28 Shtator, 2026

“Një duarshtrëngim në momentin e gabuar”

 “Një duarshtrëngim në momentin e gabuar”

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul takoi këtë fundjavë ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Ky ishte takimi i parë i një kryediplomati gjerman me homologun rus që prej se Rusia nisi luftën e gjerë kundër Ukrainës më 2022.

Wadephul tha se “me kundërshtarë duhet negociuar”. Jo të gjithë mendojnë kështu. Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) thekson në një koment se ministri i Jashtëm gjerman ia shtrëngoi dorën kryediplomatit rus në një moment të gabuar.

“Asnjë rezultat pozitiv, asnjë gatishmëri për negociata, e madje nuk bëhet fjalë as për lëshime të natyrës së marrëveshjes së mëparshme për drithërat, të ndërmjetësuar nga Turqia. Vetëm Lavrovi mori diçka: fotografi duke shtrënguar duart dhe rastin për të përqeshur kryediplomatin e Gjermanisë”.

Gazeta e kritikon këtë takim edhe për arsye se javëve të fundit Rusia me të drejtë është cilësuar si shkaktare e sulmeve të rrezikshme në Europë.

Një shkak për këtë takim, sipas FAZ, mund të jetë forcimi i së djathtës në Gjermani. Partia “Alternativa për Gjermaninë” kërkon afrim me Rusinë, ndëshkim të Ukrainës dhe distancim nga Bashkimi Europian. Takimi i Wadephul me Lavrovin i ngjan një përpjekjeje të dëshpëruar për të qetësuar të djathtën agresive. (E.R)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *