Çudia: Pse India tërheq më pak turistë sesa Shqipëria?
India — vendi ku ndodhen 45 site të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, më shumë se 100 parqe kombëtare, vargmali më i lartë në botë dhe pallatet e rrënojat e panumërta perandorive — në teori duhet të ishte e mbushur me turistë.
Megjithatë, India tërhoqi vetëm 9.15 milionë turistë të huaj vitin e kaluar, rreth gjysma e të cilëve erdhën nga Amerika e Veriut dhe Evropa, sipas një raporti të Bloomberg News.
Kjo është më pak se numri i regjistruar nga Shqipëria, një vend me më pak se 3 milionë banorë, krahasuar me rreth 1.4 miliardë banorë të Indisë.
Në fillim të këtij viti, Niti Aayog ngriti shqetësimin se të ardhurat prej 35 miliardë dollarësh që India siguron nga turizmi ndërkombëtar mbeten pas vendeve shumë më të vogla si Turqia, Tajlanda dhe Arabia Saudite.
Numri i turistëve në Indi nuk është thjesht i ulët; ai po bie. Mbërritjet vitin e kaluar ranë me 8.1% krahasuar me një vit më parë dhe mbetën 16% nën kulmin para pandemisë prej 10.9 milionë turistësh në vitin 2019.
Disa operatorë turistikë i thanë Bloomberg-ut se shifra reale është shumë më e ulët, nëse përjashtohen turizmi mjekësor dhe vizitat familjare.
Ravi Gosain, president i Shoqatës Indiane të Operatorëve Turistikë, vlerëson se numri real i turistëve të huaj që vizitojnë Indinë për qëllime turistike është vetëm rreth 2 deri në 3 milionë.
Industria dhe vetë turistët japin disa arsye pse India e ka të vështirë të tërheqë vizitorë të huaj.
Historitë për mashtrime ndaj turistëve të huaj janë të shumta, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit dhe qeveri të tjera të huaja paralajmërojnë për shqetësime lidhur me sigurinë, veçanërisht për gratë dhe personat që udhëtojnë vetëm.
Transporti mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar dhe përdorur nga vizitorët e huaj. Marrja e vizave mund të jetë gjithashtu e ndërlikuar.
Megjithatë, ndoshta arsyeja më e madhe është se vetë indianët po udhëtojnë gjithnjë e më shumë brenda vendit, duke rritur kostot për turistët ndërkombëtarë dhe duke shtyrë industrinë turistike të përshtatet gjithnjë e më shumë me shijet e tregut vendas.
Ndërsa turizmi i huaj mbetet i dobët, udhëtimet e brendshme u rritën me 46% vitin e kaluar, duke arritur në 4.29 miliardë, pothuajse dyfishi i rekordit të regjistruar para pandemisë.
Një nga efektet anësore të këtij bumi të turizmit vendas është rritja e çmimeve të fluturimeve dhe hoteleve.
Kjo mund ta bëjë Indinë një destinacion më pak tërheqës për të huajt krahasuar me destinacione më të përballueshme në Azinë Juglindore, thotë operatori turistik Ashish Verma.
“Është shumë pozitive që vendi ka kaq shumë turizëm vendas, por kur kërkesa është kaq e lartë, hotelet në Goa janë gjithmonë plot”, thotë ai.
Të dhënat e qeverisë tregojnë se turistët vendas tani i tejkalojnë ata të huaj në Goa në raportin 20 me 1.
“Kushdo që kërkon plazhe të mira mund të gjejë çmime më të favorshme në Sri Lanka ose Vietnam.”
Në buxhetin e saj më të fundit, India ndau vetëm 3.5 crore rupi për promovimin e turizmit jashtë vendit.
“Është më pak se sa shpenzoj unë për marketing”, bën shaka Dipak Deva, drejtor menaxhues i Travel Corp India.
Ai mendon se vendi duhet të jetë shumë më i dukshëm online.
“Arsyeja pse nuk po rritemi nuk është se nuk kemi një produkt, nuk është se nuk kemi hotelet më të mira, nuk është se nuk kemi shërbim, përmbajtje apo cilësi”, thotë ai.
“Është sepse qeveria nuk po e promovon Indinë.”
Sipas tij, rritja e numrit të turistëve të huaj do të ndihmonte ekonominë, do të sillte më shumë valutë dhe do të përmirësonte imazhin e Indisë jashtë vendit.
Turizmi kontribuoi me 5.2% të PBB-së në vitin fiskal 2024, më pak se gjysma e peshës që ka ky sektor në ekonominë e Tajlandës.
