23 Shtator, 2026

“Shqiptarët në liri, Erioni në qeli” – Balluku “organizon” protestë para Gjykatës së Lartë, që Veliaj të mbetet në burg

 “Shqiptarët në liri, Erioni në qeli” – Balluku “organizon” protestë para Gjykatës së Lartë, që Veliaj të mbetet në burg

Një pamje e pazakontë është regjistruar këtë të martë përpara Gjykatës së Lartë, ku një grup qytetarësh është mbledhur për të kërkuar që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

Me megafon dhe thirrjet “Shqiptarët në liri, Erioni në qeli”, protestuesit kërkuan praktikisht konfirmimin e masës më të rëndë të sigurisë ndaj Veliajt, pikërisht në ditën kur Gjykata e Lartë shqyrton çështjen e tij.

Por protesta ngre edhe një pyetje se përse i njëjti mobilizim nuk është parë në rastin e Belinda Ballukut?

Kontrasti bëhet edhe më i fortë kur shihet pozita procedurale e ish-zëvendëskryeministres. SPAK ka bërë të ditur se Balluku është marrë e pandehur dhe po hetohet për disa vepra penale, mes tyre shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Hetimet janë zgjeruar së fundmi edhe me fakte të reja që lidhen me tenderë publikë dhe pasuri që SPAK pretendon se janë fshehur.

Madje, SPAK kishte kërkuar më herët nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e Ballukut, por kërkesa u rrëzua nga mazhoranca me 82 vota, ndërsa ajo vijon të hetohet në gjendje të lirë.

Megjithatë, ndërsa për Veliajn qytetarë dalin përpara gjykatës për të kërkuar që të mos lirohet nga qelia, nuk është parë i njëjti presion publik për arrestimin e Ballukut, pavarësisht akuzave të rënda që SPAK ka ngritur ndaj saj.

Kjo situatë krijon perceptimin e një standardi të dyfishtë dhe sponsorizim të protestuesve, për njërin kërkohet me megafon që të mbahet në burg, ndërsa për tjetrën, ndaj së cilës SPAK ka kërkuar edhe arrestimin, mungon i njëjti reagim.

Në fakt, as Veliaj dhe as Balluku nuk mund të konsiderohen fajtorë pa një vendim përfundimtar të gjykatës. Prezumimi i pafajësisë vlen njësoj për të dy. Pikërisht për këtë arsye bëhet edhe më problematike që protesta publike kërkon burgosjen konkrete të një personi përpara se procesi gjyqësor të ketë përfunduar.

Nëse kriteri është rëndësia e akuzave dhe lufta kundër korrupsionit, pse “qelia” kërkohet vetëm për Veliajn dhe jo edhe për Ballukun? (Vox News)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *