Varri i fshehur i Çerçizit
90- vjetori i mbritjes së eshtrave të Çerçizit në Gjirokastër
Nga Ilir Lluri
Pas largimit të princ Vidit nga Shqipëria edhe Durrësi ra në duart e Esadistëve, Shkodra mbeti i vetmi qytet ku valvitej ende flamuri i Vlorës. Do të mjaftonin dy tri fjali të At. Anton Arapit shkëputur nga fjala e tij përpara eshtrave të Çerçiz Topullit e Muço Qullit, për të skicuar qartazi gjendjen politike të Shqipërisë 112 vite më parë.
Ju mësyt Shkodrën për azil atdhetarizmi, për lamë veprimi, për strehë sigurije. Edhe Shkodra me kënaqësi ju priti e u dha nderimin që u përkiste. Pa dyshim u rreshtoi ndër fatosa të vet, ndër të dekunit e pavdekshëm, krahas Dedë Gjo Lulit e të tjerë sokolash.
Patriotët u mblodhën në Shkodër për të organizuar rezistencën. Nga shtatori 1914 deri në korrik 1915 Çerçizi qëndroi në këtë qytet së bashku me Muço Qullin. (Mustafa Hilmi Leskovikun) i cili do të ribotonte gazetën “Populli”. Ata hynë në qytet të shoqëruar nga një eskortë trimash të kryesuar nga një djalë i Ded Gjo Lulit. Në Shkodër Çerçizi u strehua në shtëpitë e Zef Kojës, Palok Vjerdhës dhe atë të Gjylbegëve.
ATENTATET KUNDËR ÇERÇIZIT
Në Shkodër Çerçizit ju bënë dy atentate. Atentati i parë i organizuar nga përkrahësi i Esat Pashës, Alush Lohja ndodhi rrugës për Kallmet, kur ai po shkonte tek miku i tij Preng Pasha. I dytI ju organizua rrugës për në Malin e Jushit ku e qëlluan me batare dhe i plagosën njerin nga shoqëruesit. Çerçizi u mor në mbrojtje dhe u furnizua me municione nga hanxhiu i hanit të Barbullushit, të cilit i dolën në krah edhe fshatarët. Në qershor u vra nga armiqtë Ded Gjo Luli.
VRASJA
Në 15 korrik 1915 Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit ja dorëzoi qytetin e Shkodrës një komisioni prej 12 vetësh. Forcat malazeze që hynë në qytet arrestuan Çerçizin dhe Muço Qullin. Bajo Topulli i riu në librin e tij “Topullarët e Gjirokastrës” shkruan se ishte tregëtari grek Tozli ai që i bindi forcat malazeze për të vrarë dy patriotët. MomentIn e vrasjes së heroit në fushën e Shtoit e ka përcjellë në kujtimet që i dha Sejfi Vllamasit, dëshmitari Mahmut Golemi.
Ai që kishte veshur rroba bojëhiri bërtiti në mënyrë alarmante, tjetri, një burrë i gjatë dhe i plotë (Çerçizi) i foli:- Mos u trëmb se patriotët kështu e kanë! Ushtarët gjuajtën dhe ai me petka bojëhiri ra dekun, kurse ai tjetri (Çerçizi), tue sha, me një zë luani e me shpejtësi të rrufeshme u hodh mbi ushtarët dhe pa u lënë kohë të qesin të dytën herë, hyni midis tyre dhe erdhi tylafyt me ta për të marrë një pushkë të tyre. Kjo luftë vazhdoi afro një minutë. Në atë përleshje ushtarët pasi gjetën rast për herë të dytë e vranë.
FAMILJA KËRKON ÇERÇIZIN
Në fund të 1915 Kapo Topulli shkoi në Shkodër në kërkim të varrit të Çerçizit. Ai mësoi se përveç Alush Lohjas dhe tregëtarit grek Spiro Tozli, në ngritjen e kurthit ishte përfshirë edhe punonjësi i konsulllatës greke Mihail Kambuluri. Por këto të dhëna nuk e ndihmuan gjithsesi në gjetjen e trupit të vëlllait. Gjatë kthimit për në Gjirokastër, edhe atë e arrestuan dhe e burgosën në Lezhë austriakët. Topullarajt pritën daljen e tij nga burgu që të hapnin dyert e mortit në Gjirokastër. Nënë Hasos ja fshehën të vërtetën, Deri sa vdiq në 1918, ajo nuk e mësoi vrasjen e Çerçizit.
PESHA E NDËRGJEGJES
Në prill 1919 patrioti Kol Bjanku, sekretar i Kadastrës së Shkodrës, i dërgoi gazetës “Kuvendi” këtë shkrim akuzë:
…tuj mos mundun m’e durumun prej varrës randë të zemrës s’eme, po i lajmëroj vllazënve qi në vjetin 1915 Mihalak Kambuluri me dredhime t’veta, bani fli dy ma t’ndershmit atdhetarë, shpirtndriçmit Mustafa Qulli e Çerçiz Topulli.
Bjanku nuk harroi të përmendë gjithashtu se Fejzi Alizoti i njihte shkaktarët e asaj vrasjeje. Por në shtypin e kohës nuk u botua asnjë prononcim i Fejzi Alizotit lidhur me këtë dëshmi. Në gazetën “Populli” Nr. 50 datë 19 janar 1920 një autor anonim shpalosi gjithë peshën e rëndë që kishte hedhur mbi atdhetarët e Shkodrës, vrasja në pabesi e disa patriotëve.
Këtu dhanë jetën e tyne Hasan Riza Pasha, Muço Qulli e Çerçiz Topulli e tash më së mramit Salih Nivica. Ç’nam, ç’mëni e ç’mallkim i të madhit zot paska shkrepë mbi ty moj Shkodër, qi në gjire e humnere t’ueja, u kapërdinjë sa burra, të cilët rrallë i bajnë nanat!
RIKTHIMI NË GJETJEN E VARRIT
Idea për rikërkimin e varrit u shpalos në vitin 1934, gjatë ceremonisë së vendosjes së shtatores së Çerçiçit në Gjjirokastër. Një varg i poezisë së publicistit Petro Marko, e rindezi zjarrin e këtij misioni të harruar. Nuk di, Ku banon ai trup i çelniktë që plumbi e gjeti në vënd shqiptar.
Gjetja e eshtrave
Rolin më të rëndësishëm në gjetjen e varrit, historia ja rezervoi prefektit të Shkodrës Javer Hurshiti. Ai ishte një mik i familjes Topulli dhe shok i Çerçizit që në gjimnazin e Janinës, ndërkohë që përgjatë viteve 1911-1912 kishin jetuar së bashku në Stamboll. Në verën e vitit 1936 në fushën e Shtoit Shkodër, një dëshmitar ndihmoi në gjetjen e vendit të varrit. Vëllai i Çerçizit i njohu eshtrat nga përmasat dhe nga një tokëz e rrypit të mesit. Por një skenë Shekspiriane vijoi më pas, kur Javer Hurshiti pasi mori në duar kafkën e Çerçizit ju drejtua të pranishmëve:
Shikoni këtë dhëmb floriri në kafkën e Çeços. Shikoni tani edhe këtë këtu- vijoi ai duke treguar një dhëmb floriri në gojën e tij. Në vitin 1909 për hir të miqësisë Çerçizi, unë dhe Tefiku, djali i sulltan Reshatit i vumë ato tek një dentist në Stamboll.
Ceremonia e çvarrimit u ndoq nga prefekti Javer Hurshiti, kapiten Nazmi Lumani dhe delegacioni i dërguar nga Gjirokastra. Përcjellja e eshtrave drejt vendlindjes u bë nga Bashkia dhe Prefektura e Shkodrës.
PËRJASHTIMI NGA CEREMONIA E JAVER HURSHITIT
Në ceremoninë e përcjelljes së eshtrave nga Shkodra, do të flisnin Javer Hurshiti si prefekt, kr. i bashkisë, myftiu, Ernest koliqi, Patër Anton Harapi. Por çuditërisht ditën e ceremonisë, mbreti Zog e thirri Javerin në Tiranë dhe i kërkoi llogari që kishte nxjerrë në shesh bandën dhe eskortën e oficerëve. Javer Hurshiti kishte hartuar dhe financuar ndërkohë delegacionin që do të vinte nga Gjirokastra. Në të bënin pjesë Thoma Papapano, Telo Kotro, Beso Gega, Fuat Halimi, Ali Hasho, Jonuz Topulli, Vangjel Karajani, Taqi Zoi, Shemsho Hajro, Enver Hoxha dhe Hasan Dosti. Delegacioni udhëtoi me dy makina të drejtuara nga shoferët, Koço Papazisi dhe Kamber Shameti.
FJALA E At. ANTON ARAPIT
Ndaluni! Ku veni burra?! Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puth në të dyja faqet thekshëm, pa u lëmue të dy krahët përmallshëm, pa derdhë dy pika lotësh mbi eshtën tuej. Eshtna të pamort, u falem! Veç o burra që dekun flitni, nga rreth e rrotull ti bini Shqypnisë, lëshoni at zanin tuej kumbues si të luanëve. Diftoni djelmnisë shqyptare shka u’a ushqeu idealin, shka u’a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm. Diftoni se ka e do të ketë Shqypni, gjersa të kemi e të mbajmë një Zot mbi veti; gjersa në Shqypni pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhohen themeluesit e atdheut, gjersa me shenjtëri të rruhen besa e burrnia. Zotni të ndritshëm! Keni udhë të gjatë. Por para se të niseni eni këtu e mbi këto eshtna simbol ideali, force e bashkimi, ti shtrijmë dorën shoshoqit, Toskë e Gegë, muhamedanë e kristjanë, e me besën e burrave, me besën shqyptare, të lidhemi për ti majtë shqiptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji atdhe të lum, për ta ba Shqypninë e re, të fortë e të madhërishme, të denjë për Skënderbenë.
GJIROKASTRA PRET ESHTRAT E HEROIT KOMBËTAR
Delegacioni me eshtrat e dy të rënëve ndaloi në Berat dhe Këlcyrë ku u organizuan ceremoni homazhi. Nga Këlcyra delegacioni me trupin e Muço Qullit u nis drejt Lekovikut. ndërkohë që delegacioni i gjirokastritëve mbriti në qytet në orën 4.30 të dt. 15 shtator. Delegacioni udhëtoi me dy makina të drejtuara nga Koço Papazisi e Kamber Shameti. Në njerën ishte vëllai i Çerçizit, Jonuz Topulli bashkë me arkivolin, dhe në tjetrën antarët e tjerë të delegacionit. Tregu i qytetit ishte mbyllur dhe populli, autoritetet dhe nxënësit e shkollave me në krye ushtarët dhe bandën muzikore kishin zënë vend në lagjen “Dervish Bej”. Katër oficerë mbanin arkivolin me eshtrat e Çerçizit, ndërkohë që gjatë gjithë rrugës drejt Bashkisë, banda muzikore luajti marshe funebre. Arkivoli u vendos mbi një tavolinë përpara bustit në sheshin e qytetit, i cili ishte zbukuruar me lule dhe me harqe dafinash. Fjalët e rastit u mbajtën nga sekretari i bashkisë Koço Lito dhe drejtori i gazetës “Demokratia” Xhevat Kallajxhi. Në përfundim të ceremonisë, arkivoli u vendos në sallën e madhe të Bashkisë i mbuluar nga një grup i madh kurorash. Paria e Gjirokastrës dërgoi telegrame falënderuese drejt bashkive të qyteteve që organizuan ceremonitë homazh përpara eshtrave të Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit. Ato ishin nënshkruar nga Zv kr.i Bashkisë së Gjirokastrës dhe nga prefekti N.Zoi.
RIVARRIMI I ESHTRAVE
Rrivarimi i eshtrave të Çerçiz Topullit u bë në 27 nëntor 1936, një orë përpara fillimit të ceremonisë festive 24 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Eshtrat që kishin qëndruar mbi dy muaj në sallonin e madh të Bashkisë, u varrosën në krah të varrit të Bajo Topullit, në krye të bregut të lagjes Pallakë. Në ceremoni morën pjesë prefekti, autoritete të klerit, të parisë dhe të popullit. Në të dya anët e rrugës së madhe ishin rreshtuar nxënësit dhe nxënëset e shkollave. Në emër të bashkisë foli arkëtari i saj z. Qemal Kokalari dhe pas tij Xhevat Kallajxhiu. Mbi varr u vendosën kurora me lule.
GJËNDJA EKONOMIKE E FAMILJES TOPULLI
Familja Topulli që i kishte dhënë aq shumë Kombit, jetonte në situatë të vështirë ekonomike. Në një artikull të dt.3 nëntor 1928 redaksia e gazetës “Demokratia” i bënte thirrje Qeverisë Shqiptare, për të ndihmuar gruan e heroit e cila jetonte me një pension prej 40 frangash në muaj. Caktimi i një shpërblimi të mirë për të venë e Çerçiz Topullit është një detyrë kombëtare dhe Qeveria do të dijë ta përmbushë atë. Në 26 nëntor 1928 “Demokratia” shkroi se sipas “Gazetës së Re” qevria i kishte caktuar një shumë prej 150 frangash ari në muaj gruas së Çerçizit. Në dt. 5 janar 1929 “Demokratia” njoftonte se vëllai i heroit, Jonuz Topulli kërkonte punë në shtet. Shtëpia Topulli i ka sjellë shërbime të çmuara atdheut duke sakrifikuar pasurinë e saj, për rilindjen e Shqipërisë. Në fakt në kalvarin e vuajtjeve të pushtuesit Osman kaloi pothuajse e gjithë familja Topulli. Në vite janë arrestuar dhe burgosur në Janinë vëllezërit e Bajos dhe Çerçizit: Kapua, Dauti, Basriu, Mehmeti, Haliti, Jaçja, Seldiu dhe Banushi. Banushi vdiq në burg nga plagët. Çuditërisht qëndrimi i qeverisë së Ahmet Zogut mbeti armiqësor ndaj kësaj familjeje. Mbreti Zog nuk dha asnjë lek për ngritjen e bustit të heroit, ndërkohë që Bajo Topullit themeluesit të “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”, ja dhanë pensionin 25 ditë përpara vdekjes.
DETAJE NGA JETA E HEROIT DHE FAMILJES SË TIJ
Besa, shfaqe teatri në nderim të Çerçizit
Gjatë vizitës që komitët shqiptarë bënë në Bullgari, u ftuan nga shoqëria shqiptare e mërgimit “Dëshira”, për të ndjekur në gjuhën bullgare dramën “Besa” të Sami Frashërit. Kjo është e para vepër teatrore shqiptare e interpretuar në një gjuhë të huaj, dhe e para dramë që është shfaqur për një personalitet të kohës. Si komit i nderuar shqiptar Çerçizi e ndoqi shfaqen nga reshti i parë.
Sahati dfhe dylbitë e Çerçizit
Për të mbijetuar në Shkodër, Çerçizi shiti sahatin e dhuruar nga djali i sulltan Reshitit. Për miqësi ai kishte bërë dy sahate të njëjtë, një për vetë një për Çerçizin. Sahati ju shit Gjovalin Ndoc Deragjelit nga Shkodra. Ky më pas ja shiti muzeut të Romës. Në Shkodër u gjendën edhe dylbitë e Çerçizit në një familje katolike, të cilat më pas u çuan në muzeun e Rilindjes, në shtëpinë e Topullarajve. (fatkeqësisht sot i mbyllur). Në 29 Maj 1909 Çerciz Topulli kishte themeluar shoqërinë “Kandile” e cila funksionoi deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor të vitit 1912. Në Qershor të 1922 sheshi i qytetit të Gjirokastrës mori emrin “Çerçiz Topulli”. Pas çlirimit të vendit në 1945 eshtrat e dy vëllezërve Topulli u çuan në Varrezat e dëshmorëve. Më vonë ato së bashku me eshtrat e A.Z.Çajupit u vendosën në kodrën e Rilindasve.
AHMET ZOGU DHE FAMILJA TOPULLI
Në 1925 populli i Gjirokastrës e propozoi Bajo Topullin për kryetar bashkie. Ahmet Zogu për të penguar fitoren e Bajos, organizoi vendosjen e 15 kantidatëve, në mënyrë që votat të ndaheshin. Megjithëse Bajo i fitoi zgjedhjet, Zogu ja vonoi mandatin për tre muaj. Në vizitën e tyre në Gjirokastër në 1937 motrat e mbretit Zog ftuan në një pritje edhe gruan e Çerçiz Topullit. Ishte dita kur një grup djemsh ishin këshilluar të thërrisnin në kor: Princeshat në ballkon, djalëria i kërkon!
URIM DHE MALLKIM
Mendova se ky shkrim ishte i domosdoshëm në kujtim të “Nderit të Kombit” Çerçiz Topulli, jeta e të cilit u sakrifikua për shqipen dhe Shqipërinë. Për më tepër që 90-vjetori i kthimit të eshtrave të tij në Gjirokastër përkon me fillimin e vitit akademik mësimor 2026-27. Për realizimin e shkrimit më bindi ca më shumë thirrja brilante që At. Anton Arapi drejtoi përpara eshtrave të dy martirëve. E bërë para 90 vjetësh, ajo thirrje ka ruajtur një emocion dhe aktualitet tronditës.
Me tërë fuqinë tuej vigane mi bani një urim Shqypnisë, – mi nillni mbarësi, përparim, paqe e ngjallim.
Mi lëshoni i namë si rrufeja kulshedrës së re, rrymve dërmuese që po e brejnë jetën shqiptare. Heu! Mos kjofshin e Zoti i vraftë njata, të cilët duen ti lanë shqiptarët pa besë ndër veti, duan ti qesin moralit e karakterit, familjet dhe historinë.
Aktualiteti tronditës ii këtij mallkimi, të bind se ai ka fuqinë të udhëtojë në kohë, si arma më e mirë në mbrojtje të Shqipërisë dhe shqiptarëve.