1 Tetor, 2026

Kush e takoi Ergys Agasin, në burgun e Bradasheshit?

 Kush e takoi Ergys Agasin, në burgun e Bradasheshit?

SPAK ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në burgun e Bradasheshit, ku ndodhet i paraburgosur Ergys Agasi. Burimet e “MaShqip” pranë sistemit të burgjeve bëjnë të ditur se ndërhyrja është kryer në mënyrë të beftë dhe me urdhër të prokurorit, pas dyshimeve se Agasi mund të ketë takuar persona që nuk rezultojnë të autorizuar për ta vizituar.

Sipas burimeve të “MaShqip”, hetuesit kanë kërkuar pamjet që dokumentojnë lëvizjet dhe hyrje-daljet në ambientet ku mbahet Agasi, por edhe hyrjet në burg gjatë periudhës që po verifikohet.

Në qendër të interesit të SPAK, sipas të njëjtave burime, janë personat që kanë hyrë për të takuar Agasin dhe nëse të gjithë kanë pasur autorizimet përkatëse.

Dyshimet janë ngritur pasi janë siguruar informacione se gjatë qëndrimit në paraburgim, Agasi mund të jetë takuar edhe me persona të tjerë, përtej vizitave të lejuara dhe kontakteve të autorizuara në kuadër të procedurave ligjore.

Pikërisht për të verifikuar këto informacione, SPAK ka kërkuar regjistrimet e kamerave të sigurisë. Burimet e “MaShqip” thonë se prokurorët kërkojnë të rindërtojnë lëvizjet: kush ka hyrë në burg, kë ka takuar, sa ka qëndruar dhe mbi çfarë autorizimi është lejuar takimi.

Nëse nga pamjet rezulton se persona të paautorizuar kanë arritur të takojnë Agasin, çështja mund të zhvendosë vëmendjen edhe te personeli i burgut.

Në këtë rast pritet të verifikohet i gjithë zinxhiri që ka lejuar hyrjen, nga punonjësit dhe oficeri përgjegjës i regjimit të brendshëm, te strukturat e Policisë së Burgjeve dhe drejtuesit e institucionit.

Por ka edhe një tjetër detaj që e bën situatën më të pazakontë. Burimet bëjnë të ditur se kjo është hera e dytë që SPAK sekuestron pamjet e kamerave të sigurisë së burgut të Bradasheshit që prej vendosjes së Agasit në qeli.

Kjo tregon se lëvizjet dhe kontaktet e tij brenda institucionit të paraburgimit po ndiqen me interes të posaçëm nga organi i akuzës. “MaShqip” mëson gjithashtu se Ergys Agasi nuk qëndron vetëm në qeli, por e ndan atë me dy persona të tjerë.

Për momentin nuk është e qartë se çfarë kanë treguar pamjet e sekuestruara dhe nëse SPAK ka identifikuar tashmë ndonjë person që dyshohet se ka hyrë pa autorizimin e kërkuar.

Gjithashtu, nuk ka ende një njoftim publik nga SPAK apo Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me sekuestrimin e pamjeve. Por fakti që kamerat janë marrë për herë të dytë ngre një pyetje të fortë: kë dyshon SPAK se ka hyrë për të takuar Ergys Agasin brenda burgut të Bradasheshit?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *