20 Shtator, 2026

Tensione në Berat, Rama përplaset me banorët e Poliçanit: Qepeni gojën

 Tensione në Berat, Rama përplaset me banorët e Poliçanit: Qepeni gojën

Takimi i kryeministrit Edi Rama në Berat, në kuadër të konsultimeve për Reformën Territoriale, është shoqëruar me debate dhe tensione mes tij dhe një përfaqësie qytetarësh të ardhur nga Poliçani, mes të cilëve ndodhej edhe aktorja Egla Ceno.

Dëgjesa, e zhvilluar në ambientet e brendshme të një hoteli në Berat, ka vijuar me përplasje verbale, duke bërë që përfaqësia nga Poliçani të largohej nga mbledhja.

Takimi ka nisur me një prezantim nga ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo. Pas përfundimit të fjalës së tij, banorët e Poliçanit janë ngritur për të diskutuar dhe për të paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me Reformën Territoriale.

Gjatë ndërhyrjeve të tyre, kryeministri Rama u është drejtuar me frazën “Qepeni gojën”, duke shkaktuar reagime dhe debat në sallë.

Pas këtij momenti, situata është tensionuar më tej, me një përplasje verbale mes Ramës, kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj, dhe aktores Egla Ceno.

Në shenjë proteste ndaj mënyrës së zhvillimit të takimit, e gjithë përfaqësia e ardhur nga Poliçani ka braktisur dëgjesën dhe është larguar nga salla.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *