“Në Kukës nuk e imagjinojmë këtë” – Shqiptari rrëfen anën e errët të “Vegasit të Veriut”
Dritat vezulluese të iluminimeve të Blackpool-it shkëlqejnë nën kullën dhe sallën e famshme të vallëzimit të qytetit. Përgjatë bregdetit, tabelat me neon, pub-et, klubet, sallat e lojërave dhe atraksionet turistike vazhdojnë të krijojnë atmosferën që i ka dhënë këtij resorti britanik nofkën “Vegasi i Veriut”.
Por vetëm pak rrugë larg shëtitores turistike, panorama ndryshon.
Pas zonës ku atraksione si Sea Life dhe Madame Tussauds ndihmojnë në tërheqjen e rreth 21.5 milionë vizitorëve në vit, gjenden dyqane dhe kafene të braktisura, bujtina të mbyllura, ish-hotele të degraduara dhe ndërtesa të dëmtuara nga zjarret.
Sipas një reportazhi të gazetës britanike The Sun, të dhënat zyrtare tregojnë se në Blackpool ndodhen rreth 1,500 prona bosh, një ndër nivelet më të larta të raportuara për qytetet në Mbretërinë e Bashkuar.
Problemi vjen në një moment të rëndësishëm për resortin, i cili është mes nëntë kandidatëve të përzgjedhur për t’u shpallur Qyteti i Kulturës i Mbretërisë së Bashkuar për vitin 2029.
Dyshekë, shiringa dhe ndërtesa të mbyllura
Gjatë vizitës në qytet, gazetarët e The Sun raportuan se kishin parë dyshekë të ndotur, mobilie të hedhura, mbeturina, kanaçe bosh birre dhe shiringa të përdorura pranë hoteleve dhe bujtinave të braktisura. Grafitet mbulojnë disa prej dyerve të bllokuara dhe mureve të degraduara, ndërsa në ndërtesa të tjera dritaret janë thyer.
Banorët thonë se situata bëhet veçanërisht e dukshme gjatë dimrit, kur numri i turistëve bie. Një banor i tha gazetës se mjafton të largohesh nga zona kryesore turistike për të parë një realitet krejt tjetër, ndërsa disa prona kanë qëndruar bosh prej dekadash.
Disa ndërtesa janë dëmtuar rëndë nga zjarret. Sipas reportazhit, në raste të ndryshme zjarret janë lidhur me vandalizmin, ndërsa prona të tjera janë përdorur nga grupe kriminale për kultivimin e kanabisit, duke përfshirë raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Një nga rrugët që përballet më shumë me problemin është Central Drive. Sipas Këshillit të Blackpool-it, rreth 30 për qind e hapësirave tregtare në këtë zonë janë bosh. Në rrugë shihen korniza dritaresh të dëmtuara, fasada të degraduara dhe ndërtesa me probleme strukturore.
Ish-hoteli Pennine është një prej shembujve më të dukshëm. Ndërtesa ka mbetur pa dritare, ndërsa muret e brendshme janë ekspozuar dhe mbajnë gjurmët e zjarrit.
“Duam që Blackpool të bëhet sërish Blackpool”
Dawn Savage, 55 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj Steve, 60 vjeç, drejtojnë bujtinën Shining Diamond. Ata kërkojnë prej kohësh që një ndërtesë pranë pronës së tyre të shembet.
Një tjetër ish-hotel pranë tyre, në Havelock Street, u dogj në vitin 2024. Sipas The Sun, ndërtesa po përdorej në atë periudhë për kultivimin e kanabisit.
Savage, e cila kalonte pushimet familjare në Blackpool që kur ishte fëmijë, tha se shqetësimi më i madh lidhet me sigurinë. Ajo tregoi se kishte parë fëmijë duke luajtur në ndërtesa të braktisura, pavarësisht gardheve që synojnë të pengojnë hyrjen.
Në një rast, sipas saj, një fëmijë rreth 13 ose 14 vjeç kishte ecur mbi një dërrasë jashtë një ndërtese.
“Është shumë e rrezikshme,” tha ajo. Savage tha gjithashtu se persona të pastrehë dhe përdorues droge strehohen në disa prej pronave të braktisura.

Ajo përmendi ish-hotelin Dukeries, pranë Winter Gardens, ku tha se kishte parë persona që ngrinin tenda jashtë ndërtesës, përdornin drogë dhe kryenin nevojat personale në shkallët e saj. “Ne thjesht duam që Blackpool të bëhet sërish Blackpool,” tha Savage. Sipas saj, resorti vazhdon të jetë një destinacion i mirë për pushime dhe tërheq shumë vizitorë, por ka nevojë për përmirësime.
Ish-klubi i natës u kthye në plantacion kanabisi
Problemi i përdorimit të ndërtesave bosh për aktivitete kriminale nuk është i ri. Pesë vjet më parë, policia zbuloi një plantacion kanabisi të shtrirë në tri kate të ish-Central Club.
Sipas vlerësimit të raportuar nga The Sun, kanabisi i kultivuar aty kishte një vlerë potenciale prej rreth 1 milion paundësh. Central Club kishte qenë dikur një prej lokaleve të njohura të jetës së natës në Blackpool.
Përfaqësues të bizneseve në Blackpool pretendojnë se një pjesë e ndërtesave problematike janë në pronësi të konsorciumeve dhe investitorëve të pasur të huaj. Sipas tyre, disa investitorë mund t’i përballojnë kostot e mbajtjes së pronave bosh për vite, duke pritur që çmimet të rriten.

Gerard Walsh, i cili drejton hotelin Tudor Rose, tha se disa investitorë blejnë prona me çmime të ulëta dhe i lënë pa u zhvilluar derisa të krijohet një mundësi më e mirë për shitje. Sipas tij, nëse zona përmirësohet dhe vlera e pronave rritet, investitorët mund t’i shesin ato me fitim.
Walsh kritikoi gjithashtu autoritetet lokale, duke argumentuar se këshilli ka kompetenca për t’u kërkuar pronarëve riparimin ose shembjen e ndërtesave, por nuk i ka përdorur ato sa duhet.
Ai tha se disa prona kanë qëndruar bosh prej dekadash. Walsh ngriti gjithashtu çështjen e taksave të biznesit, duke argumentuar se pronat që nuk përdoren nuk sjellin të njëjtat të ardhura për zonën.
Shqiptari nga Kukësi: Ka shumë të pastrehë
Problemi i të pastrehëve është një tjetër aspekt i krizës sociale në qytet.
Astrit Hamzaj, 56 vjeç, një punëtor çatie me origjinë nga Shqipëria, tha se sheh shpesh persona të pastrehë duke qëndruar në ndërtesat bosh. “Ka shumë të pastrehë këtu,” tha ai për The Sun.
Hamzaj përmendi edhe vendlindjen e tij, Kukësin. “Vij nga një qytet në Shqipëri që quhet Kukës, ku njerëzit as që do ta mendonin të lypnin në rrugë. Është e tmerrshme këtu,” tha ai.

Sipas shifrave të cituara në reportazh, në Blackpool regjistrohen rreth 18 persona për çdo 100 mijë banorë që kërkojnë ndihmë lidhur me të pastrehët, krahasuar me rreth shtatë për 100 mijë në pjesën tjetër të Anglisë.
Nga bujtina turistike në banesa me shumë qiramarrës
Çmimet relativisht të ulëta të dhomave kanë tërhequr drejt Blackpool-it njerëz nga zona të tjera përreth.
Në të njëjtën kohë, shumë hotele të vogla dhe bujtina tradicionale janë shndërruar në HMO – Houses in Multiple Occupation, pra banesa ku jetojnë disa persona ose familje që ndajnë ambiente të përbashkëta.

Këshilli i Blackpool-it pranon se një pjesë e ish-bujtinave, të cilat nuk kërkohen më në të njëjtën masë nga turistët, nuk janë rikthyer në banesa familjare të përshtatshme. Shumë prej tyre janë ndarë në njësi më të vogla banimi.
Problemet me pronat lidhen edhe me situatën më të gjerë ekonomike.
Blackpool renditet rregullisht ndër zonat më të privuara ekonomikisht në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas shifrave të cituara nga The Sun, rreth dy të pestat e lagjeve të qytetit përballen me varfëri.
90 milionë paundë për të ndryshuar Central Drive
Autoritetet lokale kanë hartuar një projekt të madh rigjenerimi për Central Drive. Këshilli i Blackpool-it planifikon të investojë rreth 90 milionë paundë për shembjen e ndërtesave të degraduara, krijimin e hapësirave të gjelbra dhe ndërtimin e 230 banesave të reja.

Por projekti nuk i zgjidh automatikisht problemet e të gjitha ish-kafeneve, dyqaneve, hoteleve dhe bujtinave të braktisura që ndodhen në pjesë të tjera të qytetit. Ian White, drejtor i StayBlackpool, organizatë që përfaqëson sektorin e mikpritjes në qytet, tha se autoriteti lokal duhet të bëjë më shumë për pronat tregtare bosh në të gjithë resortin.
Plani i rigjenerimit ka krijuar një tjetër debat. Autoritetet po përdorin procedura të blerjes së detyrueshme për disa prona në rrugët pranë zonës së projektit. Banorët kundërshtarë të planit argumentojnë se paratë duhet të përdoren për rinovimin e rreth 300 shtëpive, jo për shembjen e tyre.
Familje në zonën Revoe, pranë plazhit dhe Central Drive, thonë se po detyrohen të largohen nga shtëpitë. Shumë banorë janë zhvendosur pasi kanë marrë oferta prej rreth 110 mijë paundësh për pronat e tyre. Por disa banorë të Rydal Avenue nuk duan ta pranojnë marrëveshjen.
“Kam jetuar këtu 44 vjet”
Janet Tansey, 77 vjeçe, e cila ka probleme me shikimin pas një goditjeje në tru, jeton me partnerin e saj Laurie Whitton, gjithashtu 77 vjeç.
Ajo tha se nuk sheh probleme të tilla me shtëpitë që do të justifikonin shembjen e tyre. “Kam jetuar këtu 44 vjet dhe këtu kam rritur dy fëmijët e mi,” tha Tansey. Sipas saj, këshilli duhet t’i rinovojë këto shtëpi dhe pjesën tjetër të parave ta përdorë për rehabilitimin e pronave të degraduara në zona të tjera të Blackpool-it. Ndërkohë, autoritetet po vendosin fletë çeliku mbi dyert dhe dritaret e shtëpive të boshatisura për të penguar hyrjen e personave të paautorizuar.
Paul Kimberlin, një ish-kujdestar social, tha se kjo e bën zonën të duket edhe më e degraduar. Ai tha se kishte parë disa prona alternative që mund t’i blinte me shumën e ofruar nga autoritetet, por sipas tij ato nuk ishin aq të qëndrueshme sa shtëpia ku jeton aktualisht.

Këshilli: Pronat bosh tërheqin sjellje antisociale
Këshilli i Blackpool-it pranoi se qyteti ka pjesën e tij të konsiderueshme të pronave bosh dhe se ato mund të kthehen në problem për lagjet. Sipas autoritetit, ndërtesat e braktisura mund të tërheqin sjellje antisociale dhe trajtimi i tyre është një prioritet.
Këshilli tha se përdor një kombinim të masave ligjore, komunikimit me pronarët dhe mbështetjes për t’i rikthyer pronat në përdorim. Megjithatë, jo çdo pronë bosh përfaqëson një problem afatgjatë.
Sipas autoritetit, shumica qëndrojnë të pabanuara vetëm për periudha të shkurtra, për shembull gjatë procesit të shitjes ose ndërsa zhvillohen punime.
Por një numër i konsiderueshëm kanë mbetur bosh për një kohë të gjatë. Në disa raste, vonesat lidhen me procedurat e trashëgimisë. Pronat tregtare mund të paraqesin probleme edhe më komplekse.
Këshilli tha se disa prej tyre kanë histori të ndërlikuara pronësie dhe janë shitur disa herë pa përfunduar procedurat e nevojshme për regjistrimin ligjor të pronarit. Kjo, sipas autoritetit, e vështirëson marrjen e masave, pasi fillimisht duhet identifikuar pronari ligjor.
Kur pronat private ose tregtare lihen bosh dhe degradohen, këshilli thotë se përdor kompetencat ligjore për të përshpejtuar riparimet ose, në raste të caktuara, për të detyruar shitjen.
Autoriteti ka krijuar gjithashtu një politikë të shitjes së detyruar, e cila mund të përdoret për rikuperimin e borxheve dhe transferimin e disa prej pronave më problematike te pronarë të rinj që mund t’i rinovojnë.
“Zgjedhja është mes menaxhimit të rënies dhe një lagjeje të re”
Kryetarja e Këshillit të Blackpool-it, Lynn Williams, tha se projekti për Central Drive synon rikthimin e zonës në periudhën e saj më të mirë.
Sipas saj, zona është e treta më e privuar në vend. Williams tha se debati shpesh paraqitet si një zgjedhje mes shembjes dhe rinovimit, por sipas këshillit çështja është më e gjerë.
“Zgjedhja është mes vazhdimit të menaxhimit të rënies dhe krijimit të një lagjeje me shtëpi moderne, kopshte, hapësira të gjelbra, rrugë më të sigurta dhe mundësi që njerëzit tanë të ecin përpara,” tha ajo.
Ajo shtoi se përgjegjësia e autoriteteve nuk kufizohet vetëm te problemet e sotme, por përfshin krijimin e një lagjeje më të mirë për brezat e ardhshëm. Williams pranoi gjithashtu ndjeshmërinë e procesit, duke theksuar se këshilli është plotësisht i vetëdijshëm se bëhet fjalë për shtëpitë e njerëzve.
Sipas saj, banorët e prekur kanë marrë mbështetje gjatë procesit.
Blackpool kërkon titullin Qyteti i Kulturës 2029
Kontrasti mbetet i fortë. Në njërën anë janë ndërtesat bosh, problemet sociale dhe projekti i diskutueshëm i rigjenerimit. Në anën tjetër, Blackpool vazhdon të jetë një nga destinacionet turistike më të njohura të Britanisë.
Qyteti është një prej nëntë kandidatëve të përzgjedhur për titullin Qyteti i Kulturës 2029.
Numri i vizitorëve është rritur gjatë viteve dhe autoritetet e bizneset kanë investuar në aktivitete dhe atraksione të reja.

Mes tyre janë spektakli i përvitshëm ajror, kampionati i fishekzjarrëve, një atraksion i ri i bazuar te personazhi Gruffalo me vlerë 2.3 milionë paundë, si edhe modernizimi i lojërave në parkun e famshëm Pleasure Beach.
Edhe programi i BBC-së Strictly Come Dancing e viziton çdo vit sallën e famshme të vallëzimit të Blackpool-it, duke e mbajtur qytetin të lidhur me industrinë britanike të argëtimit.
Pavarësisht sfidave, shumë vizitorë vazhdojnë të kenë lidhje të forta me resortin dhe kujtimet e pushimeve të fëmijërisë. Një nënë e intervistuar nga The Sun tha se qyteti mund të duket i degraduar në disa zona, por ende ruan një lloj tërheqjeje për familjet që janë rritur duke ardhur aty.
Sipas saj, të rriturit mund t’i vërejnë ndërtesat e dëmtuara dhe problemet e qytetit, ndërsa për fëmijët pushimet vazhdojnë të lidhen kryesisht me diellin, lojërat, sallat e argëtimit dhe ëmbëlsirat tradicionale të Blackpool-it.
Dhe pikërisht ky është kontrasti me të cilin përballet sot “Vegasi i Veriut”: një resort që vazhdon të tërheqë miliona vizitorë nën dritat e tij të famshme, ndërsa vetëm pak rrugë më tej përpiqet të rikthejë në jetë qindra prona të braktisura dhe disa prej lagjeve më të varfra të vendit.