11 Shtator, 2026

Kur Dolomitet bëhen më të lira se Shqipëria, problemi nuk është më çmimi

 Kur Dolomitet bëhen më të lira se Shqipëria, problemi nuk është më çmimi

Nga Altin Dangëllia

Para pak ditësh isha për ecje në mal, në Selva di Val Gardena, zemra e Dolomiteve. Një nga zonat turistike më të njohura të Italisë dhe Europës, me paga italiane, standarde italiane, taksa italiane dhe një industri turistike që sigurisht, nuk ka nevojë për prezantim.

Aty ndesha një paradoks që, për ne shqiptarët, nuk është më as për të qeshur.

Gjysmë litri birrë supercilësore, kriko: 5–6 euro.

Në Shqipëri, një Stella Artois, Corona apo Heineken 0.33 l mund ta gjesh 5, 6, 8 euro dhe, në vende të caktuara, edhe 1.000 lekë.

Kafe, ulur, në qendër të Selva, vetëm 2 euro.

Një antipastë tiroleze me speck, sallame e djathëra lokalë, bujare në sasi dhe me një cilësi produkti, që nuk ka nevojë për marketing Instagrami, me çmim të krahasueshëm, shpesh edhe më të lirë se antipastat që gjejmë sot në jo pak restorante të qyteteve turistike shqiptare.

Dhe nuk po krahasoj Shqipërinë me ndonjë nga provincat e lira të Italisë. Po flas për Dolomitet .

Atëherë sigurisht që diçka nuk shkon.

Në fakt, problemi nuk është thjesht: “jemi bërë të shtrenjtë!”. Problemi është shumë më serioz: kemi ngatërruar çmimin e lartë me ekonominë e zhvilluar dhe shtrenjtësinë me prestigjin.

Në një ekonomi turistike të pjekur e me këmbë në tokë, biznesi kërkon të fitojë nga klienti duke e bërë atë të konsumojë, të rikthehet dhe madje të rekomandojë destinacionin. Marzhi është pjesë e një ekuacioni më të madh: volum, qarkullim, vazhdimësi dhe reputacion.

Tek ne, shumë shpesh, ekuacioni duket sikur është reduktuar në një pyetje shumë më primitive: sa është maksimumi që mund t’ia marr këtij sot?

Se nesër nuk i dihet.

Kështu krijuam një model ku një birrë industriale 0.33 l mund të kushtojë sa një birrë e mirë 0.5 l në një resort alpin europian; ku një pjatë modeste merr çmim “premium” vetëm sepse tavolina ndodhet disa metra nga deti; dhe ku çdo sezon duket sikur duhet të paguajë jo vetëm shpenzimet e atij sezoni, por edhe ambiciet financiare të pesë viteve të ardhshme.

Pastaj habitemi pse klienti ankohet për çmimet.

Por ka edhe një gabim tjetër,akoma më tinëzar: kemi filluar ta konsiderojmë çmimin si tregues cilësie.

Restoranti është “premium”, prandaj birra duhet të kushtojë 800 lekë. Lokali është “lounge”, prandaj kafja duhet të jetë trefishi. Hoteli ka vendosur mermer te shkalla , prandaj dhoma duhet të kushtojë sa në Itali.

Në ekonomi kjo logjikë funksionon deri në momentin kur klienti fillon të udhëtojë dhe të krahasojë. Dhe shqiptarët sot udhëtojnë, madje jo pak.Turistët e huaj, edhe më shumë se ne.

Ata e dinë sa kushton një kafe në Itali, një birrë në Austri, një darkë në Greqi apo një hotel në Kroaci. Nuk mjafton më t’i thuash klientit se je “premium”. Ai hap telefonin dhe brenda 20-30 sekondash zbulon se çfarë mund të blejë me të njëjtat para 500 kilometra më tutje.

Këtu fillon problemi i vërtetë i konkurrueshmërisë.

Sepse nuk është fatkeqësi që Shqipëria të bëhet më e shtrenjtë. Përkundrazi. Do të ishte fantastike sikur rritja e çmimeve të ishte rezultat i rritjes së cilësisë, shërbimit dhe vlerës së produktit.

Problemi është kur çmimet europianizohen shumë më shpejt se produkti.

Sepse nuk mund të importosh çmimin e Dolomiteve dhe të lësh pas standardin, organizimin, cilësinë dhe fuqinë blerëse.

Aq më keq kur arrijmë të jemi edhe më të shtrenjtë, madje.

Në Selva di Val Gardena kuptohet edhe diçka tjetër, shumë më e thjeshtë.

Kur kafja kushton 2 euro, e pi pa menduar. Kur birra 0.5 l kushton 5–6 euro, merr edhe një tjetër. Kur ushqimi është i mirë, porcioni bujar dhe çmimi i arsyeshëm, porosit edhe antipastën, edhe ëmbëlsirën.Në fund ke shpenzuar më shumë.

Por ama nuk ndihesh i grabitur!

Ky është ndryshimi thelbësor që shumë prej nesh nuk po e kuptojnë: ekonomia e mirë nuk është arti për t’i marrë klientit sa më shumë para në një transaksion të vetëm. Është arti për ta bërë atë të shpenzojë më shumë sepse dëshiron, jo sepse nuk ka rrugë tjetër.

Një klient të cilit i shet  psh Corona  0.33 për 8-10 euro mund të t’i japë sot ato 8-10 euro.

Ama një klient që mendon se mori vlerë për paratë e tij, të jep sot 50, nesër edhe 50 të tjera dhe vitin tjetër vjen përsëri me dëshirë.

Ky nuk është dallim gastronomik.Është dallim vizioni ekonomik.

Prandaj diskutimi për çmimet në Shqipëri nuk duhet reduktuar te pyetja nëse një restorant “ka të drejtë” ta shesë birrën 500, 800 apo 1.000 lekë. Sigurisht që ka, sepse tregu është i lirë.

Pyetja është tjetër:

Çfarë ekonomie po ndërtojmë duke menduar kështu?

Sepse mund të rrisësh çmimet shumë më shpejt sesa rrit vlerën. Mund ta bësh për një sezon. Mund ta bësh edhe për disa vite.

Por në një treg të hapur, klienti gjithmonë e bën krahasimin.

Dhe kur një shqiptar kthehet nga Dolomitet dhe thotë se kafja, birra dhe ushqimi atje i kushtuan njësoj ose më pak se në Shqipëri, kjo nuk duhet të na bëjë krenarë që “arritëm Europën”.

Duhet të na shqetësojë. Sepse ndoshta nuk kemi arritur Europën.

Kemi arritur vetëm çmimet e saj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *