Skandal në ‘Raiffeisen Bank Albania’: Qindra qytetarëve u zhduken paratë nga llogaria, vjedhje masive!
Një numër gjithmonë e në rritje qytetarësh, të cilët janë klientë të bankës Raiffeisen po denoncojnë publikisht në rrjetet sociale një situatë alarmante; zhdukjen e parave nga llogaritë e tyre në Raiffeisen Bank.
Kapitali ka mundur të verifikojë llogaritë e disa prej tyre, të cilëve u janë marrë shuma të ndryshme parash pa kryer asnjë veprim apo blerje. Shumat e marra variojnë nga 500 euro e ndoshta edhe më shumë.
Një rast i verifikuar nga Kapitali, një qytetari i janë marrë 50 mijë lekë ose mbi 500 euro. Ky qytetar kishte një balancë prej 100 mijë lekësh në llogarinë e tij, nga transaksioni i fundit.
Ditën e sotme ky qytetar ka bërë një transaksion në vlerën afërsisht 10 euro ose rreth 1100 lekë. Pas kryerjes së kësaj blerje, atij i ka ardhur një sms nga Raiffeisen ku balanca e llogarisë rezulton rreth më pak se 50 mijë lekë.
Pra, ndonëse ai shpenzoi vetëm 1 mijë lekë me blerjen, nga llogaria, sipas mesazhit të dërguar nga Raiffeisen i janë zhdukur rreth 50 mijë lekë ose rreth 540 euro.
Paralelisht, dhjetra qytetarë të tjerë kanë denoncuar në rrjetet sociale të njëjtin fenomen, ku atyre u rezultojnë të marrë nga llogaritë e tyre shuma nga 500 deri në 1 mijë euro.
Të gjithë këta qytetarë denoncojnë se janë përpjekur me dhjetra herë të kontaktojnë bankën për humbjen e parave të tyre, Raiffeisen nuk u është përgjigjur, pasi linjat e ofruara për kontaktin e klientëve nuk përgjigjen.
Kapitali ka mësuar se Raiffeisen gjendet në një sulm kibernetik, përmes të cilit po merren paratë e qytetarëve.
Vetëm dy ditë më parë, banka njoftoi përmes një mesazhi zyrtar klientët e saj se po përballet me sulme kibernetike të tipit “smishing”, të cilat vjedhin të dhënat e klientëve përmes sms-ve mashtruese.
Nuk dihet nëse klientët që po denoncojnë humbjen e parave kanë rënë pre e këtyre sulmeve. Por e sigurtë është që Raiffeisen ka çedim të sigurisë, jo vetëm për të dhënat e klientëve por edhe për paratë e tyre.
Sigurisht që në këto raste, banka kompeson plotësisht paratë që u merren qytetarëve.
Por rënia pre e një prej bankave më të rëndësishme të vendit e një sulmi kibernetik të këtyre përmasave, ngre sërish pyetjen se sa të përgatitura janë bankat shqiptare në realitetin e ri të dixhitalizimit dhe a kanë investuar ato mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e klientëve të tyre.