11 Shtator, 2026

Benz-i 120 mijë euro – A e ka blerë Rama, apo ia ka dhuruar oligarku i tij i preferuar?

 Benz-i 120 mijë euro – A e ka blerë Rama, apo ia ka dhuruar oligarku i tij i preferuar?

Teksa largohej nga mbledhja e ditës së parë me ministrat në Pogradec, kryeministri Edi Rama u afrua i ngrysur tek Mercedesi Benz S-Class, ngjyrë e zezë që e priste parkuar në oborrin e vilës qeveritare.

Derën e mjetit ndërkohë mbahej hapur nga shoqëruesi i tij. Sapo morën  sinjal se KM po afrohej, gardistët e tjerë u vunë menjëherë në lëvizje.

Rama u afrua shpejt. Me fytyrën e njeriut të ezauruar nga orët sfilitëse të punës për t’i gjetur zgjidhje halleve të këtij populli, ai u ul në sediljen e pasme të një nga mjeteve më të shtrenjta dhe më të sofistikuar në segmentin e sedanëve luksozë.

Makina mban targën AC 753 ZN dhe nga specifikat e modelit, përputhet me Mercedes-Benz S 350 d 4MATIC, versioni hyrës me motor nafte të gamës së re të S-Class.

Me një verifikim të thjeshtë dallohet automjeti që Mercedes-Benz e ka nxjerrë në porosi më 30 janar 2026.

Çmimi zyrtar fillestar në Gjermani për S 350 d 4MATIC është 121,356.20 euro, përfshirë 19% TVSH, pa përfshirë kostot e dorëzimit.

Ky është modeli më i fundit i një prej linjave që Mercedes-Benz e përdor si vitrinën e teknologjisë dhe luksit të vet.

Mercedes e pozicionon S-Class-in si modelin kryesor të gamës së vet dhe, në versionet më të pajisura, makina mund të shkojë shumë përtej çmimit bazë.

Kjo do të thotë se 121,356 euro janë çmimi fillestar zyrtar i makinës që po përdor Rama. Pajisjet shtesë, personalizimet, taksat dhe kostot e importit mund ta rrisin faturën.

Nuk ka aktualisht një dokument që të sqarojë nëse kjo makinë është blerë me paratë e buxhetit të shtetit, është marrë me qira nga Kryeministria apo është makina e familjes Rama.

Dyshimet janë që kjo makinë luksoze t’i jetë vënë në dispozicion nga oligarku Shefqet Kastrati, që ka dhe ekskluzivitetin e Benz në Shqipëri.

Kryeministria deri tani, nuk ka reaguar ndaj lajmeve për Benzin luksoz të Ramës.

Kujtojmë që Kastrati është një prej oligarkëve të preferuar të Ramës dhe falë tij, sot kontrollon rrugët, detin, por edhe qiellin, pasi ka marrë me koncension Aeroportin e Tiranës.

Më herët, deri në vitin 2021, Rama lëvizte me një GMC Yukon XL, një SUV amerikan i personalizuar, që shkaktoi menjëherë debat për çmimin dhe origjinën e tij.

Fillimisht në media u spekulua se makina ishte e blinduar, por Këshilli i Ministrave sqaroi se kjo nuk ishte e vërtetë.

Sipas zyrës së Kryeministrisë, GMC-ja ishte në pronësi të një subjekti privat dhe ishte marrë me qira nga Partia Socialiste.

“Automjeti nuk ka elemente te veçanta sigurie. Ai është marre pasi automjeti i mëparshëm ne përdorim te Kryetarit te PS, nuk plotësonte me standardet e lëvizjes për shkak te amortizimit si pasoje e vjetërsisë dhe numrit te madh te kilometrave te kryer. Me këtë rast theksojmë se kryeministri nuk ka blere një automjet te ri me fondet e buxhetit te shtetit, qysh nga ardhja e tij ne detyre” thuhej në reagimin e kryeministrisë.

Më herët, prej vitesh Rama kishte përdorur një Lincoln, për të cilin sqaroi se ia kishte sjellë vëllai kur ai ishte ende në opozitë, në vitin 2009.

Në atë periudhë makina u bë objekt akuzash nga opozita; dhe sërish Ramës iu desh ta mohonte se mjeti ishte i blinduar.

Në harkun e disa viteve, shijet e Ramës për makina janë bërë gjithnjë e më të shtrenjta. Nga Lincolni që e sjell vëllai nga SHBA, më pas tek GMC me qira, më pas një Mercedes-Benz S-Class të 2017, dhe tani një tjetër S-Class i gjeneratës së fundit, i dalë në treg disa muaj më parë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *