore, pakënaqësinë ndaj korrupsionit dhe mungesën e perspektivës që ka nxjerrë të rinjtë në rrugë.
Në fund, makthi politik për Ramën dhe Berishën nuk qëndron vetëm te numri i protestuesve apo te përplasjet me policinë. Qëndron te mundësia që një brez të mos pranojë më të zgjedhë mes dy emrave që kanë përcaktuar politikën shqiptare për dekada duke e marrë peng.
Kjo është pyetja që i mundon oborrtarët e të dy kampeve. Çfarë ndodh nëse qytetarët nuk pranojnë më as Ramën si shpëtimtar nga Berisha, as Berishën si shpëtimtar nga Rama?
Përgjigjen nuk mund ta japin as konferencat e shtypit, as pasuritë familjare, as pazaret e politikës. Ajo do të varet nga ajo që studentët dhe qytetarët arrijnë të ndërtojnë përtej protestës. (Pamfleti)