Vrasja mafioze e Santiago Malkos, i dhunojnë varrin dhe kërcënojnë mamanë e tij në sallën e gjyqit
Nga Elton Qyno
Një hetim i hapur së fundi nga prokuroria e Tiranës, ka vënë në qëndër të vëmëndjes disa persona që dyshohet se kanë kërcënuar me jetë, Bukurie Malkon, nënën e Santiango Malkos, i vrarë në zonën e “Porcelanit” në 27 Gusht 2019.
Këta individë ende të paidentifikuar nga ana e policisë dhe prokurorisë së Tiranës, dyshohet se janë shfaqur në njërën nga seancat gjyqësore kundër të pandehurit, Ilir Selmani, i cili sipas SPAK është njëri nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos.
Sipas Malkos, personat e kanë kërcënuar në sallën e gjyqit dhe jashtë ambjenteve të gjykatës si dhe i kanë dëmtuar varrin e të birit.
Mësohet se hetimi ka marë spunto, pas një kallëzimi të bërë nga Bukurie Malko, e cila është paraqitur në ambjentet e komisariarit Nr.4 në Tiranë, duke treguar se në 26 Maj 2026, ka qënë e pranishme në seancën Gjyqësore tek SPAK-u, me të pandehur shtetasin Ilir Selmani.
Sipas saj në sallën e gjyqit vijnë rreth 20 persona, të cilët nuk i njihte dhe kur ka mbaruar seanca gjyqësore, këta persona ngrihen për të ikur dhe njëri nga këta, një person i gjatë i thotë Bukurie Malkos se: “…ti ke gjuajtur me armë tek “Ura e Babrroit…”.
Në atë moment Bukurie Malko, ka patur një palë çelsa në dorë dhe i ka hedhur ato në drejtimin e tij, por nuk e kanë kapur.
Por siç ka treguar Bukurie Malko, ai person ka vazhduar duke bërtitur e duke thënë: “…ti ke gjuajtur me armë te Ura Babrroit…”. Në këtë moment punonjësit e Policisë, ishin duke e shtyrë atë për ta nxjerrë jashtë.
Sipas rrëfimit të Bukurie Malkos këta persona janë një grup kriminelësh, ku individi që i është drejtuar me ato fjalë dhe duke e kërcënuar dhe duke i tundur kokën është personi që ka ngritur dronin në repartin Ushtarak.
Bukurie Malko, ka treguar se e njëjta situatë ka vijuar edhe në seancën gjyqësore të rradhës të planifikuar kundër Ilir Selmanit, tek gjykata e posaçme.
“…po i njëjti grup personash që kanë qënë atë ditë ishin dhe sot dhe po ky person ishte brenda në sallën e Gjyqit dhe gjatë gjithë kohës e shikonte dhe i tundte kokën në formë presioni për ta frikësuar me qëllim mos të paraqitet në seancat Gjyqësore…”-ka treguar Bukurie Malko në polici.
Më tej ajo ka shtuar se kur ka dalë jashtë nga Gjykata, e ka parë atë personin aty, i cili e shikonte prapë dhe i tundte kokën dhe në atë moment i ka thënë se: “…nëse ke diçka për të më bërë, afrohu afër, se unë nuk kam frikë nga asnjëri…”.
Nga momenti që kanë nisur seancat Gjyqësore, ka patur disa herë kërcënime nga persona që nuk i ka identifikuar dot, në rrugë të ndryshme të Tiranës, ku këta persona janë me makinë por targat nuk i ka arritur ti identifikojë.
…këta persona më shajnë dhe kërcënojnë, duke u shprehur që mos të shkoj të paraqitem tek seancat Gjyqësore. Gjithashtu këta persona më kanë kërcënuar dhe me varrin e djalit duke e dëmtuar atë…”-ka treguar në kallëzimin e saj, Bukurie Malko, nëna e Santiago Malkos.