Meta-Veliaj, nesër prova e zjarrit që mund të zhbëjë reformën në drejtësi
Nesër është një ditë e rëndësishme për fatin e reformës në drejtësi në Shqipëri.
Gjykata do të shqyrtojë dy kërkesa të rëndësishme: Atë të Ilir Metës dhe Erion Veliajt, për t’u liruar nga burgu.
Kërkesa e Metës ishte parashikuar të shqyrtohej të hënën, por është shtyrë për një ditë më vonë (ndoshta me qëllim).
Nuk dihet se çfarë vendimi do të merret për dy politikanët e rëndësishëm që ndodhen në burg, me akuza të rënda korrupsioni, por prej javësh ka pasur një investim të fuqishëm për lirimin e tyre, sidomos të Veliajt.
Madje dhe vetë Edi Rama duket sikur i ka “shkelur syrin” gjykatës, pasi ka “legjitimuar” Veliajn si kryebashkiak, duke mos i dalë kundër kësaj radhe, për lëvizjet që ka bërë në Bashki (nuk reagoi edhe për shkarkimin e njerëzve të Ballukut nga Veliaj).
Mediat pranë Veliajt po ashtu, kanë kohë që po ushtrojnë presion për lirimin e tij.
Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte një goditje e madhe për drejtësinë dhe SPAK.
Kjo, pasi do të lirohej një prej njerëzve që provat e korrupsionit i ka flagrante.
Lirimi i tij, do të shihej si një revansh i politikës ndaj drejtësisë dhe si dorëzim i kësaj të fundit ndaj politikës.
Dhe padyshim, do të konsiderohej si një fitore e madhe e të korruptuarve.
Ndaj, më shumë se fati i Veliajt dhe Metës, nesër vendoset fati i SPAK dhe reformës në drejtësi. (Thuaje.al)