EMRAT: Sherr ma thika në Sarandë, plagosen dy vëllezër dhe një 19-vjeçar
Një përleshje e rëndë fizike ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës në Sarandë ku bëhet me dije se tre persona kanë mbetur të plagosur.
Burime për mediat bëjnë me dije se personat e plagosur janë dy vëllezërit Elidon Shukulli, 24 vjeç, dhe Mario Shukulli 20 vjeç, si dhe 19-vjeçari Andi Saliaj.
Për shkak të plagëve të rëndë thuhet se 24-vjeçari Elidon Shukulli është nisur drejt Tiranës për të marrë shërbim mjekësor më të specializuar.
Sakaq mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:55, në një subjekt tregtar në lagjen nr. 1 të Sarandës, në hyrjen që të nxjerr në shëtitoren e qytetit. Në vendngjarje kanë dalë menjëherë efektivët e Sarandës të cilët kanë vënë në pranga dy persona.
Njëri prej të arrestuarve thuhet se është edhe 19-vjeçari Andi Saliaj, i cili ishte mes të plagosur. Po ashtu në pranga është vënë dhe shtetasi i identifikuar si Kamelo Aliaj, 22 vjeç.
Ndërsa është shpallur në kërkim, 19-vjeçari Eduard Bajrami, i cili dyshohet të jetë përfshirë në plagosjen e treshes.
Po ashtu, bëhet me dije se dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale “plagosje të rëndë me dashje” dhe “prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Autoritetet vendase po vijojnë me punën për zbardhjen e plotë të rastit dhe të rrethanave të ngjarjes së rëndë që la pas 3 të plagosur.