Le Pen paralajmëron Luftën e Tretë Botërore
Marine Le Pen ka paralajmëruar se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës rrezikon të përfundojë ose me përfshirjen e drejtpërdrejtë të NATO-s dhe një konflikt botëror, ose të shndërrohet në një përballje që mund të zgjasë për breza.
“Ose NATO hyn në këtë luftë dhe do të kemi Luftën e Tretë Botërore, ose do të jemi dëshmitarë të një Lufte Njëqindvjeçare”, deklaroi Le Pen.
Ajo ngriti shqetësimin edhe për kohëzgjatjen dhe koston njerëzore të konfliktit, duke thënë se këtyre pasojave nuk po u kushtohet vëmendja e duhur.
“Kjo luftë tashmë ka zgjatur më shumë se Lufta e Parë Botërore dhe askush nuk po flet për këtë”, tha Le Pen, e cila e cilësoi konfliktin një “masakër të vërtetë” dhe “të tmerrshëm”.
Në të njëjtën kohë, Le Pen kërkoi zgjerimin e tryezës së mundshme të negociatave për përfundimin e luftës. Sipas saj, në proces duhet të përfshihen Gjermania, Polonia dhe Turqia, ndërsa Franca mund të luajë rolin e ndërmjetësueses.
“Besoj se roli historik i Francës është pikërisht të krijojë kushtet për një negociatë që i paraprin paqes, siç bëmë për Vietnamin”, u shpreh ajo.
Le Pen komentoi gjithashtu luftën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kundër Iranit, duke vënë në pikëpyetje objektivat dhe rezultatin e saj. Sipas saj, mbetet e paqartë se çfarë synonte të arrinte Trump, ndërsa objektivat e deklaruara të luftës nuk janë përmbushur.
Ajo paralajmëroi se konflikti mund të sjellë pasoja ekonomike në mbarë botën, përfshirë rritjen e inflacionit edhe për popullsitë shumë larg Lindjes së Mesme.