Rusia ndryshon mënyrën se si spiunon Britaninë
Përballja e spiunazhit mes Rusisë dhe Britanisë, një rivalitet me rrënjë më shumë se një shekullore, po hyn në një fazë të re, ndërsa Moska po ndryshon edhe mënyrën se si rekruton njerëzit që mund të përdoren në operacionet e saj.
Artikulli është pjesë e një serie të re të i Paper, në të cilën ish-korrespondenti në Moskë, James Rodgers, analizon kërcënimin rus ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe mënyrën se si Britania po përpiqet t’i kundërpërgjigjet.
Sipas Rodgers, marrëdhëniet gjithnjë e më konfrontuese mes Moskës dhe Londrës kanë shtuar kërcënimin nga operacionet ruse të inteligjencës, por kanë ndryshuar edhe natyrën e tyre.
Në të kaluarën, agjentët ndaheshin kryesisht në dy kategori: ata që vepronin nën mbulim diplomatik dhe të ashtuquajturit “ilegalë”, të dërguar jashtë vendit me identitete të rreme dhe të trajnuar për vite për t’u integruar në shoqëritë ku do të vepronin.
Tani po shfaqet një kategori tjetër: persona të rekrutuar në internet për të kryer operacione të veçanta.
Ata kushtojnë më pak për t’u menaxhuar dhe mund të jenë më të vështirë për t’u gjurmuar sesa rrjetet tradicionale të inteligjencës.
Nga agjentët profesionistë te rekrutimi online
Një shembull ishte sulmi me zjarrvënie ndaj një magazine në lindje të Londrës në vitin 2024, ku ruheshin furnizime për Ukrainën.
Operacioni ishte organizuar nga një person që kishte vendosur kontakte përmes Telegramit me Wagner, organizatën mercenare ruse. Gjashtë persona po vuajnë dënime të gjata me burg për rastin.
Për Andrei Soldatov, ekspert i shërbimeve ruse të inteligjencës, ky model mund të mos jetë kërcënimi i vetëm që po shfaqet.
Ai paralajmëron për mundësinë që veteranët e luftës së Rusisë në Ukrainë të përdoren në operacione të ardhshme.
“Këta njerëz, për nga vetë natyra e tyre, do të ishin shumë më agresivë dhe do të shqetësoheshin shumë më pak për rreziqet që marrin”, tha Soldatov.
Vetë Soldatov, i cili jeton jashtë Rusisë, u dënua në mungesë me katër vjet burg në mars, pasi shteti rus e kishte shpallur më parë “agjent të huaj”.
Një rivalitet i vjetër
Dyshimi mes shërbimeve ruse dhe britanike shkon pas më shumë se një shekulli, që nga përpjekjet e huaja kundër regjimit bolshevik pas revolucionit të vitit 1917 dhe më pas gjatë Luftës së Ftohtë.
“Është ndoshta një nga temat më emocionale në historinë e inteligjencës ruse”, tha Soldatov.
Ai përmend Kim Philby, oficerin britanik të inteligjencës që spiunonte për Bashkimin Sovjetik, si një figurë që vazhdon të ketë një status të veçantë në historinë e shërbimeve ruse.
“Kim Philby është ende heroi më i madh i inteligjencës ruse”, tha ai.
Marrëdhëniet u përmirësuan pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe gjatë viteve të para të Vladimir Putinit, por aktiviteti i inteligjencës nuk u ndërpre.
Pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022, marrëdhëniet Londër-Moskë u përkeqësuan ndjeshëm. Në vitin 2024, Britania dëboi atasheun rus të mbrojtjes, të cilin qeveria e përshkroi si një “oficer të padeklaruar të inteligjencës ushtarake”.
Por dëbimi i diplomatëve po bëhet një instrument më pak i mjaftueshëm në një epokë kur operacionet mund të kryhen nga persona pa lidhje formale dhe të rekrutuar përmes internetit.
Pikërisht këtu qëndron ndryshimi kryesor: përballja e inteligjencës mes Rusisë dhe Britanisë nuk po bëhet vetëm më intensive. Po ndryshon edhe profili i njerëzve që mund të përdoren për ta zhvilluar atë.