“Ka goditur shtetin, po merr përmasat e një puçi”- Analistët pranë Qeverisë, sulm frontal kundër SPAK
Analisti Arben Meçe, duke komentuar nxjerrjen e përmbajtjeve së dosjes ndaj ish-kryetares së SHISH, u shpreh se kjo është strategji që është përdorur nga Prokuroria e Posaçme edhe në raste e tjera.
Ai theksoi se shkëputja e disa pjesëve nga përmbajtja është strategji për të denigruar personat, që po hetohen.
Sipas tij, SPAK duhet të hetojë prokurorët, të cilët kanë nxjerrë përmbajtjen e dosjes në media.
“Është e njëjta strategji, që nuk e shoh vetëm sot. SPAK në 900 e ca regjistrime, nxjerr 5 denigruese, është strategji kjo. SPAK duhet të bëjë dy veprime. Së pari të dalë të përgënjeshtrojë se nuk janë të vërteta, së dyti të fillojë hetimin e dy prokurorëve, të cilët me zë dhe figurë nga gazetarët flasin që kanë nxjerrë sekretin. Goditje me strategji të qartë e SHISH në Republikën e Shqipërisë”, tha ai për ABC News.
Gjatë diskutimit në studio, analisti Martin Leka tha se SPAK po luan rolin e portaleve duke publikuar mesazhe me histori rozë. Sipas Lekës, SPAK duhet të merret me çështje madhore, siç është dosja e 21 janarit.
“SPAK ka marrë rolin e portaleve apo algoritmeve, për të nxjerrë në skenë disa mesazhe me histori rozë. SPAK të japë përgjigje për 21 janarin”, tha ai.
Meçe tha se SPAK-u ka goditur shtetin dhe po merr përmasat e një puçi. Meçe shtoi se ka një strategji në Shqipëri për të shkatërruar çdo gjë që është ndërtuar. Më tej ai shtoi se nëse nuk ka shërbim shteti, është i rrënuar.
“Këtu u artikulua një shprehje, “SPAK-u u ndërtua të godasë qeverinë”, e lidhi SPAK-un me goditjen e qeverisë, nuk është ky qëllimi i SPAK-ut, është goditja e krimit dhe korrupsionit. Krimi shtetëror e ka zanafillën që në ’91.
Nuk mund të pranoj goditje ndaj një individi ku praktikisht po goditet shteti. SPAK-u ka goditur shtetin dhe merr përmasat e një puçi, është në kundërshtim me ligjin. Po nuk pati shërbim shteti, është i rrënuar”, tha ai për ABC News.
Më tej analisti shtoi se:
U fol për një person që do vijojë të nxjerrë sekrete, edhe po e hoqe nga puna, i ka sekretet. Deri më sot unë arsyetova dy gjëra, siguria e shtetit dhe strategjia e SPAK-ut që hedh gurin dhe fsheh dorën. Ka një strategji në Shqipëri për të shkatërruar çdo gjë që është ndërtuar.”
Analisti Albatros Rexhaj, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi sot publikimin në media të detajeve nga hetimet e SPAK, duke e cilësuar këtë praktikë problematike.
Rexhaj tha se sekreti hetimor duhet të ruhet deri në momentin kur palët e treta njoftohen zyrtarisht nga SPAK.
Sipas tij, publikimi i detajeve të ndryshme mund të krijojë perceptimin e një “gjyqi publik”, përmes të cilit tentohet të bindet opinioni për fajësinë e personave nën hetim.
“Fakti që detaje të ndryshme dalin në media për mua është problematik. Sepse po bën edhe një gjyq ku dëshiron që njerëzit të binden që janë fajtorë”, u shpreh Rexhaj.
Ai u ndal edhe te publikimi i detajeve personale që lidhen me personat e përfshirë në dosje.
“Çfarë fitojmë ne nëse kuptojmë që Vlora dhe Ergysi mund të jenë dashnorë? Fakti që ka raport personal nuk nënkupton që ka dhënë informacione. Nëse SPAK nuk i nxjerr në media që ka dhënë detaje, atëherë të mos nxjerrë edhe detaje personale”, tha Albatros Rexhaj.
Edhe analistët e tjerë pranë Qeverisë, Filip Çakuli, Mero Baze, Frrok Çupi etj, kanë dalë kundër aksionit të SPAK për arrestimin e Vlora Hysenit.