Pas daljes nga SPAK, Samir Mane iu përgjigjet komentuesve pse nuk shkruan një libër
Sipërmarrësi dhe drejtuesi i grupit të madh BALFIN, Samir Mane ka bërë një shënim të shkurtër në llogarinë e tij dhe u përgjigjet të gjithë atyre që e pyesin, se përse nuk boton një libër ku të tregojë rrugëtimin e tij në botën e biznesit.
Mane, një nga biznesmenët më të mëdhenj të vendit dhe drejtues i kompanive që shtrihen tashmë nga Shqipëria në Europë e deri në Amerikë, thotë se momentalisht është i angazhuar për zhvillimin e Grupit BALFIN.
Megjithatë, ai zbulon se po mbledh histori dhe një ditë do të botoj një libër “për mendjet brilante që kam takuar gjatë rrugëtimit tim, për ata që më kanë bërë të qesh dhe për ata që më kanë treguar se si duket joprofesionalizmi.”
“Një ditë, e gjitha kjo do të hidhet në letër”, përmbyll Samir Mane, duke konfirmuar ambicien për ta shndërruar Grupin BALFIN, një nga korporatat më të suksesshme evropiane.
Një vit më parë, Samir Mane u rendit në listën e miliarderëve botërorë nga prestigjozja Forbes, duke u bërë kështu biznesmeni i parë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor pjesë e kësaj liste. Pasuria e tij është vlerësuar 1.4 miliardë dollarë.
Por së fundmi ai ka pasur probleme me drejtësinë.
Mane madje është thirrur edhe në SPAK, njëherë për një vilë që i ka “dhuruar” çiftit Meta-Kryemadhi dhe dje, për vilat e Belinda Ballukut.
