Erion Braçe shpërthen ndaj Ramës e Ballukut: Më hoqën nga Divjaka dy muaj para zgjedhjeve, të më digjnin në Tiranë
Deputeti Erion Braçe i ftuar te emisioni KOHA JONE-DEBAT i Nikoll Lesit ka folur hapur dhe pa doreza për bashkinë e kryeqytetit dhe ku deklaron prerë se nuk do të mbështesë ai dhe mbështetësit e tij, asnjë kandidat për kryebashkiak në Tiranë që caktohet me “njoftim”, siç shprehet deputeti.
Braçe foli për politikat e gabuara të qeverisë për fshatin dhe zonat rurale të Bashkisë së Tiranës.
Ai në një mënyrë fine sarkazoi Taulant Ballën, lavderoi Gramoz Ruçin si “shtylla kurrizore” e PS, akuzoi drejtuesit e PS se e hoqën nga Divjaka dy muaj para zgjedhjeve që të digjej në Tiranë, por që mori vetë 25 mijë vota dhe akuzon se nuk ka zgjedhje me votim në organizatat e PS, por me delegim!
Braçe tha se Erion Veliaj duhet të lirohet nga burgu.
***
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili ka shprehur ambicien për të qenë kandidati i socialistëve për Bashkinë e Tiranës, i ftuar në emisionin “Koha Jonë-Debat”, me moderator Nikoll Lesin, ka bërë disa deklarata të forta në lidhje me atë që po ndodh brenda mazhorancës.
Fillimisht, Braçe është ndalur te Erion Veliaj, për të cilin tha se duhet të kthehet në krye të detyrës dhe të respektohen dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me të.
“Me dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj sot nuk duhet të jetë në burg. Nuk ka vendime për këdo në këtë vend. Duhet të respektohen vendimet e Gjykatës së Lartë për masën e arrestit dhe kthimin në detyrë. Unë mendoj që Veliaj duhet të përgjigjet deri në fund, por Veliaj, në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duhet të bëjë detyrën. Duhet t’i bëjë të dyja, edhe të përgjigjet përballë drejtësisë, edhe të bëjë detyrën”, tha Braçe.
Sa i përket garës për Bashkinë e Tiranës, deputeti socialist tha se e sheh atë si një vend pune dhe se kjo është arsyeja pse ai do që të kandidojë.
“E para që dua të them është se Bashkia e Tiranës është vend pune. Të punosh si kryetar i Bashkisë së Tiranës është vend pune. Çfarë po kërkoj unë? Po kërkoj të drejtën për të kandiduar për postin e kryetarit të PS-së, brenda strukturave të PS-së dhe më pas në elektorat”, deklaroi ai.
Po ashtu, Braçe nuk la pa thumbuar as kundërshtarët brenda partisë, për të cilët tha se e shohin postin e kryebashkiakut të kryeqytetit si qokë për karrierën dhe ambiciet e tyre personale.
“Ka këtu në Tiranë që e duan Bashkinë e Tiranës si qokë karriere. E duan si një vend të epërm për karrierën e tyre, e duan për t’u bërë kryetar partie dhe kryeministër, e duan për t’u bërë kryetar i mazhorancës. Unë s’i kam këto ambicie dhe dua të bëj punën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe jo të bëj kapardisjen.”, u shpreh deputeti.
Ndërsa më tej, ai zbuloi se deri më tani nuk ka folur me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa tha se Ogerta Manastirliu nuk është më kandidatja e socialistëve për Tiranën. Po ashtu, ligjvënësi tha se ai nuk mund ta pranojë që kandidatët për bashkinë të njoftohen, teksa theksoi se duhet të zgjidhen brenda partisë.
“Deri tani Edi Rama nuk më ka pyetur dhe, kur të pyesë, do t’ia them. Ogerta Manastirliu? Ishte për atë garën e shpejtë. Në këtë vend, sipas Kushtetutës dhe statusit të partisë, ka të drejtë që të zgjidhet dhe jo të njoftohet. Pra, që të mblidhemi në Kryesinë e Partisë dhe të njoftojmë filanin për kryetar të Bashkisë, jo. Duhet të shkojmë te parimet e partisë”, tha ai.
Braçe, në fund, nënvizoi se ai do ta refuzonte kandidimin nëse emri i tij nuk do të zgjidhej, por do të njoftohej. Po ashtu, ai tha se Partia Socialiste duhet të hapë garë brenda vetes për të energjizuar partinë, por edhe për të ndryshuar formën e vendimmarrjes brenda saj.
“Kjo nuk është çështje e vullnetit personal, e lëmë këtu dhe nuk pranoj që të kandidoj, se unë s’jam njoftim. Unë po kërkoj që Partia Socialiste të hapë garë brenda Partisë Socialiste, edhe për të energjizuar partinë, por edhe për të ndryshuar formën e vendimmarrjes. Edhe nëse në 4 vitet e ardhshme, nëse PS merr vendimmarrje pa pyetur anëtarësinë, ne nuk kemi kuptuar asgjë nga ajo që po ndodh gjatë gjithë verës”, theksoi Braçe.