1 Tetor, 2026

“Jam çuditur si Rama nuk e bëri ministër, Ergys Agasin”

 “Jam çuditur si Rama nuk e bëri ministër, Ergys Agasin”

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka folur edhe për Ergys Agasin, duke komentuar raportin e tij me kryeministrin Edi Rama dhe rrugëtimin e tij nga administrata shtetërore drejt biznesit.

I ftuar në podcastin “Të Pashoq” të Pamfletit, Kulla tha se nuk do të ishte e pazakontë që Agasi të kishte pasur njohje me persona brenda institucioneve shtetërore, pasi, sipas tij, ai vetë kishte shërbyer më herët si kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit.

“Mund ta ketë njohur Ergys Agasi, Vlora Hysenin në dhjetëra vende dhe nuk është se ka ndonjë çudi, sepse Ergys Agasi nuk ka qenë gjithmonë jashtë institucioneve shtetërore. Ka qenë kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit, pra nuk ishte një njeri pa lidhje me administratën. Pastaj hyri në rrugën e biznesit. U afrua, siç e ka Rama që afrohet shumë me personazhe të caktuara, dhe e mbështeti. Nuk është i vetmi me të cilin ka ndodhur kështu”, u shpreh Kulla.

Duke vijuar argumentin, eksperti i sigurisë tha se afrimi i Agasit me Ramën kishte qenë i tillë sa, sipas tij, nuk do të ishte habitur nëse kryeministri do ta kishte emëruar edhe ministër.

“Madje unë jam çuditur se si nuk e ka bërë edhe ministër, sepse mund ta bënte ministër. Ergysin, po. Sepse Ergysi ishte kryeinspektor. Sa të tjerë ka marrë Rama nga administrata dhe i ka çuar më lart? Kolegu i Ergysit, Sofjani, sot është ministër i Mjedisit. Kanë qenë me një zyrë, apo me zyra paralele. Pra, nuk është se ka ndonjë çudi”, tha Ilir Kulla.

Gjatë bashkëbisedimit u ngrit edhe çështja e ndikimit që Agasi pretendohet se kishte fituar pa mbajtur një post ministror. Kur iu tha se Agasi kishte dalë “më i pushtetshëm se ministri” dhe se në këto kushte nuk i nevojitej një post i tillë, Kulla e veçoi këtë si një çështje tjetër.

“Po, prandaj po të them. Kjo është një histori më vete tashmë. Ku mund ta ketë njohur nuk ka shumë rëndësi”, u shpreh Kulla.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *