26 Tetor, 2026

Nga fadromat në Vjosë, te batërdia e abuzimeve në Bashkinë Tepelenë me miliona euro: Hetimet e SPAK për Tërmet Peçin dhe njeriun e tij të besuar

 Nga fadromat në Vjosë, te batërdia e abuzimeve në Bashkinë Tepelenë me miliona euro: Hetimet e SPAK për Tërmet Peçin dhe njeriun e tij të besuar

44-vjeçari Lorenc Bami, i cili u arrestua një ditë më parë për ndërhyrje me fadromë në shtratin e lumit Vjosa, është ish-shef i urbanistikës gjatë kohës që Bashkia e Tepelenës drejtohej nga Tërmet Peçi.

Sipas Policisë, ngjarja u konstatua të premten në vendin e quajtur “Gallaticë”, në fshatin Vasjar të Memaliajt, ku shërbimet kanë evidentuar ndërhyrje me fadromë në shtratin e lumit Vjosa, zonë e mbrojtur mjedisore.

Bami u vu në pranga, ndërsa një tjetër, Andi Hasani, nën hetim, për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lorenc Bami është njeriu më i afërt i Tërmet Peçit, i cili e ka përdorur për zullume kur drejtonte Bashkinë. Sipas burimeve të siguruara nga “Pamfleti”, një vit më parë SPAK ka nisur hetimet ndaj Peçit dhe Bamit, pasi kishin ngritur një skemë sistematike përmes së cilës janë favorizuar kompani në pronësi të motrës së Peçit dhe gruas së Bamit, duke përfituar leje ndërtimi, troje dhe tenderë publikë nëpërmjet dokumentacionit të falsifikuar dhe preventivëve fiktivë. Në dhjetor të vitit 2025 u mor në pyetje dhe vetë ish-kryebashkiaku, sot deputet.

Në bazë të dosjeve të sekuestruara më 16 qershor 2025, rezulton se janë shpërndarë në mënyrë abuzive rreth 85 hektarë toka, pyje e troje në formë koncesionesh apo qiraje me vlerë simbolike dhe janë vjedhur mbi 7.7 milionë euro.

Kompanitë e përfshira në këtë skemë janë: “NG Structures”, “Artreum Generation”, “Iumentis”, “Agroturizëm Urla”, “Agroturizëm Rexhini” dhe “Therrtorja Rajonale-Tepelenë”. Të gjitha janë të lidhura me motrën e ish-kryebashkiakut Manjola Peçi dhe bashkëshorten e drejtorit Bami, Aleksandra Bami.

Një nga rastet më flagrante është ai i ndërtimit të ujësjellësit për fshatrat Krahës dhe Qesarat në Bashkinë Memaliaj. Edhe pse janë paguar 4.1 milionë euro në qershor 2021, punimet janë zvarritur pa fund.

Në total, vetëm në periudhën 2019–2025, kompanitë e lidhura me Peçin dhe Bamin kanë përfituar mbi 18 milionë euro në tenderë të dyshimtë. Aktualisht është në hetim një tjetër bllok tenderësh me vlerë mbi 66 milionë euro të dhëna nga Bashkia Tepelenë dhe nga bashki të tjera ku është ndërhyrë përmes lidhjeve politike.

Në muajin shkurt 2024, këshilli bashkiak i Tepelenës, me propozim të Peçit dhe relacion të Bamit, miratoi dhënien me qira dhe falas të pasurive të tjera publike në favor të kompanisë “Iumentis”.

Po ashtu, me vendim të datës 31 mars 2022, Këshilli Bashkiak i dha motrës së Peçit një tjetër tokë për ndërtimin e resortit “Agroturizëm Rexhini” në Progonat. Nëpërmjet këtij resorti dhe të tjerëve si “Urla” dhe “Therrtorja Rajonale”, familjarët e Peçit dhe Bamit kanë përfituar mbi 1 milionë euro nga fondet bujqësore të BE, miratuar nga ish-drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca, me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, i cili i përuroi publikisht.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *