Abuzimet në Bashkinë e Tepelenës: 800 mln lekë për një rezervuar, 1 miliard e 250 milionë për një shkollë me katër nxënës…
Nga Erald Alika
Sot Tepelena ka më shumë nevojë se kurrë për një drejtim që t’u japë zgjidhje halleve të njerëzve dhe t’u japë drejtim projekteve të qytetarëve.
Një bashki nuk mund të zgjohet vetëm kur vjen puna te tenderat. Sepse, në optikën time dhe të shumë qytetarëve, kur gjithë vëmendja shkon te tenderat dhe jo te hallet reale të njerëzve, kjo nuk duket më si zhvillim, por si një mekanizëm që ushqen abuzimin.
A eshte normale qe te investosh 800 miljon leke ne nje rezervuar apo thjesht aty nuk bie shume ne sy abuzimi?
Shkolla “7 Marsi” është shembulli që të bën të pyesësh veten: me klasa që janë katandisur edhe me nga 4 nxënës, a është kjo mënyra më e mirë për të shpenzuar 1 miliard e 250 milionë lekë?
A është normale të investojmë shifra të tilla në një shkollë që po boshatiset vit pas viti, kur nxënësit mund të sistemohen në shkollën “Avni Rustemi” dhe këto para të shkojnë aty ku Tepelena ka nevojë realisht?
Me këto para mund të bëhej zhvillim konkret: lera për blegtorët, investime në fshatra, përmirësim i rrjetit energjetik, për të zgjidhur njëherë e mirë gangrenën e dimrit me energjinë elektrike.
Sepse qytetari nuk ha tendera.
Qytetari do ujë, drita, rrugë, shkolla, punë dhe mundësi për të jetuar në vendin e vet.
Dhe pyetja që Bashkia Tepelenë duhet t’i përgjigjet është shumë e thjeshtë:
Pse projektet ku ka tendera ecin me shpejtësi, ndërsa projektet dhe hallet e qytetarëve presin muaj të tërë në dyert e bashkisë?
Mos vallë gjithë vëmendja është te tenderi dhe jo te jeta reale e banorëve?
Tepelena ka nevojë për zhvillim të vërtetë, jo për një bashki që kujtohet për qytetarët vetëm kur duhet të hapë një tender.