Ganimete Vendresha (Simixhiu), legjenda e baletit shqiptar që themeloi TKOB
Sot kujtojmë 92-vjetorin e lindjes së një prej ikonave themeluese të baletit shqiptar, zonjës së nderuar Ganimet Vendresha.
E lindur në Tiranë, ajo studioi balet klasik dhe koreografi në Akademinë e Baletit të Bolshoi Teatër të Moskës, ku dhe u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Xhemil Simixhiu. Pas 6 vitesh studime, të dy, së bashku me tri balerinë të tjerë që kryen të njëjtin shkollim, u kthyen në Tiranë dhe hapën Shkollën e Parë të Baletit në Shqipëri.
Më pas ishin bashkëthemelues të Akademisë së Arteve, ku dhe punuan si pedagogë, dhe në TKOB ku punuan deri në daljen në pension. Në balet rolet e saj nuk kanë të numëruar si tek Halili dhe Hajria, Romeo dhe Zhuljeta, Liqeni i mjellmave, Delina, Laurencia, Cuca e maleve, Lola, Bijtë e peshkatarit, Fatosi partizan, Carmen, Petja dhe Ujku, Françeska da Rimini, Fadeta, Vallëzimi i popujve, Zhurale e shumë të tjerë
Ganimet Vendresha mban shumë çmime karriere, si edhe tituj të lartë, ndër to ‘Nderi i Kombit, Naim Frashëri dhe Mjeshtër i Madh.Ganimet Vendresha la pas një thesar të madh në baletin shqiptar, themelet e një shkolle që vazhdon trashëgohet edhe sot dhe që e nderon vendin tonë kudo në botë.
Tek të gjithë ata që e njohën la pas kujtimin e një njeriu me shpirt të bukur e të mirë, gjithmonë fjalëmbël dhe e buzëqeshur.
E paharruar qoftë Ganimete Vendresha 1934–2022. (Giseld Dervishi)

