Ngrijeni ushtrinë, historia nuk do na e falë kurrë këtë që po bëjmë!
Nga Mentor Kikia
Që nga Kongresi i Berlinit në 1878, kur tokat e shqiptarëve u përdorën për të “qerasur” egot e fqinjëve; që nga Konferenca e Paqes e Parisit në 1920, kur Shqipëria rrezikoi të zhdukej si shtet i sapo krijuar dhe shpëtoi falë Presidentin Willson; që nga Konferenca e Jaltës në 1945, kur Shqipëria ishte vetëm një parcelë toke që u fut nën perandorinë Sovjetike… pra, që nga këto momente fatkeqe të historisë, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e sigurtë se sa sot.
Shqipëria nuk ka qenë kurrë faktor më i rëndësishëm, se sa sot.
Me dy shtete, Shqipëri dhe Kosovë, dhe një faktorizim politik të mirë në Maqedoni e Mal të Zi, shqiptarët po përjetojnë një periudhë të artë të historisë.
Dhe kjo, falë një partneri, që rikthehet në mënyrë vendimtare, njësoj si në 1920, SHBA-ja, duke futur Shqipërinë në NATO dhe duke mbështetur lirinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës.
Askush nuk di të thotë se sa do të zgjasë kjo parajsë sigurie. Historia rrotullohet bashkë me globin, edhe pse më ngadalë.
Shqiptarët duhet ta kishin shfrytëzuar këtë epokë të artë për të ngritur FUQINË e tyre, ekonomike, politike dhe mbi të gjitha ushtarake. Duhet të forcojmë kapacitet mbrojtëse, kur dihet se fqinjët janë ende më pushkë ngrehur pas gardhit. Dhe nuk e fshehin aspak qëllimin.
Por, çfarë po bëjmë ne?
Marrëdhëniet më të këqija në rajon, Tirana i ka me Prishtinën dhe më të mirat me Beogradin.
Marrëdhëniet më të mira në rajon, Prishtina i ka me Shkupin.
Në vend që të koordinojnë programet ushtarake e diplomatike, qeveritë në Tiranë e Prishtinë janë të investuara në plane konspirative për të dëmtuar lidershipin respektiv politik. Dhe, të dyja bashkë, për të bërë çorap faktorin politik shqiptar në Maqedoni, duke ia zbehur rolin.
Shqipëria është sot vendi më i keqarmatosur në rajon dhe sigurinë e saj e ka 100% në duart e NATO-s. Pa NATO-n, Shqipëria bie edhe nga një sulm i një shoqate gjahtarësh- kam lexuar diku, dhe e besoj këtë.
Nuk ka as flotë ajrore, veç disa helikopterë transporti. Pa helikopterë luftarakë, pa avionë e pa shkollë aviacioni.
Pa flotë detare, apo me një flotë anijesh partullimi dhe pa shkollë marine detare.
Pa sistem mbrojtje dhe me një forcë tokësore që bazohet vetëm një numër të kufizuar trupash dhe një flotë kamionësh transporti…
Epoka e çarmatosjes postkomuniste nuk u ndal me shkatërrimin e armëve ruse e kineze, por edhe të infrastrukturës, përfshi edhe portet dhe bazat ushtarake detare, të cilat nga Baza Strategjike, u bënë Investime Strategjike. Pa lënë në këmbë as Shkollën e Marinës Detare në Vlorë.
Urdhëri “Trump” për rritjen e buxhetit për ushtrinë ishte një gjë e mrekullueshme, për të rritur kapacitetet tona ushtarake.
Por edhe këtu, ne po bëjmë më të keqen që nuk do kishte shkuar ndërmend as edhe vetë Çubrilloviçit. Kemi krijuar një mekanizëm si ti vjedhim paratë e ushtrisë. Një kovaçhanë e shesim për fabrikë kamionësh, armësh, tankesh e avionësh.
Kë po gënjejmë?
Përse po e gënjejmë?
Armatosjen e ushtrisë nuk mund tia besojmë një njeriu që kapet në përgjime, duke folur herë si kontrabandist armësh e herë si sekser ministrash, “punë mbaruar” me pasuritë publike të shqiptarëve.
Paratë e BE-së për bujqësinë, IPARD, i bëtë vila e Jaçuzi, buxhetin e shtetit e keni përdorur si keni dashur.
Por të paktën buxhetin për ushtrinë bëjeni realisht armë.
Bëjeni USHTRINË, se historia nuk do na e falë kurrë nëse e shpërdorojmë këtë epokë.