28 Shtator, 2026

Rihapet pas 27 vitesh dosja e vrasjes së gazetares së BBC-së, dyshimet çojnë te serbi “Legija”

 Rihapet pas 27 vitesh dosja e vrasjes së gazetares së BBC-së, dyshimet çojnë te serbi “Legija”

Policia britanike ka rihapur hetimet për vrasjen e prezantueses së BBC-së, Jill Dando, 27 vite pas krimit që vijon të mbetet i pazbardhur. Hetuesit po rishqyrtojnë provat e mbledhura në atë kohë, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë, në përpjekje për të identifikuar një person të dyshuar që u filmua pak pas vrasjes.

Në fokus të hetimit të ri janë pamjet e regjistruara pranë stacionit të metrosë Putney Bridge në Londër, ku një person i dyshimtë ishte filmuar rreth 20 minuta pas momentit kur Dando ishte qëlluar për vdekje pranë banesës së saj.

Përparimet në teknologjinë e përpunimit dhe përmirësimit të imazheve CCTV u kanë dhënë hetuesve mundësinë që të rishqyrtojnë materialin origjinal me një cilësi më të lartë, me shpresën se mund të përcaktohet më qartë identiteti i personit të filmuar.

Rihapja e kësaj piste vjen pas një investigimi trevjeçar të gazetës “Mirror”, e cila ka ngritur dyshime se personi i regjistruar në pamjet e kamerave mund të ketë ngjashmëri me Milorad Ulemekun, i njohur me nofkën “Legija”, ish-pjesëtar i Legjionit të Huaj Francez dhe një figurë e njohur e strukturave paramilitare serbe.

Dy dëshmitarë kanë deklaruar më herët për “Mirror” se besojnë se personi që panë pranë vendit të vrasjes mund të ketë qenë Ulemeku. Ndërkohë, një analist i videove forenzike ka evidentuar ngjashmëri mes personit të filmuar dhe Ulemekut, duke përmendur formën e gojës, mjekrën, vijën e flokëve, hundën dhe veshin.

Megjithatë, deri tani nuk ka prova publike që e lidhin Ulemekun me vrasjen e Jill Dandos dhe dyshimi mbetet një nga pistat e raportuara në kuadër të investigimit mediatik.

Jill Dando, 37 vjeçe, u vra më 26 prill 1999. Ajo u qëllua me një plumb në kokë teksa po hynte në banesën e saj në Fulham të Londrës.

Në atë periudhë, Britania e Madhe dhe NATO po zhvillonin sulme ajrore kundër Jugosllavisë. Një ditë pas vrasjes, BBC-ja mori një telefonatë ku pretendohej se krimi ishte kryer si hakmarrje për bombardimet ndaj Serbisë. Megjithatë, hetuesit dyshuan se telefonata mund të ishte një mashtrim dhe nuk u konsiderua si provë që shpjegonte autorësinë e krimit.

Barry George u dënua për vrasjen në vitin 2001 dhe kaloi tetë vite në burg. Dënimi i tij u anulua më vonë dhe, pas rigjykimit në vitin 2008, ai u shpall i pafajshëm.

Ndërkohë, Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”, aktualisht po vuan një dënim 40-vjeçar në Serbi për përfshirjen në vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq.

Policia Metropolitane britanike vijon hetimet për vrasjen e Dandos, ndërsa përdorimi i teknologjive të reja për përmirësimin e pamjeve CCTV shihet si një mundësi për të rishqyrtuar një nga provat që prej vitesh nuk ka mundur të çojë në identifikimin përfundimtar të autorit.

Pas 27 vitesh, hetuesit shpresojnë që përmirësimi i pamjeve dhe rishqyrtimi i materialeve të vjetra të mund të sjellin një të dhënë të re për një prej vrasjeve më të bujshme dhe ende të pazbardhura në Britani.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *