SHBA në dy fronte – Lufta po teston Pentagonin dhe aleancat amerikane
Ndërsa Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një përplasje të zgjatur me Iranin, Pentagoni po përballet me një tjetër betejë, këtë herë brenda mureve të tij. Përplasjet mbi drejtimin e Ushtrisë amerikane, largimet e drejtuesve të lartë dhe konsumimi i rezervave ushtarake po ngrenë një pyetje më të madhe: sa gjatë mund ta mbajë Washingtoni një rol global që kërkon të jetë njëkohësisht i pranishëm në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Indo-Paqësor?
Në pamje të parë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë fuqia ushtarake dominuese në botë.
Por luftërat e viteve të fundit po ekspozojnë një problem që nuk lidhet vetëm me numrin e avionëve, anijeve apo raketave.
Problemi është kapaciteti për të luftuar në disa fronte, për të zëvendësuar shpejt armët e përdorura dhe për të ruajtur një strukturë komandimi funksionale ndërsa ushtria është në operacione të vazhdueshme.
Kjo është dilema me të cilën po përballet Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth.
Një Pentagon në transformim dhe konflikt
Largimi i Dan Driscoll, sekretarit të Ushtrisë amerikane, ka nxjerrë në sipërfaqe tensionet brenda Pentagonit.
Driscoll kishte mbështetur një proces të shpejtë modernizimi të ushtrisë, duke argumentuar se lufta në Ukrainë kishte treguar se mënyra tradicionale e zhvillimit të luftës po ndryshon.
Dronët me kosto të ulët, sistemet e mbrojtjes kundërajrore, lufta elektronike dhe përdorimi masiv i teknologjisë po ndryshojnë fushën e betejës.
Në këtë kuptim, Ukraina është bërë një laborator i luftës moderne.
Por sipas kritikëve të Hegseth, largimet e shumta në nivelet e larta të komandës po krijojnë pasiguri pikërisht në një moment kur ushtria amerikane ka nevojë për stabilitet dhe modernizim të shpejtë.
Ish-zyrtari i Pentagonit Michael Schiffer e ka përshkruar këtë proces si një “pastrim ushtarak”, duke paralajmëruar se ndryshimet e shpejta në nivelet drejtuese mund të krijojnë rreziqe për gatishmërinë e forcave.
Nga ana tjetër, administrata Trump e mbron Hegseth dhe argumenton se ushtria amerikane ka nevojë për një ndryshim të thellë kulturor pas dekadash luftërash dhe ndërhyrjesh që nuk kanë prodhuar gjithmonë rezultatet e pritshme.
Në këtë debat ka dy vizione.
Njëri kërkon një ushtri më agresive, më pak burokratike dhe më të përqendruar te “shpirti luftarak”.
Tjetri paralajmëron se nuk mund të modernizosh një ushtri duke destabilizuar njëkohësisht strukturën e saj drejtuese.
Ukraina i tregoi Amerikës se lufta e ardhshme nuk do të jetë si luftërat e së kaluarës
Për SHBA-të, një nga mësimet më të rëndësishme të Ukrainës është se epërsia teknologjike nuk mjafton.
Në luftërat moderne, sasia ka rëndësi.
Municionet konsumohen.
Raketat interceptuese përdoren me shpejtësi.
Dronët humbasin në numra të mëdhenj.
Dhe sistemet më të avancuara duhet të prodhohen përsëri.
Kjo është arsyeja pse lufta në Ukrainë ka rikthyer një koncept që në Perëndim ishte zbehur pas Luftës së Ftohtë: kapacitetin industrial për luftë.
Një ushtri mund të ketë avionët më të mirë në botë, por nëse nuk mund të prodhojë mjaftueshëm raketa për t’i përdorur ato në një konflikt të gjatë, epërsia fillestare mund të kthehet në dobësi.
Kjo është një nga arsyet pse Washingtoni po investon përsëri në industrinë e mbrojtjes dhe po kërkon të rrisë prodhimin e municioneve.
Lufta me Iranin e shtoi presionin
Nëse Ukraina e vuri në provë industrinë amerikane të mbrojtjes, përplasja me Iranin po vë në provë shtrirjen globale të ushtrisë amerikane.
Që prej nisjes së operacioneve kundër Iranit, burime dhe pajisje ushtarake amerikane janë zhvendosur drejt Lindjes së Mesme.
Por kjo ka një kosto.
Pajisjet që zhvendosen në Gjirin Persik nuk mund të jenë njëkohësisht në Evropë ose në Indo-Paqësor.
Transportuesit e avionëve që lëvizin drejt Lindjes së Mesme largohen nga zonat ku Washingtoni duhet të monitorojë Kinën.
Municionet që përdoren në Lindjen e Mesme duhet të zëvendësohen.
Dhe trupat që qëndrojnë me muaj në një teatër lufte konsumojnë burime, pajisje dhe personel.
Sipas të dhënave të cituara nga CSIS, SHBA-të kanë përdorur rreth një të tretën e stokut të tyre prej rreth 3,000 raketash Tomahawk, ndërsa janë përdorur edhe rreth 1,500 raketa interceptuese Patriot nga një stok prej afërsisht 2,300.
Nëse këto shifra janë të sakta, ato tregojnë një problem më të rëndësishëm sesa vetë kostoja financiare: sa shpejt mund t’i zëvendësojë SHBA-ja këto armë?
Evropa po e ndien efektin
Këtu lidhet drejtpërdrejt debati amerikan me problemin evropian.
Për dekada, siguria e Evropës ka qenë e lidhur me praninë ushtarake amerikane.
Por ndërsa Washingtoni përqendrohet gjithnjë e më shumë te Kina, dhe tani duhet të menaxhojë një konflikt të kushtueshëm në Lindjen e Mesme, burimet amerikane bëhen gjithnjë e më të kufizuara.
SHBA-të kanë njoftuar uljen në rreth 5,000 trupa nga rreth 40,000 që ka në Gjermani, ndërsa disa plane të mëparshme për vendosjen e raketave Tomahawk në territorin gjerman janë braktisur.
Kjo nuk do të thotë se Amerika po largohet nga Evropa.
Por do të thotë se Evropa nuk mund të supozojë më se SHBA-të do të jetë gjithmonë në gjendje të mbulojë çdo boshllëk.
Dhe këtu rikthehemi te problemi që lufta në Ukrainë i ekspozoi që në vitin 2022.
Evropa kishte ushtri, por nuk kishte mjaftueshëm municione.
Kishte industri, por jo kapacitet të mjaftueshëm për prodhim të shpejtë ushtarak.
Kishte ekonomi të mëdha, por ishte e varur nga energjia dhe zinxhirët globalë të furnizimit.
Dhe mbi të gjitha, kishte një arkitekturë sigurie që mbështetej shumë te SHBA-të.
Edhe Amerika nuk është e pafundme
Kjo është pjesa që shpesh mungon në debatin evropian.
Kur flitet për “mburojën amerikane”, ekziston një tendencë për të trajtuar SHBA-të sikur burimet e tyre ushtarake janë të pakufizuara.
Nuk janë!
Amerika ka një ushtri shumë më të fuqishme se çdo shtet evropian individual.
Por ajo ka edhe tre teatro strategjikë që kërkojnë vëmendje:
-Evropën dhe kërcënimin rus;
-Lindjen e Mesme dhe Iranin;
-Indo-Paqësorin dhe konkurrencën me Kinën.
Nëse një krizë shpërthen në njërin prej këtyre teatrove, Washingtoni duhet të zhvendosë burime.
Nëse dy kriza ndodhin njëkohësisht, presioni rritet.
Nëse ndodhin tri, pyetja nuk është më vetëm “sa e fuqishme është Amerika?”, por “sa luftëra mund të përballojë Amerika në të njëjtën kohë?”
Kjo është një pyetje strategjike që Ukraina dhe Irani e kanë bërë shumë më konkrete.
Kina është sfida që qëndron pas gjithë këtij debati
Për administratën Trump, Indo-Paqësori mbetet sfida kryesore afatgjatë.
Por pikërisht këtu ekziston paradoksi.
SHBA-të dëshirojnë të përqendrojë më shumë burime në Azi për t’u përballur me Kinën, por krizat në Evropë dhe Lindjen e Mesme vazhdojnë ta tërheqin atë drejt tyre.
Kjo krijon atë që strategët amerikanë e kanë frikë prej vitesh: shtrirjen e tepërt strategjike.
Një fuqi globale mund të jetë më e forta në çdo rajon individual, por nëse detyrohet të reagojë njëkohësisht në të gjitha rajonet, avantazhi i saj mund të fillojë të konsumohet.
Kjo është arsyeja pse lufta në Ukrainë është kaq e rëndësishme edhe për Kinën.
Pekini po sheh se sa shpejt Perëndimi konsumon municionet, sa kohë i duhet industrisë për t’i zëvendësuar ato dhe sa e vështirë është për SHBA-të të mbajë forcat e saj të shpërndara në disa teatro.
Dhe këtu kthehemi te Evropa
Nëse SHBA-të po përballen me kufijtë e fuqisë së tyre globale, atëherë Evropa nuk mund të vazhdojë të mendojë për sigurinë si një shërbim që vjen automatikisht nga Washingtoni.
Kjo është edhe arsyeja pse rritja e shpenzimeve evropiane për mbrojtjen ka marrë një rëndësi historike.
Evropa duhet të ndërtojë ushtri më të gatshme, industri më të fuqishme të mbrojtjes, rezerva më të mëdha municionesh, sisteme të përbashkëta mbrojtjeje, infrastrukturë energjetike më të sigurt dhe kapacitete industriale që mund të funksionojnë edhe në kushtet e një krize globale.
Nëse kjo bëhet, lufta në Ukrainë mund të shërbejë si një pikë kthese.
Nëse nuk bëhet, Ukraina mund të mbetet vetëm paralajmërimi i parë.