4 Tetor, 2026

Mbretëresha pa kurorë

 Mbretëresha pa kurorë

Nga Klementin Mile

Investigimi i “Fiks Fare” nuk e ekspozoi Belinda Ballukun si ish-ministre që ka humbur pushtetin. Përkundrazi; e ekspozoi si një emër që vazhdon të thirret aty ku merren vendime. Drejtorë institucionesh nuk flasin për të si e shkuara, por si “shefe”, si “mbretëreshë”, si dikush që mund të ndryshojë një emërim, një punësim, një heshtje. Dhe ky ishte mesazhi qendror i investigimit: tjetër gjë thonë dokumentet, tjetër gjë praktika.

Megjithatë, në regjimin hibrid shqiptar (ku përzihen elementë demokratikë me ata autokratikë), ky hetim nuk funksionon thjesht si akuzë. Ai funksionon edhe si provë force. Publiku shqiptar shikon mbi të gjitha se kush ka momentum, kush nuk lëkundet, kush është ende aty edhe kur nuk i takon të jetë. Prandaj, edhe pse “Fiks Fare” mund ta ketë dëmtuar Ballukun në moral, nga ana tjetër mund ta ketë forcuar në perceptimin e fuqisë. Sepse kush nuk preket, edhe pse akuzohet, shndërrohet në simbol.

Por kjo nuk është e gjithë historia. Investigimi ekspozoi edhe një dobësi: pushteti informal nuk kthehet automatikisht në vota (pavarësisht se Balluku mori fitoren më të thellë në 2025). Pushteti informal mund të frikësojë, mund të demotivojë kundërshtarin, mund ta mbajë bazën të bindur, por nuk e bind votuesin e lëkundur. Madje, mund ta largojë. Nëse publiku e lexon si pandëshkueshmëri, Balluku fiton në imazhin e forcës, por humbet në besueshmërinë e përfaqësimit. Dhe pastaj vjen pyetja: sa zgjat një pushtet që nuk kalon më nga karrigia?

“Fiks Fare” nuk e rrëzoi Ballukun. Në fakt, e vendosi në dritë. E bëri më të dukshme, më të diskutueshme, më të rrezikshme për të tjerët dhe më të brishtë në terma afatgjatë. Po lëvizi SPAK-u, ky investigim gazetaresk bëhet barrë. Por, po nuk lëvizi, ai bëhet provë se pushteti nuk shkarkohet me dekret. Dhe ky është paradoksi: çka do të duhej ta dobësonte, mund ta bëjë Belinda Ballukun më të fortë në sy të publikut që beson te forca.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *