19 Tetor, 2026

Edi Rama: Nuk e jap dorëheqjen, se ka akoma për të vjedhur

 Edi Rama: Nuk e jap dorëheqjen, se ka akoma për të vjedhur

Kryeministri Edi Rama i ka prerë sot të gjitha shpresat e opinionit publik për një largim të mundshëm nga detyra, duke deklaruar zyrtarisht se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, me arsyetimin se “ka ende shumë punë për të bërë dhe ende shumë para për të vjedhur”.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, i veshur me atlete të bardha dhe një kostum ekscentrik dizajni, Rama u shpreh se dorëheqja në këtë moment do të ishte një papërgjegjshmëri e madhe ndaj punëve të lëna përgjysmë.

“Të nderuar qytetarë,” tha Rama duke rregulluar mjekrën me një buzëqeshje filozofike. “Shoh që kërkoni çdo ditë dorëheqjen time. Por unë ju pyes: si mund të largohem tani? A e dini sa fonde të BE-së, sa tendera infrastrukture dhe sa projekte me partneritet publik-privat kanë mbetur pa u shfrytëzuar? Ka ende shumë për të vjedhur në këtë vend, dhe unë nuk jam nga ata njerëz që e lënë punën në mes.”

Sipas burimeve konfidenciale nga Kryeministria, kabineti qeveritar ka hartuar tashmë një “Plan Strategjik 5-Vjeçar për Shterimin e Parave të Shtetit”, ku përfshihen taksimi i ajrit në bregdet, privatizimi i diellit dhe dhënia me koncesion e pjesës së mbetur të Lumit Vjosa.

Reagimi i Opozitës: Opozita e kordinoi menjëherë përgjigjen e saj duke e quajtur deklaratën “të papranueshme”, jo sepse Rama pranoi vjedhjen, por sepse “nuk la asnjë tender të lirë që ta vjedhin ata kur të vijnë në pushtet”.

Reagimi i BE-së: Ambasadorët e Bashkimit Evropian në Tiranë përshëndetën “transparencën dhe sinqeritetin e pashoq” të Kryeministrit, duke e cilësuar këtë si një pasqyrë të qartë të standardeve evropiane të integrimit.

Rama e mbylli konferencën duke u kërkuar shqiptarëve mirëkuptim dhe durim: “Nuk është e lehtë të punosh 24 orë në ditë për të zbrazur arkën e shtetit. Por ju premtoj: sapo të mos mbetet më asnjë qindarkë, unë vetë do t’jua dorëzoj çelësat e zyrës.” (Ministria e së Vërtetës)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *