“Agasi dhe Balluku mbajnë peng Edi Ramën, kanë prova të rënda kundër tij”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me arrestimin e Ergys Agasit dhe rolin që ka pasur si ndërmjetës i Kryeministrit me krimin e organizuar.
Bardhi e vendos Agasin përballë Belinda Ballukut, duke argumentuar se, pavarësisht rivaliteteve për pushtet, të dy mbajnë peng kreun e qeverisë me prova qe jo vetëm e rrëzojnë nga pushteti por edhe e arrestojnë atë.
Postimi i plotë:
Edhe pse rivalë për pushtet tek Edi Rama, Ergys Agasi nuk ndryshon nga Belinda Balluku. Janë dy njerëzit që mbajnë peng Kryeministrin e vendit me prova që mund t’i japin fund jo vetëm pushtetit, por edhe lirisë së tij.
Për 4–5 vitet e fundit, Ergys Agasi ishte zëvendëskryeministri i paemëruar i Edi Ramës: njeriu në hije që ushtronte pushtetin si koordinator i tij me krimin e organizuar. Siç tregojnë dosjet e SPAK-ut, për 4–5 vite në këtë rol, Agasi pa, dëgjoi dhe regjistroi aq shumë nga pushteti i Edi Ramës, sa sot di për të, ndoshta, më shumë se kushdo tjetër.
Arrestimi i tij, 8 muaj pas shpalljes në kërkim, në vendin ku të gjithë e dinin se qëndronte, është thjesht i vonuar dhe i mirëpritur.
Por në 14 vite kemi parë ergysët dhe belindat t’i zënë vendin njëri-tjetrit. Të ngrihen, të fuqizohen dhe pastaj të bien sipas nevojave të pushtetit të Edi Ramës.
Prandaj, një Ergys më shumë në burg nuk ndryshon asgjë, nëse burimi i pushtetit të tij për të vepruar si grup i strukturuar kriminal, për të përcaktuar vlerat e tenderave publikë, për të korruptuar zyrtarë, për të eliminuar konkurrencën me dhunë dhe për të pastruar paratë e krimit vazhdon të jetë në krye të qeverisë.
SPAK ka detyrimin që çështjen e Ergys Agasit ta trajtojë si një çështje me interes kombëtar dhe, përmes veprimtarisë së tij kriminale, të zbardhë mënyrën se si Edi Rama ka ushtruar pushtetin. Sa nga pasuria publike ka kontrolluar Ergys Agasi? Deri ku ka depërtuar pushteti i tij në shtet, drejtësi dhe media? Dhe a është Edi Rama në regjistrimet e sekuestruara nga SPAK?
Reagimi i Berishës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Ergys Agasi, i arrestuar mbrëmjen e djeshme, ishte “koordinatori i Edi Ramës për të gjitha organizatat kriminale dhe kartelet e drogës”.
“Ergys Agasi, koordinatori i Edi Ramës për të gjitha organizatat kriminale dhe kartelet e drogës, kontrolloi çdo të dhënë në internet të shtetesve shqiptarë dhe shtetasve të huaj në territorin e Shqipërisë. Ergys Agasi ishte dhe është personi, që sipas pohimeve verbale, ndryshonte, emëronte, çemëronte ministrat e Brendshëm dhe kishte një kontroll fjollë mbi SHIK-un, tashmë të denoncuar nga unë prej vitesh në mënyrë të përsëritur. Miqësia e kryetares së SHIK-ut, drejtoreshës së SHIK-ut, me Agasin është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga kjo platformë”, tha Berisha.
“Kemi paralajmëruar se shtrirja e kontrollit dhe influencës së këtij mafiozi mbi shërbimin informativ kombëtar nëpërmjet miqësisë që kishte me Hysenin, e njohur tashmë si agjente e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit, lë dyshimet më të mëdha për infektimin e këtij institucioni.
Ergys Agasi ka pasur de facto, jo de jure, si arkitekt të interiorit, Edi Ramën për vilën e tij të ndërtuar pikërisht në zonën e ndërtesave qeveritare në Durrës. I kemi denoncuar me kohë vizitat e tij, angazhimin e tij gjer në detaje në arredimin e vilës së supermafiozit Ergys Agasi”, shtoi kreu demokrat.
Teksa i referohet qytetarit dixhital, Sali Berisha thotë se ditën e dielë, Ergys Agasi ka zhvilluar një takim të gjatë me Taulant Ballën, duke pretenduar se është edhe negociatori.
Sipas Berishës një element tjetër është edhe fakti që Agasi u arrestua në një makinë të thjeshtë, edhe pse ai është pronar i shumë makinave luksoze dhe të blinduara.
“Agasi në aparencë ishte në kërkim, por de facto ishte i lirë, lëvizte kudo, me shoqërues. Vijmë te momenti i arrestimit, pranë shtëpisë së tij, më pantallona të shkurtra dhe nallane dhe një polic në timon. Të gjitha këto flasin më shumë se cdo gjë tjetër për një arrestim të negociuar. A ju kujtohet ju kur u dorëzua famozi Balili, cilin pati shofer?! Ardi Veliun. Edhe ky Shpatarakun. Qytetarët dixhital më kanë informuar se sipas burimeve të tyre policore, ditën e dielë në një lokal të kontrolluar nga karteli në Elbasan, Taulant Balla ka zhvilluar një takim jo të shkurtër me Gys Agasin.
Vetë qytetari dixhital thotë që është mirë që të hetohet, por burimi është mjaft serioz dhe i sigurt. A mori përsipër Taulant Balla negociatat ne emër të Ramës?! Nuk mund ta them, por qytetari dixhital thotë se është takuar me të. Agasi është pronar i makinave luksoze të blinduara. Shkoi dhe u gjend në një makinë koti, me shofer një polic. Janë disa elementë që po ti lidhësh bashkë flasin për një arrestim të negociuar”, tha Berisha.
Sipas ish-kryeministrit, Agasi kishte nje zyre ku hynin e dilnin zyrtare te larte dhe ser ata regjistroheshin me ze dhe figurë.
“Ergys Agasi ka disponuar në zonën më qendrore të Tiranës një zyrë studio apo ta quajmë c’të doni, me e veçanta në llojin e saj në Shqipëri dhe mbase në Evropë. Zyra e Ergys Agasit bënte regjistrime me figure dhe me zë. Ky ishte manjak. Mirëpo regjistrimet e tij duhet ta dinë shqiptarët herë herë provojnë se ajo zyrë ishte një kuplara në mes të Tiranës.
Në atë zyrë janë paraqitur ministra, ministre, drejtorë të përgjithshëm, deputetë e deputete. Janë paraqitur gjykatës, prokurorë, zyrtarë të lartë të policisë etj. Pra zyra e Agasit në bllok është zyra e një mafiozi ku përdoreshin të gjitha mjetet për arritjen e qëllimeve. Videot i disponon drejtësia. Ata po fshijnë minsitrat dhe deputetët, por ju garantoj se hetimi nuk do ndalet“, tha Berisha.