1 Tetor, 2026

Telefoni i Agasit pa kod sigurie, SPAK zbuloi SMS-të me drejtoren e SHISH-it: Biseda për prokurorët dhe çunat “Bad Boys”

 Telefoni i Agasit pa kod sigurie, SPAK zbuloi SMS-të me drejtoren e SHISH-it: Biseda për prokurorët dhe çunat “Bad Boys”

Pas kapjes së Ergys Agasit në zonën e “Plepave” në Durrës, këtij të fundit oficerët e Policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit i kanë sekuestruar një aparat telefonik “iPhone 17”.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se ky mjet elektronik është kthyer shumë shpejt në një “magazinë” informacioni për SPAK-un, pasi telefoni që i është kapur Agasit nuk ishte i pajisur me asnjë kod sigurie.

Kjo ka bërë që brenda një kohe të shkurtër, oficerët e BKH-së dhe prokurorët e SPAK-ut të realizojnë këqyrjen e lirë të aparatit të telefonit, e për pasojë vijimin me procedurën e arrestimit të drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe dy personave të tjerë përgjegjës sektori në Policinë Shkencore, Fatjon Kalluçit, si dhe menaxherit të lokalit “Kodra e Kuajve”, Embro Sulejmani.

Ndërsa dy telefonat e tjerë “iPhone 17” të kapur personit tjetër në makinë, Uljan Shpatarakut, kanë qenë të pajisur me kode sigurie dhe ende nuk janë hapur nga ana e ekspertëve kibernetikë të Prokurorisë së Posaçme.

Siç mësohet nga burime të sigurta brenda SPAK-ut, në telefonin e Agasit nuk janë gjetur vetëm biseda me drejtoren e SHISH-it, Vlora Hyseni, por edhe dhjetëra biseda me personazhe mjaft të njohur të botës së krimit, që janë shpallur në kërkim nga SPAK-u në Fier, Vlorë, Durrës, Elbasan, Tiranë, Fushë-Krujë.

Nga këqyrja e bisedave telefonike, Agasit i janë gjetur edhe biseda të ndryshme për drejtorë policie dhe për prokurorë të SPAK-ut. Një pjesë të madhe të bisedave Agasi i kishte ruajtur qëllimisht në telefon, për arsye ende të paqarta.

Shumë nga çunat që konsiderohen në Shqipëri si “Bad Boys” dhe që drejtojnë grupe kriminale, Agasi shprehet në bisedat e veta me persona të tjerë se: “…ata janë çunat e tij dhe nën kontrollin e tij…”.

Por ky telefon nuk ka qenë i vetmi që i është kapur Agasit, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij janë kapur edhe 3 aparate të tjerë telefonikë, duke bërë që në total të shkojë numri në 4 celularë të sekuestruar Ergys Agasit.

Tashmë i gjithë hetimi i SPAK-ut është përqendruar pikërisht në këto 4 aparate telefonike, duke çuar në zbulimin e një “thesari” informacioni që ka në dorë SPAK-u, nga ku u çua drejt arrestit në shtëpi drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, u kontrollua banesa e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe po pyeten disa drejtues të lartë policie.

Deri në këtë fazë ku ndodhet dosja penale, numri i personave nën hetim është rritur, duke filluar nga Ergys Agasi, Daniel Shima, Ermal Beqiri, Vlora Hyseni, Mirlinda Karçanaj, Gëzim Hoxha, Andis Papa, Elison Jorxhi, Hava Delibashi, Emirton Suli, Embro Sulejmani, Fatjon Kalluçi etj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *