11 Shtator, 2026

Kush është “Boraqi”, koka e drogës në Sarandë që i bënte “zborin” policisë prej vitesh

 Kush është “Boraqi”, koka e drogës në Sarandë që i bënte “zborin” policisë prej vitesh

Mbrëmjen e së shtunës, Policia e qytetit bregdetar zhvilloi një operacion antidrogë në Sarandë, që çoi në arrestimin e 20 personave, të dyshuar për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Mes të arrestuarve është edhe 49-vjeçari Altin Arapi alias Altin Demiri, i njohur me pseudonimin “Boraqi”, një emër i njohur prej vitesh për strukturat e policisë në Sarandë.

Arapi, i konsideruar si një prej personave me ndikim në shpërndarjen e kokainës në qytetin bregdetar, ka qenë prej vitesh në vëmendjen e autoriteteve. Hetimet ndaj tij kanë zgjatur në kohë, ndërsa sipas burimeve, policia e ka pasur të vështirë dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal dhe kapjen e tij në flagrancë.

Një prej rasteve ku Arapi ka qenë në shënjestër të policisë daton më 20 janar 2022, kur uniformat blu ndërhynë me dyshimin se ai mund të dispononte lëndë narkotike. Megjithatë, gjatë kontrollit nuk u gjet droga dhe 49-vjeçari përfundoi i arrestuar për kundërshtim të forcave të policisë. Në momentin e ndërhyrjes, ai dyshohet se bëri rezistencë dhe dëmtoi edhe telefonin e tij.

Emri i “Boraqit” është përmendur edhe në një tjetër ngjarje të hetuar në Sarandë në maj të vitit 2025, pas rastit të një 15-vjeçareje që përfundoi në Spitalin e Sarandës në gjendje të intoksikuar, pasi kishte konsumuar rreth 5 gramë kokainë. Në kuadër të hetimeve për këtë episod, Altin Arapi ishte një prej personave të marrë në pyetje nga autoritetet.

Ndërkohë, në listën e 20 të arrestuarve në kuadër të operacionit “Vjeshta” rezultojnë edhe persona të tjerë me precedentë penalë. Mes tyre është 27-vjeçari Feliks Filija, i njohur si shok i Elvis Çaushllarit alias “Vis Korçari”, i arrestuar në vitin 2020 në Elbasan për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, si dhe për “armëmbajtje pa leje”.

Një tjetër emër është 35-vjeçari Medi Myftaraj, i arrestuar në shtator 2017 në Skrapar, pasi rezultonte i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata e Vlorës për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Në momentin e arrestimit, gjatë kontrollit të banesës, atij iu gjetën rreth 0.5 kilogramë cannabis sativa. Në mars 2023, Myftaraj është arrestuar sërish në Ksamil, ku iu gjet një sasi tjetër lënde narkotike.

Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar edhe 30-vjeçari Fabjo Berhamaj, i ekstraduar nga Gjermania në vitin 2016, pasi rezultonte i dënuar nga Gjykata e Fierit me 7 vjet burg për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Berhamaj rezulton gjithashtu me precedent penal në Sarandë për “kalim të paligjshëm të kufirit”.

Pjesë e të arrestuarve është edhe 22-vjeçari Devis Saliaj, i cili ishte plagosur me thikë më 6 qershor 2025 në zonën e “Ekualipsit” në Sarandë. Saliaj është arrestuar më herët, në shtator 2023 në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, në kuadër të një grupi të dyshuar për shpërndarjen e cannabis sativa dhe kokainës, ndërsa në dhjetor 2025 është arrestuar sërish në Tiranë.

Mes emrave të arrestuar është edhe 41-vjeçari Erjon Dido, i njohur me pseudonimin “Macistja”. Ai është arrestuar në tetor 2018 në Sarandë, pasi iu gjet një sasi cannabis sativa, ndërsa në dhjetor 2024 është proceduar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, në kuadër të një grupi.

Ndërkohë, 33-vjeçari Dhimitër Terolli, i njohur me pseudonimin “Miço Evgjiti”, rezulton të jetë arrestuar disa herë nga policia, kryesisht për vjedhje. Ai ka precedent edhe për “plagosje të lehtë me dashje”, ku i dëmtuar ka qenë një tjetër person me probleme të përdorimit të lëndëve narkotike. Në listën e të arrestuarve është edhe 24-vjeçari Nazif Refitaj, i cili është arrestuar në vitin 2021 në Patos për “vjedhje e kryer në bashkëpunim”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *