“Gjenerali i Zi”, Vlora Hyseni dhe hija rumune mbi shërbimet sekrete shqiptare
Vlora Hyseni, ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, raportohet se është trajnuar nga Florian Coldea, ish-numri dy i inteligjencës rumune, i njohur në media si Gjenerali i Zi dhe ish-këshilltar i kryeministrit Edi Rama.
Sipas raportimeve të mediave rumune, Hyseni dhe Coldea kanë pasur marrëdhënie të afërta profesionale gjatë periudhës kur punonin pranë kryeministrit shqiptar. Madje, disa burime pretendojnë se për një periudhë kanë ndarë të njëjtën zyrë.
Pretendimet shkojnë edhe më tej.
Coldea dyshohet se ka marrë pjesë në përgatitjen operative të Hysenit, ndërsa raportimet përmendin udhëtime dhe takime të përbashkëta jashtë Shqipërisë, përfshirë periudhën pasi ajo mori drejtimin e SHISH-it.
Media rumune i ka kërkuar Coldeas një koment, por në momentin e publikimit nuk kishte marrë përgjigje.
Por kush është ky Gjeneral i Zi?
Florian Coldea ka qenë një nga njerëzit më me ndikim në inteligjencën rumune. Për vite me radhë mbajti postin e zëvendësdrejtuesit të parë të Shërbimit Rumun të Inteligjencës, përpara se të largohej nga institucioni në vitin 2017.
Më pas, gjenerali u shfaq edhe në Shqipëri, si këshilltar i kryeministrit Edi Rama.
Por emri i tij është përfshirë në një dosje të rëndë penale në Rumani.
Në korrik 2025, prokuroria rumune kundër korrupsionit e dërgoi në gjyq së bashku me ish-gjeneralin Dumitru Dumbravă, avokatin Doru Trăilă dhe biznesmenin Dan Tocaci.
Akuzat përfshijnë krijimin e një grupi të organizuar kriminal, trafik ndikimi, ushtrim të paligjshëm të veprimtarive profesionale dhe pastrim parash.
Sipas prokurorisë, ish-zyrtarët dyshohet se kanë shfrytëzuar marrëdhëniet dhe ndikimin e krijuar gjatë karrierës së tyre në institucionet e sigurisë për të siguruar përfitime financiare.
Një nga episodet e hetimit lidhet me biznesmenin rumun Cătălin Hideg.
Sipas akuzës, të përfshirët në këtë çështje i kanë kërkuar biznesmenit fillimisht 700 mijë euro, plus TVSH, duke pretenduar se mund të ndikonin te magjistratët për t’i siguruar një rezultat të favorshëm në procesin e tij penal.
Shuma më pas dyshohet se u ul në 600 mijë euro, ndërsa prokuroria pretendon se u pagua edhe një këst prej rreth 100 mijë eurosh.
Në gusht 2026, Gjykata e Apelit e Bukureshtit konfirmoi ligjshmërinë e aktakuzës dhe i hapi rrugën gjykimit. Vendimi mund të ankimohej.
Coldea nuk është shpallur fajtor me vendim përfundimtar.
Tani, historia e gjeneralit rumun rikthehet në Shqipëri, pikërisht për shkak të raportimeve mbi marrëdhënien e tij me ish-drejtuesen e SHISH-it.
Sipas raportimeve të publikuara në Rumani, Coldea mund të ketë ndikuar edhe në organizimin e shërbimit shqiptar pas emërimit Hysenit.
Këtu lindin pyetjet që kërkojnë përgjigje.
Çfarë detyrash konkrete kishte Florian Coldea në Kryeministrinë shqiptare?
Kush e autorizoi përfshirjen e tij dhe në çfarë informacionesh kishte qasje?
A ka marrë pjesë realisht në trajnimin e Vlora Hysenit dhe në organizimin e SHISH-it?
Dhe, nëse raportimet për takimet e tyre jashtë Shqipërisë janë të sakta, në çfarë cilësie janë zhvilluar ato?
Nuk bëhet fjalë për të shpallur fajtorë njerëz mbi bazën e artikujve të gazetave.
Bëhet fjalë për të sqaruar marrëdhëniet institucionale të një ish-gjenerali të huaj, tashmë të akuzuar nga drejtësia rumune, me Kryeministrinë dhe drejtimin e shërbimit sekret shqiptar.
Një gjeneral i huaj mund të largohet nga Shqipëria. Por pyetjet mbi rolin, ndikimin dhe përgjegjësitë e tij institucionale mbeten.
Dhe përgjigjet nuk duhet të jenë sekret për publikun vetëm sepse dikur bëhej fjalë për shërbimet sekrete.