“Janë porositur persona për të vrarë Ahmetajn jashtë vendit”
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.
Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, Këlliçi pretendoi se ndaj Ahmetajt janë porositur persona për ta vrarë jashtë Shqipërisë.
Duke folur për zhvillimet politike dhe hetimet e SPAK-ut, Këlliçi tha se Ahmetaj është kërcënuar, duke përmendur edhe familjen e tij.
Ai pretendoi gjithashtu se pas këtyre kërcënimeve mund të ketë pasur një plan për eliminimin e ish-zyrtarit jashtë vendit.
“Ne nuk kemi pasur kohë të analizojmë deklarimet shumë të forta të zotit Ahmetaj, të cilit i është kërcënuar edhe familja, të cilin e ka kërcënuar Edi Rama rregullisht dhe për të cilin flitet se ka porositur edhe persona për ta ekzekutuar jashtë vendit. Dhe këtu mbaj përgjegjësi për këto që po ju them”, deklaroi Këlliçi.
Më tej, ai paralajmëroi zhvillime të tjera lidhur me çështjen e inceneratorëve, duke përmendur edhe emrin e Mirel Mërtirit. Këlliçi tha se pret që të bëhen publike të dhënat mbi pagesat e kryera për inceneratorin e Tiranës dhe personat që, sipas tij, kanë përfituar prej tyre.
“Kam përshtypjen që po na vjen një skandal shumë i madh tjetër. Po na vjen Mirel Mërtiri, kam përshtypjen, dhe po na vjen skandali i inceneratorëve. Do të dalin të gjitha pagesat që janë dhënë për inceneratorin e Tiranës. Kush kanë marrë? Përfshirë në politikë, përfshirë në media, përfshirë në grupe interesi, kudo”, tha ai.
Këlliçi e lidhi deklaratën e tij me akuzat që opozita ka ngritur ndaj qeverisë dhe me dosjet që, sipas tij, janë referuar pranë SPAK-ut. Ai tha se Partia Demokratike ka depozituar materiale për një sërë çështjesh që janë bërë objekt hetimi.
“Të dalin të gjitha të dhënat, faktet, provat, dokumentet se kush janë zyrtarët dhe këtë po e them majtas-djathtas, kudo, që kanë marrë para. Do të ishte mirë që ky shërbim t’i bëhej këtij vendi”, u shpreh Këlliçi.
Ai përmendi ndër të tjera dosjet që, sipas tij, PD-ja ka depozituar për Belinda Ballukun, tunelin, hidrocentralet, Erion Veliajn, Olsi Ramën, AKSHI-n dhe Vlora Hysenin. Këlliçi tha se opozita mund të denoncojë dhe të depozitojë dokumente, ndërsa hetimi dhe verifikimi i tyre u takon institucioneve përkatëse.
“Në asnjë moment askush nuk ka të drejtën legjitime të godasë opozitën dhe të thotë që PD-ja është njëlloj si PS-ja. Se, të mos ishte për PD-në, asnjë nga këto dosje nuk do të ishte sot në SPAK. Kur je në opozitë, fjalën e ke dhe firmën mbi dokumente”, deklaroi Këlliçi.