19 Shtator, 2026

Burri i ish-deputetes socialiste merr tenderin e rrugës Kombinat–Plepa (skandali i rrugës së mëparshme)

 Burri i ish-deputetes socialiste merr tenderin e rrugës Kombinat–Plepa (skandali i rrugës së mëparshme)

ARRSH i ka dhënë Lotin 2 për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa kompanisë “ALBAVIA”, e cila është 50% në pronësi të Hasan Hafizit, bashkëshortit të ish-deputetes së Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi.

Edhe kjo procedurë ka përfunduar me skualifikimin e ofertave më ekonomike. Në tenderin me fond limit rreth 1.2 miliardë lekë, ose 12.5 milionë euro, morën pjesë 15 kompani, por institucioni i drejtuar nga Ami Kozeli skualifikoi tetë prej tyre, për të shpallur fituese “ALBAVIA”-n me një ofertë prej rreth 765 milionë lekësh.

Tenderr 111.PNGfituessss.PNG

Mes kompanive të nxjerra jashtë garës ndodhen edhe dy operatorë që kishin paraqitur oferta më të ulëta se fituesi. Njëra prej tyre kërkonte rreth 64 milionë lekë më pak për realizimin e punimeve, ndërsa tjetra rreth 24 milionë lekë më pak. Megjithatë, të dyja u skualifikuan dhe kontrata përfundoi te “ALBAVIA”.

kompoanite.PNG

Pra, edhe në këtë procedurë, ARRSH nuk ka përzgjedhur ofertën që do t’i kushtonte më pak buxhetit të shtetit. Institucioni është mbështetur te kriteret e tenderit për skualifikimin e operatorëve më të lirë. Dhe pikërisht këtu lind pyetja, a ishin mangësitë e konstatuara te konkurrentët aq thelbësore sa të justifikonin edhe diferencën prej 64 milionë lekësh që do të paguhet më shumë?

Por kjo nuk është as hera e parë dhe, siç tregojnë procedurat e tjera të prokurimit, as një rast i izoluar ku ofertat më të lira mbeten jashtë garës. Rasti bëhet më i dyshimtë kur kontratat përfundojnë te kompani me lidhje të hershme politike, probleme me drejtësinë apo pikëpyetje të ngritura nga kontratat e mëparshme publike.

“ALBAVIA” është 50% në pronësi të Hasan Hafizit, bashkëshortit të ish-deputetes së PS-së, Mimoza Hafizi, ndërsa 50% tjetër zotërohet nga Shkëlqim Rakipaj.

Vetëm pak muaj përpara se ARRSH t’i besonte kontratën e re, kompania u përfshi në një hetim të Prokurorisë së Tiranës. Në prill të këtij viti, “ALBAVIA” u vu nën hetim në kuadër të një operacioni të gjerë kundër evazionit fiskal, të finalizuar më 15 prill 2026.

Sipas organit të akuzës, shoqëria dyshohet se ka bashkëpunuar me disa subjekte të tjera tregtare në një skemë mashtrimi financiar. Përmes deklarimit të faturave për punime dhe shërbime që, sipas hetimit, nuk ishin kryer realisht, kompanitë dyshohet se kanë realizuar transaksione me vlerë totale mbi 73 milionë lekë, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e padrejtë të rimbursimit të TVSH-së.

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Tiranës miratoi më 15 prill 2026 vendosjen e sekuestros preventive dhe bllokimin e llogarive bankare për gjashtë shoqëritë e përfshira. Konkretisht, për “ALBAVIA” u sekuestruan rreth 23 milionë lekë, shumë që sipas hetimit lidhej me detyrimet e papaguara të TVSH-së dhe Tatim-Fitimit.

Megjithatë, vetëm disa muaj më vonë, kompania shfaqet sërish në listën e përfituesve të kontratave të mëdha të ARRSH-së. Këtë herë me 765 milionë lekë për Lotin 2 të rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa dhe me dy oferta më të lira të lëna pas pas skualifikimit.

Nga Qukës–Qafë Plloçë te Kombinat–Ndroq–Plepa

Qukës–Qafë Plloçë është një prej projekteve infrastrukturore më të zvarritura dhe më të debatueshme të viteve të fundit. Projekti, i shoqëruar ndër vite me ndryshime, vonesa dhe kontrata shtesë, u hap për qarkullim në shtator 2025. Vetë institucionet kanë pranuar se gjatë realizimit të tij janë hasur problematika të natyrës gjeologjike dhe teknike.

Qukes.png

Përgjegjësia e kompanisë “Albavia” në aksin Qukës–Qafë Plloçë ka qenë e përqendruar kryesisht në ndërtimin e Lotit 1, përmes konsorciumit “JV Sintram & Albavia”, si dhe në zbatimin e kontratave shtesë të akorduara nga ARRSH dhe Bashkia e Pogradecit për rrugët lidhëse të fshatrave të zonës.

Kontrata fillestare për Lotin 1 u nënshkrua në maj të vitit 2014 me afat përfundimi qershorin e vitit 2018, por kompania u bë objekt kritikash dhe raportesh nga institucione si KLSH për shkak të vonesave mbi gjashtëvjeçare në dorëzimin e punimeve, përfitimit të fondeve shtesë në tendera të dyshuar si të paracaktuar, si dhe për akuza lidhur me situacione fiktive, punë të pakryera por të faturuara, përpara se aksi të hapej përfundimisht për qarkullim në shtator të vitit 2025.

Qukes Qafe Plloce.jpgpunaa.jpg

Në këtë sfond, rikthimi i “ALBAVIA”-s në një tjetër kontratë të rëndësishme të ARRSH-së ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si vlerësohet historia e operatorëve ekonomikë përpara se t’u besohen miliona të tjera nga buxheti i shtetit.

Në tenderin Kombinat–Ndroq–Plepa, çmimi nuk ishte kriteri i vetëm përcaktues. Procedura parashikonte vlerësim me pikë, ku krahas ofertës ekonomike merreshin në konsideratë edhe elementë të tjerë teknikë. Kjo do të thotë se oferta më e lirë nuk fiton automatikisht. Por kjo nuk e zbeh nevojën për të shpjeguar qartë se përse një kompani që kërkonte 64 milionë lekë më pak nuk ishte e përshtatshme për kontratën, ndërsa “ALBAVIA” po.

Në një kohë kur kontratat e mëdha të infrastrukturës janë vendosur vazhdimisht nën lupën e institucioneve të drejtësisë, tenderët e ARRSH-së për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa rikthejnë në qendër të vëmendjes mënyrën se si përzgjidhen kompanitë që marrin miliona nga buxheti dhe peshën që kanë problemet e tyre të mëparshme me ligjin.

VNA raportoi një ditë më parë edhe tenderin për Lotin 3 të të njëjtit aks rrugor, ku ARRSH skualifikoi shtatë ofertat më ekonomike, ndërsa kontrata përfundoi te “G.P.G. COMPANY”, kompani ku biznesmeni Paqësor Buzi zotëron 50% të aksioneve.

Emri i tij dhe i kompanisë është përmendur në raportimet që lidhen me hetimet e SPAK për çështjen e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *