Rasti tronditës në Këlcyrë dhe drejtoresha gjirokastrite, që ka 13 vjet në atë post
Kristi në klasë të 4 dhe Alesia në klasën e 7, përshkojnë çdo ditë një orë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë e po kaq për të kthyer. Të dy çantat me libra i mban në kurriz, 10-vjecari, i cili nuk ngopet as me bukë.
“Unë ia mbaj çantën dhe motrës. Një herë ha bukë, një herë nuk ha. Shkojmë në shkollë me bukën thatë. Por s’ka gjë për mua, dua ndihmë për motrën se i dhemb shumë këmba”, tha ai për mikrofonin e Report TV.
Motra e tij, Alesia 13-vjece, ka pësuar Ishemi cerebrale në foshnjëri dhe ecen me vështirësi. Ankohet vazhdimisht për dhimbje të këmbëve, mesit dhe kokës. Nëna e saj, Albina Rrapaj, e cila vuan teksa sheh të bijën me dhimbje të përditshme, përmes Report TV apelon për ndihmë. Kërkon trajtim të specializuar për të bijën.
“Vajza ka lindur me probleme. Nga mosha 2 vjec e kam kuptuar dhe i bëra ndërhyrje por nuk shkoi mirë. Nuk ecën dot. Çantën ia mban djali. Fëmijët i çoj në shkollë, here me bukë e here pa bukë”, tha ajo.
Por hallet nuk mbarojnë këtu. Katër anëtarët e familjes Rrapaj jetojnë në një banesë, të rrënuar, me muret e çatinë që po shemben në fshatin Kuqar të Këlcyrës. As këtë strehe që po i zë brenda nuk e kanë të tyre.
“Burri është në KEMCP dhe vajza gjithashtu, banesën nuk e kam timen. Unë kërkesë kryesore kam të vizitoj vajzën dhe t’i bëj mjekime se nuk është mirë. Jemi shumë keq në këto kushte, ju lutem të gjithëve të na ndihmojnë për shtëpi dhe për çupën se është me paralizë”, tha më tej.
Të ardhurat e kësaj familje janë 23 mijë lekë në muaj, nga dy pensionet e invaliditetit dhe ndihma modeste ekonomike.
Përmes apelit në Report TV, Albina Rrapaj, kërkon një shtëpi të re në qytetin e Këlcyrës, për të shkolluar fëmijët si dhe për të ndjekur trajtimet mjekësore të vajzës së sëmurë.
Drejtoresha që nuk “sheh” të varfërit
Prej vitit 2013, Magdalena Margariti vijon të drejtojë Shërbimin Social në Gjirokastër. 13 vite në të njëjtin post drejtues!
Dhe pyetja që sot duhet t’i bëhet këtij institucioni është e thjeshtë:
A nuk ka më njerëz të tjerë të aftë në Gjirokastër që mund ta drejtojnë këtë shërbim? Apo drejtimi i një institucioni publik është kthyer në një post të përhershëm?
Por mbi të gjitha, le të flasim për ata që duhet të jenë në qendër të këtij institucioni: familjet në nevojë.
Në Qarkun e Gjirokastrës ka familje që jetojnë në kushte ekstreme ekonomike dhe sociale, familje që përballen me pamundësi ekonomike e fizike, me persona të moshuar, persona me aftësi të kufizuara dhe njerëz që nuk janë në gjendje të përballojnë as nevojat më elementare të jetës.
Çfarë ka bërë konkretisht Shërbimi Social për këto familje?
Sa familje janë identifikuar në terren?
Sa raste janë vizituar dhe dokumentuar?
Sa familje kanë marrë ndihmë konkrete?
Sa persona me pamundësi fizike janë mbështetur?
Sa raste janë ndjekur deri në zgjidhje?
Sepse nuk mjafton të ulesh në zyrë dhe të presësh që qytetari në nevojë të vijë të kërkojë ndihmë. Shërbimi Social duhet të shkojë vetë tek njerëzit që nuk kanë mundësi të vijnë.
Nëse në një qark ka familje që jetojnë në kushte të rënda dhe qytetarët pretendojnë se nuk po marrin mbështetjen e nevojshme, atëherë duhet të kërkohet transparencë dhe llogaridhënie nga institucioni përgjegjës.
Pas 13 vitesh drejtim, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë rezultate konkrete, jo thjesht vazhdimësi në detyrë.
Gjirokastra ka plot profesionistë të rinj, të arsimuar dhe të aftë. Institucionet publike nuk duhet të jenë pronë e askujt.
Postet drejtuese duhet të justifikohen çdo ditë me punë, rezultate, transparencë dhe shërbim ndaj qytetarëve.
Familjet në nevojë nuk kanë nevojë për fjalë.
Kanë nevojë për ndihmë.
Dhe pas kaq shumë vitesh, qytetarët kanë të drejtë të pyesin:
KU JANË REZULTATET?
ÇFARË ËSHTË BËRË KONKRETISHT PËR FAMILJET QË JETOJNË NË VARFËRI DHE PAMUNDËSI?
DHE KUSH DO TË MBAJË PËRGJEGJËSI PËR PUNËN E SHËRBIMIT SOCIAL?