10 Tetor, 2026

Thirrje për të mos dalë në protestë. Unë për vete do dal, se jam kuçkë

 Thirrje për të mos dalë në protestë. Unë për vete do dal, se jam kuçkë

Nga Egla Ceno

Mos të ngrihen në protestë pacientët dhe mjekët. Pritja nëpër spitale është pjesë e kurës. Ilaçet po ti kërkosh, i blen. Kur s’ka ilaçe, ke lirinë të presësh.

Mos të ngrihen në protestë të përndjekurit  politikë. Dje u morën lirinë sot kanë luksin të kënaqen me harresën dhe nomeklaturën që u rri akoma në postet më të larta.

Mos të ngrihen në protestë studentët. Kanë diploma që mund ti varin në mur ose bileta avioni që mund ti presin sapo të diplomohen.

Mos të ngrihen në protestë intelektualët. Heshtja shpërblehet më mirë se mendimi. Më mirë të duartrokasësh se të mendosh.

Mos të ngrihen në protestë pensionistët. Me pensionet e tyre janë të lirë të vendosin çfarë do blejnë çdo muaj; bukën, ilaçet apo faturat.

Mos të ngrihen në protestë mësuesit. Janë duke edukuar breza që do largohen nga vendi.

Mos të ngrihen në protestë fermerët, fshatarët, bujqërit. Kanë tokën dhe djersën e tyre. Nuk u duhet mbështetja. Mjaftojnë premtimet.

Mos të ngrihet në protestë rinia. Ka gjithë botën përpara, përveç vendit të tyre. Ka lirinë të mësojë artin e servilizmit dhe ia del.

Mos të ngrihen në protestë artistët. Ç’u duhen teatrot, sallat, dinjiteti, të drejtat e autorit. Artisti që lavdëron pushtetin ka skenën, ai që e kritikon ka prapaskenën…me gjithë ndocrrokun.

Mos të ngrihet në protestë administrata. Kanë taksa për të paguar, çmime për të përballuar, fëmijë për të rritur. Dinjiteti është luks para bukës së gojës.

Pse të ngrihet në protestë një popull kur ka gjithçka përveç mundësisë për të jetuar me dinjitet? Pse të ngrihet kur i zgjidh vet hallet e veta? Mungon uji – paguajnë depozitat nga xhepi vet, s’ka pse të shqetësohet shteti për vogëlsira. Partinë të kemi se dinjitetit është veç një detaj.

Rroftë partia

P.S. unë për vete do dal në shesh se jam një kuçkë pa parti. Prandaj..

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *