10 Tetor, 2026

Alarmi i Edi Ramës nga laptopi sekret në Francë dhe dokumentari bombë i Vjenës

 Alarmi i Edi Ramës nga laptopi sekret në Francë dhe dokumentari bombë i Vjenës

Nga Elmas Bogdani

Një raportim i përhapur ditët e fundit ka rikthyer në qendër të vëmendjes Mirel Mërtirin, një nga personat kyç të shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve, i cili po përgatit një intervistë mediatike ekskluzive nga arratia. Vëmendjen kryesore e ka marrë një provë materiale, një USB e dorëzuar te një producent dhe gazetar i njohur austriak. Sipas fragmenteve investigative të bëra publike nga gazetarët në terren (përfshirë një sekuencë të publikuar nga gazetarja Lindita Çela), gazetari austriak Füssle shfaqet duke pyetur dëshmitarin se çfarë përmban pajisja e vogël elektronike.

Përgjigjja e tij është: “Aty janë të gjitha të dhënat, të gjitha pagesat… Ke emra, shumën e parave, ke të dhëna dhe ke edhe arsyet se pse janë paguar këto para tek ata…” Dyshimet më të forta janë se brenda kësaj USB-je ndodhet vizatimi i plotë i skemës financiare të inceneratorëve, transaksionet e fshehura në llogari off-shore, si dhe emrat e zyrtarëve të lartë shqiptarë që kanë përfituar nga këto pagesa. Mërtiri, i cili për një kohë të gjatë ka zgjedhur heshtjen, duket se po përdor kanalet austriake për të shpërfaqur kartat e tij përballë presionit në rritje nga SPAK.

Lidhur me këtë situatë tejet të nxehtë dhe të dhënat bombë që pritet të publikohen nga Vjena, pedagogu në SHBA Grid Rroji ka zbërthyer për “Vip Magazine”, prapaskenat e alarmit që ka kapur kupolën e qeverisë, duke komentuar edhe laptopin e Ermal Beqirit të bllokuar në Francë nga autoritetet, lëvizjet panikuese të Edi Ramës dhe orvatjeve të ish-zyrtarëve të zhytur në skandale për t’u rikthyer në skenë.

Laptopi sekret në Francë dhe hija e Mirel Mërtirit

Përgjimet e reja që pritet të dalin në dritë dhe paralajmërimi për dokumentarin investigativ nga Vjena nuk janë zhvillime të rastësishme. Sipas Rrojit, kjo valë përfaqëson një përshkallëzim të pashmangshëm të situatës ku laku po i ngushtohet pushtetit “Pa dyshim që nuk është e rastësishme.

Nuk është e rastësishme që dalin të gjitha këto dhe që përshkallëzohen. Laptopi i Ermal Beqirit nuk dihet se çfarë pati, se çfarë gjeti qeveria franceze ose organet kompetente franceze në atë laptopin e Ermal Beqirajt, i cili na u tha se u arrestua sepse po fluturonte pa leje mbi një central bërthamor. Duket pak si romani i Asimov-it; kjo nuk duket fort afër realitetit, por gjithsesi Ermal Beqiraj ishte pjesë kyçe e këtij grupi që kontrollonte të gjitha aferat e të ashtuquajturit shtet në Shqipëri  shtetit antishqiptar të parisë, do duhet të themi. Pra, nuk është e çuditshme që kjo përshkallëzohet.”

Në qendër të kësaj stuhie përgjimesh mbetet figura e Mirel Mërtirit, i cili, sipas Rrojit, zotëron informacione përcaktuese mbi funksionimin e brendshëm të strukturave kriminale brenda shtetit: “Sigurisht që ai që përflitet se është njeriu në qendër të këtyre përgjimeve, është Mirel Mërtiri — dhe nëse është ai, se duhet parë nëse është apo jo — ai ka ditur shumë, ai ka qenë në qendër të shumë aferave dhe do të japë një skemë të re të mënyrës se si funksiononin personazhet e grupeve kriminale brenda përbrenda të ashtuquajturit shtet shqiptar, shtetit antishqiptar të parisë.”

Nga i mori Edi Rama informacionet e besueshme?

Ethet e përgjimeve të reja shpjegojnë edhe dalje të pazakonta të  kryeministrit Edi Rama përpara medieve. Rroji nënvizon se kapja e shtetit nga sindikata e krimit ka avancuar, ndërsa sjellja e kryeministrit ngre pikëpyetje të mëdha se nga i burojnë të dhënat sekrete: “Problemi është më i thellë se sa kaq, ka disa probleme këtu. Ne të gjithë e dimë, që e kemi thënë prej kohësh, që shteti shqiptar ka funksionuar si një ndërmarrje kriminale ku kryeministri ka vendosur piketat dhe tanimë është nën pronësinë e sindikatës ndërkombëtare të krimit. Por ajo që duhet t’i habisë njerëzit është që kryeministri doli para kësaj pune.

Doli në konferencë për shtyp dhe foli për një orë të shtrenjtë, të cilën ai ia paskësh dhënë shtetit. Por mund të ketë edhe ndonjë fotografi në evenimente private apo edhe gjysmë zyrtare ku i shihet ora, pra do t’i dalë pak blof ajo puna e dhënies shtetit. Por në Shqipëri nuk pyet shumë kush për atë punë, të gjithë duan të shohin telenovelën. Pra, ai foli për një orë, ai foli për familjarët e vet, ai foli për lekë të të tjerëve në xhepat e tij. E gjitha kjo, sipas meje, ka të bëjë me përgjimet e reja dhe me valën e re që do t’i dalë.”

Detajet

Më tej, ai ngre pikëpyetjet alarmante lidhur me prapaskenat e këtij informimi dhe rolin e shërbimeve inteligjente. “Mirëpo unë pyes veten: nga e di kryeministri se cilat janë provat që ka SPAK apo që ka Mirel Mërtiri? Me çfarë mjetesh i mblodhi këto? Kush ia tha atij? Sepse ne, publiku i thjeshtë, presim që të dalë dokumentari i gazetarit austriak Füssle. Jam i bindur që këto të dhëna i kanë disa shërbime të huaja, por nuk mendoj që shërbimet e huaja ia dhanë kryeministrit. Nëse ia dhanë, pse nuk na e tregon kryeministri kush ia dha? Nga i mori këto informata? I mori nga SHISH-i, i cili tanimë drejtohet nga një zëvendës e të tjera e të tjera?”

Hilja e “skllavërisë” dhe reagimi i munguar i shqiptarëve

Sipas Rrojit, fakti se paria e Tiranës e drejton vendin si një çiflig privat nuk përbën më asnjë surprizë, mirëpo shqetësimi kryesor mbetet reagimi i munguar i vetë shoqërisë shqiptare: “Pyetja e dytë që duhet t’i bëjmë vetes është: a kemi më nevojë për prova për të parë që paria e Tiranës e drejton shtetin si një çiflig? Pse duhet të habitemi ne se doli një Mërtir më shumë? Pse duhet të habitemi ne se do dalin nesër e pasnesër ca lidhje të tjera? Kjo është më se e qartë.

Ajo që mbetet ende e pavendosur dhe e paqartë është: pse nuk reagojnë shqiptarët? Pse shqiptarët ende rrinë dhe presin se çfarë do të bëjnë të tjerët për ta? Pse shqiptarët nuk marrin në dorë një shkop bejsbolli dhe të dalin t’u thyejnë brinjët, figurativisht por edhe fizikisht, këtyre plehrave të cilët dalin e fryhen me kostume të shtrenjta në parlament dhe u japin njerëzve idenë se janë më të fuqishëm se Zoti? Pse shqiptarët ende nuk reagojnë?” Më tej, ai e cilëson këtë plogështi si një zgjedhje me pasojat më të rënda për të ardhmen e brezave: “Tani, ajo nga pikëpamja profesionale e ka një përgjigje, por unë dua ta shoh nga pikëpamja e shqiptarëve, nga një pikëpamje më emocionale: çfarë presin shqiptarët sot?

Çfarë duan të dinë më shumë? Në qoftë se duan të shohin një telenovela me jetët e tyre dhe me jetët e pjellës së tyre e të kënaqen duke parë se si i shkoi poshtërsia këtij apo atij, ajo pastaj është një zgjedhje që e kockëzon, e çelnikos skllavërinë për disa shekuj — ose për disa breza po themi, mos ta themi aq gjatë — dhe lum kush rron deri atëherë që të shohë se çfarë do të ndodhë më mbrapa. Por kjo është një qasje jo e duhur. Dhe normalisht që unë nuk habitem më nga asgjë. Kjo është vetëm maja e ajsbergut, ka shumë e shumë më tepër.”

Rikthimi i Saimir Tahirit dhe pazaret e banditëve të politikës

Ndërkohë, paralajmërimet për rikthimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri apo ish-zyrtarëve të tjerë përmes “dokumentareve” apo dëshmive të reja cilësohen nga Rroji si lojëra banditësh për të përfituar nga trazirat politike: “Asgjë s’është e rastësishme. Sigurisht që të gjithë banditët kërkojnë të përfitojnë nga situatat e turbullirës. Saimir Tahiri është një bandit; ashtu ishte, një bandit në funksion të Edi Ramës. Edi Rama e përdori, e shtrydhi dhe e hodhi tutje.

Tani Saimir Tahiri ka bërë ca lekë, në këmbim të lekëve mbylli gojën, e tani do të dalë të bëjë ca lekë të tjera me një dokumentar. Do që të rikthehet në politikë se mendon se i është hapur rruga prapë, po ashtu edhe Arben Ahmetaj, po ashtu edhe të gjithë të tjerët.” Lidhur me këtë riciklim figurash, ai nënvizon se këta personazhe nuk po kërkojnë të vërtetën apo një ‘mea culpa’ të sinqertë përpara popullit shqiptar, por po përdorin skandalet vetëm për pazaret e radhës: “Pra, nuk është zgjidhja se çfarë na tha banditi i radhës.

Banditët e radhës në radhë të parë duhet të shpjegojnë pse e mbështetën këtë banditizëm, pse janë vënë në shërbim të këtij banditizmi, dhe pasi ta shpjegojnë këtë, duhet të ngrenë duart përpara shqiptarëve e të bëjnë mea culpa. Të thonë: ‘Faji ishte i imi, unë nuk jua tregova të vërtetën dhe sot po jua tregoj të vërtetën dhe nuk dua asgjë mbrapsht prej jush. O populli im shqiptar, thjesht dua t’ju tregoj që kjo është e vërteta’. Unë bëhem garant, unë e vë jetën time.

Se kushdo që thotë të vërtetën në Shqipëri nuk e bën pa kosto  jo thjesht personale, siç marrim ne, siç marr unë e miqtë e mi, që nuk lëmë kënd miqësor, por edhe kosto me jetë, se në Shqipëri po fole përtej asaj që duhet dhe preke ca tentakula, nuk të lë kush rehat. Problemi është që askush prej këtyre nuk e bën këtë. Këta janë të gjithë përfitues. Këta të gjithë thonë diçka për të përfituar diçka mbrapsht. Të gjithë thonë ‘shihni çfarë është bërë, po tani jam unë’. Këta janë të gjithë banditë. Pra, do dalë Saimir Tahiri, do ketë banditë të tjerë sa të duash”, tha ai ndër të tjera.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *