Lufta me Iranin u kushton amerikanëve 100 miliardë dollarë
Lufta me Iranin ka sjellë deri tani rreth 100 miliardë dollarë kosto shtesë për konsumatorët amerikanë, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë. Sipas një vlerësimi në kohë reale nga Brown University, fatura po rritet me rreth 1 milion dollarë çdo dy minuta.
Të dhënat vijnë nga gjurmuesi i kostove të luftës në Iran i Watson School të Brown University. Sipas tij, një familje mesatare amerikane ka paguar më shumë se 760 dollarë shtesë për karburant që nga fillimi i luftës, më 28 shkurt.
Pjesa më e madhe e kësaj kostoje lidhet me benzinën, por së fundmi rritja e çmimit të naftës diesel është bërë veçanërisht shqetësuese. Të premten, diesel-i arriti një rekord historik, ndërsa çmimi vazhdoi të rritet edhe në ditët pasuese.
Të hënën në mëngjes, një gallon naftë kushtonte rreth 5.90 dollarë, sipas AAA, rreth 60% më shumë se një vit më parë.
Texasi, shteti më i goditur
Teksasi ka përballuar pjesën më të madhe të kostove shtesë. Sipas gjurmuesit të Brown University, konsumatorët në këtë shtet kanë shpenzuar rreth 11 miliardë dollarë më shumë për benzinë dhe diesel që nga fillimi i luftës.
Pas Texasit renditen Kalifornia me rreth 8 miliardë dollarë dhe Florida me rreth 5 miliardë dollarë kosto shtesë.
Rritja e çmimeve të energjisë pritet të ndikojë edhe më gjerë në ekonomi, pasi karburantet më të shtrenjta rrisin kostot e transportit të mallrave dhe udhëtimeve.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se amerikanët janë të gatshëm të përballojnë çmime më të larta për të parandaluar Iranin të zotërojë armë bërthamore. Megjithatë, inflacioni mbetet një nga shqetësimet kryesore të votuesve amerikanë.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se sa naftë po arrin të dalë nga Lindja e Mesme. Kjo situatë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e karburanteve gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm.
Edhe lufta në Ukrainë po ushtron presion mbi tregjet globale të energjisë, veçanërisht për shkak të sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Sipas analizës, konsumatorët amerikanë duhet të përgatiten për një periudhë më të gjatë me çmime të larta të karburanteve, ndërsa rritja e kostos së jetesës mund të bëhet një çështje edhe më e rëndësishme përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA.