2 Tetor, 2026

“SPAK ka zbuluar një vilë të Ballukut në Sardenja, do dalin edhe 11 lokale dhe 4 apartamente luksoze në Tiranë”

 “SPAK ka zbuluar një vilë të Ballukut në Sardenja, do dalin edhe 11 lokale dhe 4 apartamente luksoze në Tiranë”

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, ka deklaruar se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë të domosdoshme, por momenti në të cilin po ndodhin, sipas tij të lë dyshime se nisma e Qeverisë ka për qëllim mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar.

Komentet Prençi i bëri në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report TV, ku propozoi të përjashtohet heqja e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ për të gjithë të pandehurit, veprat penale të të cilëve nuk dënohen më shumë se 5 vite, për të gjithë ata subjekte të veprës penale që punojnë në administratë publike.

“Kodi i Procedurës Penale duhet ndryshuar, por si duhet ndryshuar. Nisma e Qeverisë për ta ndryshuar Kodin e Procedurës në këtë valë të inkriminimit të zyrtarëve të shtetit tingëllon dashakeqe, me qëllime të caktuara për të mbrojtur kupolën politike.

Nëse do e kishin seriozisht, unë deklaroj sot publikisht që për këto vepra penale të përjashtohet heqja e masës së sigurisë dhe dënimi deri në 5 vite për të gjithë ata subjekte të veprës penale që punojnë në administratë publike dhe në shtet. Le të përfitojë ai hajduti i pulave. Le të përfitojë ai që mbjell kanabis”, tha mes të tjerash Prençi.

Duke theksuar se këto ndryshime bëhen për të certifikuar mbrojtjen dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë të shtetit, Prençi tha se SPAK ka zbuluar një tjetër vilë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, këtë herë jashtë Shqipërisë, në Sardenjë.

Ai shtoi se veç vilës janë zbuluar edhe 11 lokale dhe 4 apartamente luksoze në Tiranë.

“Këto ndryshime bëhen për të certifikuar mbrojtjen nga korrupsioni të zyrtarëve të shtetit. Sot në lajmet e fundit ti ke që të ka dalë vilë e Belinda Ballukut jashtë shtetit. Nesër do të bëhet publike.

Do dalin edhe mbi 11 lokale në Tiranë dhe 4 apartamente luksoze. Atëherë zotëri, për kë do të ekzekutohet ajo masa e sigurisë? Për hajdutin e pulave, atë zyrtarin e komunës që është jurist për tenderin? Po përjashtove zyrtarët e lartë të shtetit…

Nëse nuk bëhet kjo që them unë, atëherë kryeministri është avokati i botës së krimit me kollare. Vila e Ballukut është në Sardenja të Italisë. Jo vetëm kjo vilë, nesër do prononcohet SPAK”, shtoi Prençi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *