SHBA zbulon rrjetin e spiunazhit rus, 40 mijë dollarë për një vrasje
Autoritetet amerikane kanë ngritur akuza ndaj pesë personave, të cilët sipas prokurorëve kanë vepruar në emër të shërbimeve ruse të inteligjencës, duke kërkuar persona për survejim, vrasje dhe akte sabotazhi në SHBA dhe Evropë.
Sipas aktakuzës, rrjeti dyshohet se ka tentuar të rekrutojë persona për kryerjen e operacioneve kundër objektivave të ndryshëm, përfshirë disidentë rusë dhe infrastrukturë në vende që mbështesin Ukrainën.
Një prej rasteve të përmendura nga autoritetet amerikane ka ndodhur në SHBA. Një person i rekrutuar fillimisht ishte ngarkuar të survejonte një disident të njohur rus. Më vonë, sipas prokurorëve, atij iu ofruan 40 mijë dollarë për ta “eliminuar” ose për ta “zhdukur” objektivin.
25 mijë dollarë për një vrasje në Lituani
Një tjetër episod i përshkruar në aktakuzë lidhet me Lituaninë.
Sipas Prokurorisë, oficeri i FSB-së, Kirill Khrameev, i pagoi rreth 200 dollarë një amerikani për të fotografuar banesën e një personi që dyshohej se ishte objektiv i operacionit.
Babai i tij, Yuri Khrameev, të cilin prokurorët e përshkruajnë si ish-kolonel të shërbimeve ruse të sigurisë, dyshohet se ofroi më pas rreth 25 mijë dollarë për vrasjen e këtij personi.
Kur amerikani refuzoi të kryente vrasjen, sipas aktakuzës iu ofrua një alternativë tjetër: të kryente një sulm me zjarr ndaj një magazine ose të sulmonte një nënstacion elektrik.
Objektivat, në vendet që mbështesin Ukrainën
Sipas prokurorëve amerikanë, Khrameev kishte shpjeguar se objektivat duhej të ndodheshin në vende që mbështesin Ukrainën.
Autoritetet amerikane pretendojnë se pesë personat e akuzuar kanë pasur lidhje me operacione të drejtuara ose të mbështetura nga shërbimet ruse të inteligjencës.
Rasti është pjesë e hetimeve amerikane mbi përpjekjet e dyshuara të shërbimeve ruse për të zhvilluar operacione klandestine në SHBA dhe në vende evropiane, përfshirë survejimin, sabotazhin dhe sulmet ndaj individëve që konsiderohen objektiva.
Akuzat përfaqësojnë pretendimet e prokurorisë dhe do të duhet të shqyrtohen në procesin gjyqësor.