12 Shtator, 2026

SPAK e akuzon se pastroi paratë e Ballukut, vëllai i Igli Tares: Çfarë fshehin prokurorët

 SPAK e akuzon se pastroi paratë e Ballukut, vëllai i Igli Tares: Çfarë fshehin prokurorët

Vëllai i Igli Tares, Genti Tare, ka ndërhyrë në një lidhje me telefon në Top Story në TCH, pas diskutimeve rreth dosjes së Belinda Ballukut.

Në prononcimin e tij, Genti Tare shprehet se vila që diskutohet në dosje ka qenë e Iglit dhe ka qenë Arbër Abazi ai që kërkoi t’ia blinte atë.

“Igli Tare negocimin për blerjen e vilave e ka bërë direkt me Samir Manen… Kanë kërkuar nga Igli Tare të blejnë vilën.

Arbër Abazi (bashkëjetuesi i vajzës së tezes së Belinda Ballukut, Lorela) është pronar i vilës ngjitur me dy vilat e Igli Tares.

Pas një viti e gjysmë që ka bërë punime, me fjalën e Igli Tares ka kërkuar ta blejë me çmimin që Igli e ka marrë, por Igli e ka kundërshtuar.

Kam diskutuar unë me Arbër Abazin, ku i thashë me këtë çmim që i kërkova unë. Unë i thashë që nuk e shes vilën. Vila që flitet sot është e pabanueshme. Ndërsa vila tjetër që kam shitur është e banueshme. Pagesat e vilës janë bërë nga llogaria e Igli Tares. S’e di pse është bërë politikë.

Pse e bën SPAK-u këtë gjë, do e lë për një moment të dytë. Ajo që më intereson është figura e vëllait tim. Nëse vëllai im ka 1% faj, le të shkojë në burg. Por vëllai im, edhe në dëshminë që ka dhënë në SPAK dhe në sekuestrime, ka manipulime.

Ju i referoheni email-it të shtatorit 2020. Nëse i referoheni shtatorit të 2020, as Igli Tare nuk ka pasur pronë, as Belinda Balluku nuk e kishte pronë. SPAK-u nuk e përmend që Belinda Balluku dhe Igli Tare kanë qenë shumë të afërt me njëri-tjetrin. Çfarë përfitoi Igli Tare nga kjo? Është turp që një shqiptar si Agron Shehaj, që i bën lekët me djersë dhe i investon në Shqipëri, të vërë në dyshim lekët e Igli Tares, që ka bërë njësoj si Lorik Cana etj.

Unë nuk di një politikan të ketë një pronë të fshehur dhe ta shfaqë hapur. Igli Tare ka blerë vilën në tetor të 2020. Tenderi që bëhet fjalë është në 2021. Pse priti Belinda Balluku t’i japë tender Arbër Abazit pas një viti? Për 400 mijë euro u shit Belinda Balluku?”, u shpreh Genti Tare.

Genti Tare: SPAK bëri show me Igli Taren, e mbajti 6 orë brenda, por vetëm një orë iu bënë pyetje

Vëllai i ish-futbollistit Igli Tare, Genti Tare, ka ngritur akuza ndaj SPAK lidhur me mënyrën se si është zhvilluar marrja në pyetje e vëllait të tij dhe sekuestrimi i një vile në Palasë.

Gjatë një ndërhyrjeje telefonike në emisionin “Top Story”, Genti Tare tha se, sipas tij, qëndrimi gjashtëorësh i Igli Tares në SPAK nuk ka nënkuptuar gjashtë orë marrje në pyetje.

Tare pretendoi se vetëm një orë ka qenë kohë efektive e pyetjeve, ndërsa pjesën tjetër të qëndrimit ai e cilësoi si “teatër”.

“Një orë kanë qenë pyetje efektive, 5 orët e tjera kanë qenë teatër. Që të dilte lajmi: Igli Tare 6 orë në SPAK”, deklaroi Genti Tare.

Më tej, vëllai i ish-futbollistit pretendoi se në rastin e sekuestrimit të vilës në Palasë, informacioni për aksionin e BKH-së ishte bërë publik në media përpara se ai të realizohej.

Sipas Tares, lajmi për sekuestrimin e vilës ishte publikuar rreth orës 18:00, ndërsa, siç pretendoi ai, ekipi i BKH-së kishte mbërritur rreth orës 20:00 për të kryer sekuestrimin.

“Është hera e parë që SPAK-u ka dekonspiruar SPAK-un”, u shpreh Tare, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyen e publikimit të informacionit përpara kryerjes së veprimit.

 

Ai pretendoi gjithashtu se publikimi i lajmit dy orë përpara sekuestrimit mund të kishte ndikuar në efektivitetin e aksionit.

“Unë po të kisha gjëra në atë vilë, do t’i kisha hequr. Sekuestrimi ndodhi dy orë pas lajmit”, tha Genti Tare.

Sipas tij, SPAK nuk duhej ta kishte bërë publik informacionin me atë shpejtësi, por duhej të ndiqte procedurat përkatëse.

“Është skandal që SPAK-u e dha me kaq nxitim. Pse duhej ta jepte me kaq nxitim? Të zbatonte procedurën”, deklaroi ai.

Në fund të ndërhyrjes së tij, Genti Tare kritikoi mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar Igli Tare, duke e cilësuar si të padrejtë situatën e krijuar rreth ish-futbollistit.

“Është turp që kjo gjë i bëhet një personi, i cili vetëm mirë i ka bërë këtij vendi”, përfundoi Genti Tare.

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *