11 Shtator, 2026

​Del renditja e turistëve “më të edukuar”

 ​Del renditja e turistëve “më të edukuar”

Nga Migena Aleksi

Një sondazh i fundit i kryer midis operatorëve turistikë ndërkombëtarë dhe i publikuar nga mediat italiane (përfshirë portalin e njohur SiViaggia) ka zbardhur një renditje të re mbi “turistët më të edukuar” në botë.

Studimi merr në shqyrtim sjelljet e mira, respektimin e rregullave vendase, kulturën e bakshishit, shpenzimet dhe nivelin e përshtatjes me traditat lokale.

Japonia në krye, evropianët me “dritëhije”

Sipas të dhënave të mbledhura nga operatorët e sektorit, japonezët udhëheqin bindshëm listën për edukim, vetëpërmbajtje dhe pastërti, të ndjekur nga norvegjezët, zviceranët dhe kanadezët.

Amerikanët vlerësohen si turistët më “bujarë me bakshishet” por kritikohen për zhurmën dhe mungesën e njohurive mbi rregullat lokale.

Gjermanët dhe holandezët dallohen si më natyralistët dhe më korrektët, ndërsa italianët dhe francezët udhëheqin kureshtjen për gastronominë vendase.

Harta e turizmit në Shqipëri: Si do t’i renditnim vizitorët tanë?

Nëse këtë klasifikim ndërkombëtar e përqasim me realitetin tonë në Shqipëri, panorama që përballojnë përditë operatorët vendas dhe struktura e mikpritjes merr ngjyresa mjaft specifike:

Përshembull çekët dhe polakët, janë tashmë përfaqësuesit më të njohur të “ekonomisë së qindarkës”. Të pranishëm në numër masiv në bregdetin shqiptar, këta pushues nga Europa Lindore dominojnë gjeografinë e turistëve të huaj. Megjithatë, ata njihen nga sipërmarrësit vendas për një buxhet mjaft të shtrënguar. Janë jashtëzakonisht të vëmendshëm deri në qindarkën e fundit që shpenzojnë dhe preferojnë paketën e mbyllur ose furnizimin e pavarur.

Gjermanët, holandezët dhe austriakët – Drejt natyrës e glampingjeve:

Ndryshe nga turizmi i masës, udhëtarët nga Europa Qendrore dhe Veriore po shfaqin gjithnjë e më shumë interes për natyrën e virgjër shqiptare, hulumtimin e shtigjeve dhe strukturat e qëndrueshme mjedisore. Ata janë klientët kryesorë të pikave të glamping-ut dhe kampingjeve natyrore, ku vlerësojnë qetësinë, korrektësinë dhe pastërtinë. Edhe francezët janë afër me këtë grup por disi më të llastuar dhe njihen për vlerësimet e kursyera.

Italianët – Ndarja Veri-Jug 

Profilizimi i pushuesve italianë ndryshon dukshëm sipas rajonit të tyre të origjinës. Ndërsa italianët e Veriut ruajnë një profil më diskret e me kërkesa të strukturuara, ata nga Jugu i Italisë sjellin një sjellje më ekspansive e hera-herës problematike.

Nuk kanë munguar madje edhe episode mjaft të përfolura ku grupe të caktuara kanë tentuar – apo ia kanë dalë – të largohen nga restorantet e bregdetit pa paguar faturat.

​Sfida e turizmit shqiptar, i cili po përjeton vite të rritjes, nuk është vetëm shtimi i numrit të vizitorëve, por seleksionimi i një profili që jo vetëm sjell të ardhura në ekonominë vendase, por edhe respekton kulturën, natyrën dhe punën e mikpritësve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *