Aktivisti i Arlind Qorit: M’u bë zemra mal, kur pashë që sulmuan me vezë Bledi Manen
Kristjan Zoto, aktivisti i partisë së Arlind Qorit, thotë se iu bë zemra mal kur pa që u sulmua me vezë gazetari Bledi Mane.
“Bledi Mane nuk është viktimë!
Sot, nga Top Channel te mediat më të vogla pranë pushtetit dhe analistët banalë, po na tregojnë se protestuesit qenkan të dhunshëm sepse kanë “sulmuar mendimin ndryshe”.
E para, njollosja me vezë është një akt publik turpërimi dhe proteste. Veza lëndon egon, por jo trupin.
E dyta, është e vështirë të paraqitet si viktimë e “linçimit” dikush që prej kohësh përdor vetëm gjuhë fyese e denigruese ndaj protestuesve dhe kujtdo që kundërshton qeverinë.
Më kujtohet kur në Top Channel, sulmonte një vajzë, personazh publik që mbështeste protestën, duke thënë se që kur ajo kishte ardhur në Top Channel “plasi miu aty”. Një sulm personal pa asnjë lidhje me argumentin apo protestën. Por atëherë askush nuk u shqetësua kaq shumë për “linçimin”.
E treta, në videot e djeshme shihet edhe gjesti vulgar që Bledi Mane u drejton protestuesve. Pra, historia nuk është aq e thjeshtë sa “protestuesit sulmuan një njeri vetëm sepse mendonte ndryshe”.
Dje, kur protestuesit e mbuluan me vezë, m’u bë zemra mal. Dhe, për të qenë të qartë, asnjë prej tyre nuk ishte aktivist nga Lëvizja BASHKË.
Bledi Mane përfaqëson formë më të shëmtuara të servilizmit mediatik: godet, fyen dhe përqesh këdo që del kundër qeverisë, nga studioja e Top Channel-it, deri te podcasti i Gjergj Lucës.
Bledi Mane nuk është viktima e kësaj historie.
Vezët e djeshme kanë një simbolikë shumë më të madhe se njollat që lanë mbi rrobat e tij: njerëzit që prej vitesh poshtërojnë të tjerët nga ekranet nuk mund të presin që, sapo të dalin nga studioja, publiku t’i presë me duartrokitje”, shkruan ai.
Është e trishtë të shohësh se si për kundërshti mendimesh dhe qendrime politike, të shohësh se si legjitimohet dhuna.