E kishte mik të ngushtë dhe e strehoi disa herë në shtëpi – Si Enver Hoxha dha urdhër për ekzekutimin e tij
Enver Hoxhës i kishte bërë një fotografi Qemal Stafa, miku i Nexhmijes.
Për atë foto, ku Enveri shfaqet me syze, ai tregon në librin “Kur lindi Partia” (botimi i dytë) se bashkë me “Delikaten” – pseudonimi që Qemali i kishte vënë Nexhmijes – bridhnin nëpër Tiranë, ndërkohë që një mik i tij u kishte dhënë letërnjoftimin e vet e të bashkëshortes, që t’i përdornin në rast rreziku.
Aty Enveri shkruan:
“Në saje të këtyre letërnjoftimeve nuk patëm probleme. Po ja që emri nuk më kujtohet, kurse mbiemri më kujtohet qe Hysi.”
Po kush ishte ky që Enveri “nuk ia mbante mend emrin”?!
Ai ishte Hilmi Hysi, me origjinë nga Verzhezha e Skraparit, shok shkolle i Enver Hoxhës në Montpellier të Francës.
Në Montpellier, Hilmiu e qortonte vazhdimisht Enverin që vërdallisej rrugëve pas “plakave të katundit” dhe që nuk mori asnjë provim.
Gjatë pushtimit fashist, Hilmi Hysi u emërua gjyqtar pajtimi në Tiranë.
Në shtëpinë e tij, afër Selvisë, fjeti disa herë Enver Hoxha. Madje, Hilmiu i dha Enverit edhe letërnjoftimin e vet e të bashkëshortes.
Si shpërblim, Enveri e emëroi kryetar gjykate në Gjirokastër dhe më pas e pushkatoi. (Eralda Baze)

Hilmi Hysi me të shoqen