22 Shtator, 2026

Xhaka pranon falsifikimin e certifikatës së COVID-it, Zvicra e ‘përjashton’. Rrezikon 5 vjet burg?

 Xhaka pranon falsifikimin e certifikatës së COVID-it, Zvicra e ‘përjashton’. Rrezikon 5 vjet burg?

Granit Xhaka ka pranuar publikisht se gjatë pandemisë COVID-19 kishte siguruar një certifikatë vaksinimi, e cila nuk pasqyronte vaksinimin real. Kapiteni i kombëtares së Zvicrës e bëri këtë të ditur të hënën përmes një deklarate në Instagram, duke e cilësuar veprimin e tij si “një gabim”.

“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dua të shprehem personalisht”, shkroi Xhaka.

Mesfushori shpjegoi se në atë periudhë kishte pasur dyshime dhe shqetësime të mëdha në lidhje me vaksinën kundër COVID-19.

“Në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19, në atë kohë isha personalisht shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i pushtuar nga frika dhe pasiguria”, vijon deklarata.

Xhaka pranoi se, në vend që të kërkonte përgjigje përmes rrugëve zyrtare, kishte zgjedhur të siguronte një certifikatë vaksinimi.

“Sot e shoh qartë se kjo rrugë nuk ishte e duhura. Ishte një gabim. Më vjen keq. Marr përgjegjësinë për këtë vendim, do të përballem me sqarimin e plotë të çështjes dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente”, deklaroi kapiteni zviceran.

Ndërkohë, Prokuroria e Lucernës po heton çështjen dhe Xhaka pritet të merret në pyetje në fillim të tetorit.

Pasojat kanë prekur edhe kombëtaren zvicerane. Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se Xhaka nuk do të bashkohet me grumbullimin dhe do të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme të Nations League në shtator dhe tetor.

Xhaka rrezikon 5 vjt burg, ose gjobë

Sipas medias zvicerane, pas pranimit publik të Granit Xhakës se ka blerë një certifikatë vaksinimi COVID-19, çështja e tij mund të ketë pasoja penale, por edhe sportive. Çfarë rrezikon Xhaka?

Deri në 5 vite burg rrezikon Xhaka, sipas “Blick”, që i referohet ekspertit zviceran të së drejtës penale André Kuhn, i cili shpjegoi se falsifikimi i dokumenteve (Urkundenfälschung) në Zvicër mund të dënohet me gjobë ose deri në pesë vite burg. Falsifikimi i një certifikate COVID mund të hyjë në këtë kategori, në varësi të asaj që do të përcaktojnë hetimet.

Sipas të njëjtit ekspert, në rast se Xhaka do të shpallej fajtor dhe nuk ka precedentë penalë, mund të përballet me një dënim financiar, i cili mund të jetë me kusht, si dhe me gjobë deri në 10 mijë franga zvicerane. Kjo nuk është një masë e vendosur ndaj tij, por një skenar i shpjeguar nga eksperti për “Blick”.

Xhaka nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të radhës të Zvicrës. Federata dhe lojtari kanë vendosur që ai të mos bashkohet me ekipin për ndeshjet e ardhshme të Nations League, me qëllim që situata të trajtohet jashtë grumbullimit.

Eksperti i cituar nga “Blick” thotë se një procedim penal nuk sjell automatikisht pezullim apo largim nga klubi. Megjithatë, nëse klubi humbet besimin tek lojtari ose çështja prek reputacionin e tij, kontrata mund të ketë pasoja. “Blick” përmend edhe klauzolat e kontratave në Premier League për “gross misconduct” (sjellje të rëndë të pahijshme).

Prokuroria e Lucernës po vijon hetimet. Xhaka pritet të paraqitet më 6 tetor për t’u marrë në pyetje. Pra, rreziku maksimal ligjor është deri në 5 vite burg, por për një person pa precedentë penalë një dënim financiar me kusht dhe gjobë është një nga skenarët e mundshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *