11 Shtator, 2026

Dalin FOTOT: Ja kush është personi që vodhi 100 mijë euro në emër të biznesmenit Bashkim Ulaj

 Dalin FOTOT: Ja kush është personi që vodhi 100 mijë euro në emër të biznesmenit Bashkim Ulaj

Ky është personi që dyshohet se shkoi në një pikë këmbimi valutor në Tiranë dhe mori shumën prej 100 mijë eurosh, në kuadër të një skeme mashtrimi të sofistikuar, ku autorët dyshohet se përdorën inteligjencën artificiale për t’u shtirur si biznesmeni Bashkim Ulaj.

Ai quhet Agron Cena, nga Delvina, por që jeton në Gjermani.

Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të një 70-vjeçari, pronar i Exchange-it, i cili ra pre e mashtrimit pasi u kontaktua nga persona që iu prezantuan si një i njohur i tij.

Sipas hetimeve të Policisë së Tiranës, autorët përdorën edhe një videocall, gjatë së cilës përmes inteligjencës artificiale manipuluan pamjen e personit në telefon, duke i shfaqur 70-vjeçarit fytyrën e biznesmenit Bashkim Ulaj, me të cilin ai kishte njohje.

Gjatë komunikimit, autorët i kërkuan kambistit që t’u jepte 100 mijë euro, duke pretenduar se shuma do t’i kthehej brenda pak orësh.

I bindur se kërkesa vinte nga vetë biznesmeni, 70-vjeçari dorëzoi paratë te personi që u paraqit në subjektin e tij për t’i marrë shumën.

Por, pasi kaloi afati i premtuar dhe paratë nuk u kthyen, kambisti kontaktoi Bashkim Ulajn. Biznesmeni mohoi të kishte kërkuar para apo të kishte dërguar ndonjë person për t’i marrë ato.

Në këto kushte, 70-vjeçari iu drejtua Policisë së Tiranës, duke vënë në lëvizje specialistët e Krimit Ekonomik.

Hetuesit nisën verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe mundën të gjurmonin personin që shkoi në Exchange, si dhe automjetin me të cilin ai u largua. Makina rezultoi se ishte marrë me qira, çka ndihmoi në gjurmimin e autorëve dhe zbardhjen e skemës.

Policia arrestoi Brian Sericën, 31 vjeç, dhe Skerdi Metën, 23 vjeç, ndërsa shpalli në kërkim Rigels Hysenin, 31-vjeçar.

Sipas policisë, hetimet vijojnë për kapjen e personit që ka marrë fizikisht 100 mijë eurot në Exchange, Agron Cena (në foto), si dhe për dokumentimin e plotë të rolit të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në skemë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *