11 Shtator, 2026

Zelensky shpëton mrekullisht, avioni i tij desh u godit nga një dron rus

 Zelensky shpëton mrekullisht, avioni i tij desh u godit nga një dron rus

Një dron i dyshuar rus i tipit Shahed për pak sa nuk është përplasur me avionin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, teksa ai po largohej nga Moldavia më 8 shtator.

Sikurse raporton Kyiv Independent, Zelensky po udhëtonte drejt Norvegjisë për një takim me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store. Avioni presidencial sapo ishte nisur nga Moldavia kur një dron i dyshuar rus hyri në hapësirën ajrore të vendit dhe më pas kaloi drejt Rumanisë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Moldavisë, droni u zbulua rreth orës 16:20 dhe u monitorua nga forcat moldave deri në orën 16:37, kur kaloi në hapësirën ajrore rumune.

Incidenti shkaktoi alarm në autoritetet e sigurisë, ndërsa hapësira ajrore u mbyll përkohësisht dhe avionë luftarakë të NATO-s u ngritën në ajër për të monitoruar situatën. Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store konfirmoi se avioni i Zelenskyt ishte shumë pranë dronit.

“Aeroplani i tij pothuajse u godit nga një dron ndërsa po ngrihej nga Moldavia. Ky është realiteti me të cilin përballet ai”, deklaroi Store për NRK.

Autoritetet moldave nuk kanë dhënë detaje mbi itinerarin e avionit presidencial dhe nuk kanë deklaruar se droni kishte si objektiv Zelenskyn.

Megjithatë, fakti që inkursioni ndodhi në të njëjtën kohë kur avioni i presidentit ukrainas po ngrihej nga Moldavia ka ngritur pikëpyetje të forta mbi rrezikun që ai përbënte për fluturimin presidencial.

Rumania dhe Moldavia janë përballur në muajt e fundit me disa raste të shkeljes së hapësirës së tyre ajrore nga dronë dhe raketa të lidhura me sulmet ruse ndaj Ukrainës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *