Gracka dinake e votave kundër reformës territoriale: a po përgatit Rama zgjedhjet e parakohshme?
Edi Rama ndodhet në gjysmën e dytë të mandatit të tij të katërt, me një mazhorancë prej 84 votash në Kuvend.
Partia Socialiste dhe deputetët e Tom Doshit formojnë një shumicë të ndërtuar qëllimisht për ta mbrojtur kryeministrin në ditët kur do të përballej me kundërshtimin e faktorëve ndërkombëtarë. Pikërisht kjo po ndodh. Pa shumicën e cilësuar, mazhoranca do të ishte e brishtë dhe do të shpohej nga të gjitha anët, si një kullesë makaronash.
Faktorë të fuqishëm europianë, me Gjermaninë si aktorin kryesor, synojnë të rikthejnë një ekuilibër demokratik në Shqipëri. Për këtë arsye, ata kanë tentuar t’ia dobësojnë Ramës fuqinë parlamentare që i japin 84 votat.
Këto vota përbëjnë thembrën e Akilit të kryeministrit. Pa to, Rama mund të mos rrëzohet menjëherë, por nis tatëpjetën e një procesi që vështirë se mund ta ndalë.
Kanë mbetur afërsisht dy vjet deri në përfundimin e mandatit të katërt. Justifikimet për të kërkuar një mandat të pestë do të tingëllonin të konsumuara, sidomos nëse Shqipëria mbyll kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian deri në vitin 2027.
Faktorë politikë dhe mediatikë po kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Duke parë dinamikën aktuale, megjithatë, zgjedhjet e parakohshme mund t’i kërkojë më shumë vetë Edi Rama, për t’i përdorur si shteg drejt zgjatjes së pushtetit.
Cili mund të jetë skenari?
Përplasja që po shfaqet brenda mazhorancës duket e stisur nga lart. Në të vërtetë, pak deputetëve u intereson ndarja territoriale. Interesat personale, orekset politike dhe frika për të ardhmen i shtyjnë të rebelohen ose të shfaqin pakënaqësi.
Në kuzhinën strategjike të kryeministrit mund të qarkullojë një skenar për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të zhvilluara në të njëjtën ditë me zgjedhjet vendore. Rama mund t’i paraqesë ato si kërkesë për rikonfirmimin e mbështetjes popullore dhe si një sfidë ku, me një gur, vret dy zogj.
Në të vërtetë, ky skenar do t’i krijonte mundësinë ta zgjaste pushtetin së paku deri në vitin 2032.
Zgjedhjet e parakohshme nuk u shërbejnë të gjithë faktorëve opozitarë. Përkundrazi, në kushtet aktuale ato mund të shndërrohen në një grackë të madhe për opozitën.
Konsumimi i mandatit të tanishëm të Edi Ramës përbën një “sakrificë të detyrueshme” për të gjithë ata që duan ta largojnë. Presioni politik dhe rënia e mbështetjes e konsumojnë pushtetin e tij, ndërsa koha u jep kundërshtarëve mundësinë të ndërtojnë një alternativë që mund ta mundë në zgjedhjet e vitit 2029.
Ky proces kërkon dy kushte. Së pari, faktorët e rinj dhe të pakonsumuar opozitarë duhet të forcohen në zgjedhjet vendore. Së dyti, opozita duhet të ndërtojë një lidership të ri dhe një organizim politik që nuk lidhet me strukturat e vjetra.
Pa këta dy faktorë, çdo goditje ndaj Edi Ramës mund ta forcojë. Një pjesë e opinionit do të vazhdojë ta shohë si të keqen më të vogël, ndërsa një pjesë tjetër si aktorin e vetëm politik me peshë reale në vend.(Pamfleti)